Ndodhemi në orët e fundit të afatit për regjistrimin e partive politike, për zgjedhjet që do të zhvillohen në qershor, por duket se kemi të bëjmë me një krizë politike në vend.
Kështu, ditën e hënë skadon afati për regjistrimin e partive në zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa janë të paktën 20 forca politike të opozitës, të cilat nuk janë përfshirë ende në proces, shkruan VOA.
Orët e ardhshme pritet të jenë intensive, teksa synohet të arrihet një takim mes liderve të forcave politike në vend, takim ky që duket se mbeti vetëm teorik.
Të ftuar në studio të ndryshme televizive, Rama dhe Basha, pranuan parmbrëmë se kanë nisur kontaktet për mbajtjen e një takimi që synon zgjidhjen e krizës politike, e cila mban prej 7 javësh në protestë të djathtën.
Nga ana tjetër, Ilir Meta, foli në një tjetër studio, ku u bëri thirrje drejtuesve të dy forcave kryesore politike në vend që të arrinin një marrëveshje, e cila do t’i garantonte vendit, zgjedhje të pranuara nga të gjithë palët.
Dje, Basha iu përgjigj ftesës së Ramës, duke i thënë se e mirëpret në çadër me dorëheqjen e firmosur.
Pavarësisht vullnetit të shprehur nga palët për nisjen e një dialogu, ai duket i vdekur që në lindje.