Pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, pritet rënie e madhe e paundit. Kështu është shprehur zv/guvernatori i Bankës së Anglisë, Jon Cunliffe.
Ai tha se valuta po nxitet nga negociatat me Europën dhe vlera aktuale reflekton shumë rezultate të mundshme.
“Ndërkohë që rrugëtimi i Brexit bëhet i dukshëm dhe i qartë, kursi i këmbimit do të pësojë lëvizje të mëdha”-paralajmëroi ai.
Bisedimet ditën e Mërkurë dështuan të sjellin një dakordësi në Bruksel dhe Kryeministrja Theresa May po konsideron zgjatjen e periudhës së tranzicionit pas daljes në muajin Mars, raporton Scan TV.
Sipas liderëve të BE-së, deri më tani nuk është bërë progres i mjaftueshëm që të arrihet marrëveshja e divorcit në nëntor.
Ndërkohë që zv/guvernatori përsëriti se Banka e Anglisë nuk shënjestron kursin e këmbimit, ai tha se vlera e paundit ka shumë ndikime nga objektivi i arritjes së inflacionit në 2%.
Paundi pati rënien më të madhe pas rezultatit të referendumit të vitit 2016. Zhvlerësimi rriti çmimet e importit dhe fryu inflacionin për një periudhë thuajse 2-vjeçare. Aktualisht, valuta është në rënie me 12% që prej Qershorit 2016, ku britanikët votuan për të dalë nga Europa.