Sherri që përfundoi me dy të vdekur në Patos ka nisur për shkak të një historie dashurie mes viktimës dhe motrës së autorit të krimit.
Të vdekur mbetën shtetasit Elis Kapaj, 22 vjeç, dhe Manol Rrapaj, 26 vjeç, banues në Patos. Ndërsa personi i dyshuar që qëlloi për vdekje është Martin Skendaj, 22 vjeç, punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier.
Sipas “ABC News”, motra e Martinit ka qenë e dashuruar me viktimën Manol Rrapaj. Mirëpo, familja e vajzës nuk ka qenë dakord për lidhjen e saj me komshiun, ndërsa martuan në fshatin Panahor të Ballshit.
Më pas ajo u divorcua dhe erdhi në Kuqar tek prindërit, por ata e lanë të jetonte në një banesë më larg nga ajo e tyre.
Pak ditë më parë, dy familjet janë zënë, por ndërhyrja e menjëhershme e policisë bëri që sherri të mos përfundonte me të lënduar.
Mëngjesin e ditës së djeshme, kur ndodhi edhe ngjarja e rëndë, ata janë konfliktuar sërish. Në një moment, Martini mësohet t’i jetë drejtuar të atit me fjalët: “Baba, lëre nuk na i ka fajin komshiu, por motra që i shkonte në shtëpi”.
Një nga banorët ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen, i cili bën fajtore vajzën. Një nga fqinjët është shprehur se pak ditë më parë, dy familjet qëlluan njëri-tjetrin me sëpatë, por që ndërhyri Policia. Ndërsa shtoi se vëllai i vajzës, Martin Skëndaj ka gjetur rastin për ta vrarë të dashurin e motrës së tij.
“Familjet që të dyja janë të mira, por fajtore u bë vajza. Ajo ishte e martuar, i vinte në krevat natën këtij çunit, ishte beqar (viktima) ajo ishte e martuar. Mirëpo e gjeti e ëma e djalit atë botin, ja edhe tani ajo bërtet “kurvë, kurvë”, e gjeti në krevat, aty filloi sherri. Lajmëruan policinë, edhe parmbrëmë u rrahën me sëpatë, edhe tani erdhën dhe morën të atin. Ai ruajti rastin dhe erdhi dhe e vrau, por që vrau edhe kushëririn që kishte ardhur nga Gjermania për ta takuar”, tha banori.