Me propozim të OSHEE, Këshilli Mbikëqyrës miratoi shtyrjen e afatit për skemat lehtësuese të pagesës me këste për abonentët familjarë dhe jo-familjarë.
Konkretisht u vendos afati i vlefshmërisë deri me 31 dhjetor 2017, të së drejtës për të hyrë në marrëveshje për pagesën me këste të detyrimeve te prapambetura. Në këto skema përfshihen detyrimet e krijuara nga 1 janar 2007 deri në 31 dhjetor 2016
Sipas skemës, konsumatorët familjarë që shprehin vullnetin të kryejnë pagesën e menjëhershme të detyrimit mund të lidhin aktmarrëveshje duke përfituar reduktim kamate në masën 70%.
Për familjarët që duan të paguajnë gradualisht borxhin e tyre, aktmarrëveshja parashikon shlyerjen me këste fikse mujore në vlerën 1200 lekë në muaj kur janë në ndihmë ekonomike dhe 2800 lekë në muaj për familjet e tjera.
Vendimi parashikon lehtësi edhe për biznesin. Kompanive që pranojnë të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin u falet gjysma e kamatëvonesës, ndërsa ato të cilat nuk mund ta shlyejnë dot borxhin njëherësh do ta paguajnë më këste në varësi të shumës së detyrimit që kanë ndaj OSHEE.
Shlyerja më këste e faturave të prapambetura u prezantua për herë të parë në dhjetor të vitit 2014. Sipas OSHEE, deri më tani janë lidhur mbi 429 mijë aktmarrëveshje më abonentët familjarë dhe bizneset.