Shkundja e kabinetit qeveritar dhe zëvendësimi i tyre me ministra të rinj, shumë pak të njohur nga publiku, bëri bujë të madhe. E për shumë prej tyre, është mjaft e vështirë të gjesh qoftë edhe një CV online.
Historiani Kastriot Dervishi duket se ka hulumtuar paksa lidhur me biografitë e ministrave të rinj, për të cilët shkruan se u mungon totalisht modestia.
Në një postim në Facebook, Dervishi shprehet se shumica e ministrave kanë probleme të rënda organizimi lëndor, pra u mungon elementi informues dhe se janë të tejmbushura me hollësi të panevojshme.
“Shoqërohen me lëvdata për aftësi të jashtëzakonshme organizative, pa pikë modestie. Nuk lënë kurs njëjavor e seminar pa evidentuar e ndonjë artikull gazete të shkruar. Mosrespektim i frikshëm administrativ”, shkruan ndër të tjera historiani.
Postimi i plotë:
Biografive të ministrave të rinj u mungon informacioni
Si njeriu që kam gjithë statistikën biografike të drejtuesve të shtetit shqiptar, lexova dhe administrova jetëshkrimet e ministrave të rinj. Shumica e tyre kishte probleme të rënda organizimi lëndor, u mungon elementi informues. Ishin të mbushura me hollësi të panevojshme, por nuk përfshinin ato të rëndësishmet. Disa nuk dihet kur janë arsimuar, të tjerë nuk kanë vitet e detyrave të mëparshme. Nuk vënë as ditëlindjen. Shoqërohen me lëvdata për aftësi të jashtëzakonshme organizative, pa pikë modestie. Nuk lënë kurs njëjavor e seminar pa evedetuar e ndonjë artikull gazete të shkruar. Mosrespektim i frikshëm administrativ. Prezantimi biografik para publikut është arsimi, funksionet dhe krijimtaria e personit.