Qindra studentë janë mbledhur te Korpusi, ku do zhvillojnë një protestë ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Organizimi ka nisur te Rektorati në sheshin “Nënë Tereza” në orën 09:30 nga ku më pas studentët do të marshojnë në drejtim të Ministrisë së Arsimit për të nisur protestën në ditën e pestë. Studentët fillimisht kishin vetëm katër kërkesa, ndërsa dje e çuan në tetë numrin e kushteve për ministren Lindita Nikolla.
Studentët janë shprehur se pa përmbushjen e kërkesave nuk do ndërpresin protestën, ndërsa që i kanë bërë thirrje politikës që të mos tentojë të bashkohet me tubimin. Sot është data 8 dhjetor, Dita e Rinisë, e vendosur me një vendim të 2009 të Kuvendit për të kujtuar studentët e Dhjetorit të 1990. E ndërsa kanë kaluar 28 vite nga ajo ditë, studentët sot kjo datë i gjen në protestë, pasi kërkojnë mbi të gjithë përgjysmimin e tarifave të studimit.
Kërkesat e para të studentëve
1. Anulimi i pikës 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura (Pika e 4 e vendimit u shfuqizua nga qeveria)
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit. (grup pune për të negociuar)
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve. (grup pune për të negociuar)
4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. (grup pune për të negociuar)
Tetë kërkesat e Këshillit Studentor që iu dërguan ministres Nikolla
Përgjysmim i tarifës së studimit
Rritje në 50% e votës për zgjedhjen e dekanëve e rektorëve
Në bordin e administrimit të shtohet përfaqësi e studentëve
Mbështetja e studentëve për kërkime shkencore
Mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde
Përmirësim i kushteve të konvikteve
Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë
Pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-19