Shqipëria luan ndeshjen e fundit të fazës eleminatore të Botërorit Rusi 2018, përballë Italisë në ‘Loro Borici’. Me Italainët që vizitojnë për herë të parë tokën shqiptare, tekniku italian i kombëtares Shqiptare Panucci kërkon që të marrë një rezultat pozitiv. Edhe miqtë kanë objektiv fitoren pavarsisht se kanë siguruar ‘play-off’, pasi u intereson për renditjen e FIFA-s. Shqipëria pritet të luaj një ndeshje të hapur dhe ofansive, pasi kërkon ti mbyllë me një paraqitje dinjitoze këto eleminatore.
Ashtu sikurse deklaroi në konferencën për shtyp, trajneri kuqezi pritet të hedhë në fushë një skuadër me tipare kurajoze. Gjatë seancës përmbyllëse, Panuçi dha direktivat e fundit te të besuarit e tij, duke i porositur të jenë vigjilentë dhe të mos bien pre e dinakërisë së kundërshtarit, i cili shquhet për “lojë të pisët”.
FORMACIONI
Ndryshe nga përballja me Spanjën, ku ishte i kushtëzuar nga mungesat dhe pezullimet, Panuçi pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë lojtarët që kanë më shumë eksperiencë dhe kanë qenë pjesë e formacionit përgjatë drejtimit të paraardhësit të tij, De Biazi. Rikthimi i Mavrajt, Roshit dhe Agollit pritet të ndryshojnë edhe modulin.

Në këto kushte, Panuçi pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë portierin Berisha. Në mbrojtje, ndryshe nga përballja në Spanjë, do të shohim atë klasiken: Mavraj-Ajeti në qendër, të ndihmuar nga kapiteni Agolli në të majtë dhe në krahun e djathtë nga Hysaj. Mesfusha do të përbëhet nga pesë lojtarë, një pjesë e të cilëve me karakteristika më shumë sulmuese dhe që luajnë pranë portës kundërshtare.

Përpara mbrojtjes do të vendosen në vijë të drejtë dhe pranë njëri-tjetrit dyshja: Kaçe-Basha me Memushajn më të avancuar. Nga krahët priten të jenë Roshi dhe njëri mes Grezdës dhe Latifit. Në sulm rikthehet Sadiku, i cili është konsultuar gjatë kokë më kokë me Panuçin në lidhje me sfidën përmbyllëse.











