Real Madridi ka konfirmuar krizën e rëndë që është duke kaluar në këtë fillim sezoni. Është Alaves që i ka mposhtur madilenët në “Estadio Mendizorrotza” me një gol të shënuar në minutën e 95’. Një tjetër ndeshje për tu harruar nga “galaktikët” të cilët janë duke e ndjerë më shumë se kurrë mungesën e Cristiano Ronaldos.
Ndeshja nuk arriti asnjëherë në nivelin e duhur dhe Real e kishte shumë të vështirë të depërtonte në zonën e një Alaves-i që mbronte mirë dhe luante me një dëshirë të madhe. Kjo ishte ndeshja e katërt e Real Madrid pa shënuar gol, diçka e rrallë.
I vetmi rast që ia vlen të përmendet është ai i Karim Benzema, por edhe ai ka harruar të shënojë gjatë javëve të fundit. Pas pushimit situata nuk ndryshon për Los Blancos, madje janë vendasit ata që krijojnë dy mundësi të mira për të kaluar në avantazh.
Kur dukej sikur ndeshja do të përfundonte me një barazim të mërzitshëm, Alaves arrin të shënojë golin e fitores me Manu Garcia në minutën e 95’. Mesfushori u gjend në vendin e duhur në kohën e duhur duke marrë tre pikë historike ndaj Real-it.