Statistikat e krimeve të publikuara nga INSTAT tregojnë për një rënie të tyre gjatë vitit pandemik 2020.
Sipas INSTAT, në vitin 2020, janë evidentuar gjithsej 32.736 vepra penale, 7,0% më pak, krahasuar me vitin 2019.
Veprat penale Dhunë në familje, Krime në fushën e drogës dhe Krime me dashje kundër shëndetit janë rritur, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pjesa tjetër e veprave penale ka pësuar rënie.
Krimet në fushën e drogës u rritën me rreth 5%, në rreth 2 mijë të tilla.
Ndërsa veprat penale të raportuara për dhunën në familje u rritën me rreth 12.2%, në rreth 1500 të tilla, teksa karantina duket se e ka ndikuar negativisht sjelljen brenda familjes.
Veprat penale për krime me dashje (tortura, plagosje, rrahje) kundër shëndetit janë rritur me 2.3%.
Autorë të veprave penale
Në vitin 2020, janë regjistruar 40.956 autorë për vepër penale, 4,9 % më pak, krahasuar me vitin 2019. Numri i autorëve sipas veprave penale përfshin numrin e personave të dyshuar të cilët mund të jenë të pranishëm në më shumë se një vepër penale dhe autori numërohet në të gjitha veprat ku është i dyshuar. Ndërkohë, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2020 është 35.213 autorë, 2,4 % më pak, krahasuar me vitin 2019.
Meshkujt përbëjnë 94,8% të totalit të autorëve të veprave penale dhe 30,8 % e tyre janë të grup-moshës 30-44 vjeç.
Të dëmtuar
Në vitin 2020, janë regjistruar 17.829 persona të dëmtuar, 5,5% më pak, krahasuar me vitin 2019. Personat e dëmtuar për krime kundër personit përbëjnë 38,9 % të totalit të personave të dëmtuar.
Në vitin 2020, në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit, femrat përbëjnë 32,8 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit, dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes.
Procedime penale
Në vitin 2020, numri i procedimeve penale të regjistruara është 27.852 procedime, 9,3 % më pak, krahasuar me vitin 2019. Nga25.295 procedime penale të përfunduara, 23,4 % e tyre janë pushuar, 37,2 % janë pezulluar dhe 39,4 % janë dërguar për gjykim në gjykatë.
Të pandehur
Në vitin 2020, janë regjistruar 13.409 persona të pandehur, 8,9% më pak, krahasuar me vitin 2019. Meshkujt përbëjnë 95,1 % në totalin e personave të pandehur.
Të burgosur
Në vitin 2020, numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale është 4.614tëburgosur, 8,5 % më pak, krahasuar me vitin 2019. /monitor/