Në Tiranë vijon ushtrimi i aktivitetit të kundraligjshëm të lojërave të fatit. Ditën e sotme janë proceduar penalisht 6 persona për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 laptopë.
Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 6, proceduan në gjendje të lirë shtetasit:
– I. M., 41 vjeç dhe S. Ç., 65 vjeç, pasi në rrugën “Foto Xhavella”, në një lokal, ushtronin aktivitet të basteve sportive. Në cilësinë e provës materiale u bllokua një laptop.
– B. N., 36 vjeç dhe M. M., 25 vjeç, pasi rrugën “Foto Xhavella” në një lokal ushtronin aktivitet të basteve sportive. Në cilësinë e provës materiale u bllokua një laptop.
– L. Q., 38 vjeç dhe H. M., 57 vjeç, pasi në rrugën “Sokrat Miho”, në një lokal ushtronin aktivitet të basteve sportive. Në cilësinë e provës materiale u bllokua një laptop.
Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun Tiranë deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme.