Deklarata e ambasadorit Donald Lu për peshqit e mëdhenj është risjellë në vëmendje nga avokati Spartak Ngjela. Në një postim në rrjetet sociale “Facebook”, Ngjela shkruan se shqiptarët po presin të fillojë “vallja e vdekjes” së korrupsionit në këtë vit dhe prova sipas tij është shpërthimi i Bashës dhe Berishës në parlament.
“Do shihni ditë për ditë sjelljen e tyre banale, nga kërcënimi me revolucion e deri te akuzat kundër prokurores, në fillim, dhe komisioneve të Vetingut e SPAK- ut, më pas; do shihni mbrojtjen e gjyqtarëve të korruptuar dhe, në fund fare, akuzën kunder politikës amerikane: në fakt, do të shihni komedinë qaramane të atyre që kanë sjellë tragjedinë aktuale shqiptare- varfërinë ekstreme”, shkruan ndër të tjera avokat Ngjela.
Postimi i plotë i Spartak Ngjelës
Shqiptarët po presin të shohin “vallen e vdekjes” së korrupsionit në këtë vit. Do ta shohin shumë shpejt. Dhe, nëse ngrihet pyetja: ku e kemi provën që kjo fillon shumë shpejt?
Përgjigja është e qartë dhe krejt po me një pyetje: a e patë tërbimin gjithë frikë të Saliut dhe Bashës me të tjerë në seancën parlamentare të zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme?
Ata donin të mësynin dhe të digjnin Parlamentin. Po pse?
Tani ka filluar frika të përhapet kudo. Aktet e Prokurores do të vijojnë; kurse frika e të korruptuarve do të rritet.
Do shihni ditë për ditë sjelljen e tyre banale, nga kërcënimi me revolucion e deri te akuzat kundër prokurores, në fillim, dhe komisioneve të Vetingut e SPAK- ut, më pas; do shihni mbrojtjen e gjyqtarëve të korruptuar dhe, në fund fare, akuzën kunder politikës amerikane: në fakt, do të shihni komedinë qaramane të atyre që kanë sjellë tragjedinë aktuale shqiptare- varfërinë ekstreme.
Shqiptarët duan ta shohin fillimin e goditjes pa dalë dimri 2017-2018; dhe po kërkojnë plot arsye të shohin faktin ose shenjën e nisjes së valles.
Ata janë të varfëruar në ekstrem nga vjedhja e korrupsionit dhe po presin që të nisë moraliteti në qeverisjen shqiptare. Moralitet ky që nuk e kanë pasur kurrë.
Por tani po e presin këtë si ndihmë amerikane. Po të kenë moralitet në qeverisje dhe një ndihmë fillestare financiare, shqiptarët janë të aftë të bëjnë gjithçka drejt prosperitetit të tyre. Dhe nëse më pyesni se ku e gjen ti këtë, unë ju tregoj vitalitetin e emigracionit shqiptar në Perëndim.
E pra, për këtë arsye, shqiptarët po presin dhe duan provën e prekshme të antikorrupsionit.
Në fakt kjo është psikologjia popullore e çdo shoqërie, dhe veçanërisht, sidomos e shoqërive të cilat kanë bërë një rrugë historike nga zhgënjimi në zhgënjim. Realisht, saktë kjo ka qënë edhe rruga e shqiptarëve në 100 vjet: nga zhgënjimi në zhgënjim, madje edhe më keq se kaq. Prandaj ata duan shenjën që t’iu provojë të vërtetën.
Atëherë, në funksion të kësaj, shqiptarët duan shenjat e nisjes së ‘valles’ që këtë muaj me gjyqtarët – a do ta kenë këtë shenjë?
Sigurisht që do ta kenë, por këtë duhet t’ua përforcojë edhe politika amerikane.
Dhe ajo patjetër që do t’ua përforcojë. Sepse është koha që po e kërkon. Dhe e dini pse? Sepse të korruptuarit e mëdhenj dhe me pushtet abuziv, kanë hedhur në veprim të gjithë zërat e tyre të blerë mediatikë që, në korr, të thonë se “nuk ka Reformë, të gjitha janë kot dhe fjalë boshe”.
Kjo realisht tregon se të gjithë këta janë në hall. Por s’kanë as mend. Po politika amerikane, a duhet t’iu përgjigjet? Sigurisht që po.
Dhe e dini pse është krijuar ky korr mediatik antireformë? Për hakmarrje kundrejt politikës amerikanë dhe me ndjenjën e ligë që të fyejnë shqiptarët për t’iu thënë se: “Asgjë nuk do të ndodhë, dhe mbretërit tuaj këta do jenë, këta që janë sot”, domethënë, këta që kanë sunduar do të vijojnë të sundojnë – domethënë i gjithë ekipi që sot është nën presionin e penalizimit të tij.
Ky që zhvillon këtë zhurmë kotësie, në fakt, është ekipi më i lartë i korrupsionit shqiptar.
Por duhet të kujtohemi se në prag të kapitullimit, të gjithë regjimet e korruptuarë dhe të inkriminuarë fillojnë dhe pompojnë opinionin publik me “sigurinë” se ata janë të pamposhtur.
Psikologjia moderne këtë që kanë bërë me radhë të humburit e pushtetit politik, e ka konsideruar si një forcë psikikë e sëmurë që lind nga frika e humbjes dhe nga hakmarrja ndaj atyre që presin shkatërrimin e korrupsionit..
Kështu duket se janë sot edhe birboret e falimentuar të Shqipërisë politike, që nuk duan të dorëzojnë gjënë e vjedhur me forcën e pushtetit. Por i gënjen mendja, se janë krejt në jerm e në frikë.
Ja, këtë i kërkojnë shqiptarët politikës amerikane: shenjat e testit që vallja e vdekjes së korrupsionit fillon pa dalë dimri.
Dhe kanë të drejtë se e dinë që korrupsioni është bashkuar për të bllokuar Reformën.
Por përcaktimin më të qartë e bëri amabadadiri anerikan në Tiranë, Donald Lu, në dhjetorin që kaloi, kur tha : “reforma nuk ka vdekur, por kanë vdekur të korruptuarit e mëdhenj, që nuk iu është bërë ende varrimi”.
Kjo tregon se Uashingtoni e ka të qartë atë që kërkon kjo kohë e cila po nis fshesën kundër korrupsionit shqiptar.
Sigurisht që e ka të qartë, dhe kuptohet se i ka marrë masat; por gjithsesi nuk duhet të besojë askënd në Shqipëri pa prekur faktin.
Gënjeshtra është filozofia e korrupsionit shqiptar. Dhe mos mendoni se ka nisur në këta 20 vjet. Jo, gënjeshtra dhe korrupsioni janë bashkëudhëtare të shtetit shqiptar. Por, këta që kanë filluar vallen e vdekjes janë të fundit gënjeshtarë ekstremistë, por që tani nuk kanë më fuqi.
Nuk kanë më fuqi, se ndërkohë rezultojnë të kapur nga hetimi ndërkombëtar. Të gjitha faktet tani janë në dorë të Uashingtonit, prandaj Korrupsioni i lartë shqiptar po rreket që të shpëtojë i shtyrë nga fantazia shterpë që ka dhe, sidomos, nga idea se ” në Shqipëri jemi ne, dhe jashtë nesh nuk mund të ketë një aleancë shqiptaro-amerikane”.
Eh, mor të mjerë, ju keni ikur, po ku dini ju se ç’është historia e interesit dhe forcës në politikë. (!)
Nuk pranohen më nga e gjithë politika perëndimore, autorët e spikatur të korrupsionit shqiptar, prandaj duhet të ikni.
Sa mendoni që do të jetë numuri i të penalizuarëve të korrupsinit?
Do të jenë thuajse sa numuri i të penalizuar në Rumani: rreth 1000 persona. Janë politikenë të të gjitha rangjeve kryeministra, ministra e deputetë; kryetarë bashkish në 10 vjetët e fundit, biznesmenë të klientelave kryeministrore; drejtorë doganash dhe drejtorë tatimtaksash e të tjerë si këta.
Natyrisht brenda natyrës gënjeshtare sunduese këta kanë ekstremizuar varfërinë shqiptare; sepse kanë përgjysmuar të gjitha të ardhurat shtetërore dhe të gjitha pronat shtetorore; por kanë uzurpuar me dhunë dhe mijëra hektarë truall e tokë me anë të kërcënimit që iu kanë bërë pronarëve të ligjshëm duke iu caktuar përqindje për çdo hektarë të kthyer, madje kanë krijuar edhe pronarë nga hiçi.
Në fakt; ky është sot blloku nacional antireformë.
Ishte ambasadori amerikan Donald Lu ai që ua bëri të ditur shqiptarë disa ditë më parë se të dy krahët e politikës shqiptare kanë penguar Reformën në Drejtësi.
Shumë mirë bëri, por, që shqiptarët të shohin testin e pritur; duhet që vetë politika amerikane të ekspozojë faktet kriminale që ka për të gjithë.
Ajo që duhet të kuptohet qartë nga politika ametikane është fakti që shqiptarët e besojnë shumë Uashingtonin, prandaj faktet e ekspozuara për bandën elitare të korruptuar të të dy krahëve të politikës shqiptare, krijojnë ressentiment në gjirin e shoqërisë shqiptare.
Zoti Lu, kaq duhet! Pastaj do shihni se çfarë është frika e Berishës dhe Ramës që hidhen në tel dhe bllokojnë Reformën.
Duhet që nëpërmjet ekspozimit të fakteveve të abuzimit me pushtetin të krijohet ressentiment-i i shoqërisë shqiptare, tamam në pragun e arritjes së moralitetit në qeverisje.
Dhe kjo do të arrihet sepse këtu qëndron thelbi i Reformës shqiptare në Drejtësi: mbyllja e kapitullit të mosndëshkueshmërisë.