Tregu i bimëve mjekësore vijon të ruajë tendencën rritëse, jo vetëm në tregjet globale, por edhe në vend. Aktorët e tregut parashikojnë se rritja në 2018-n do të jetë 7-8%, edhe pse janë goditur fort për shkak të zhvlerësimit të valutave. Sfidat për këtë sektor, që është gjenerator punësimi në zonat rurale, janë të shumta. Lufta për tregje me fqinjët, që përfitojnë subvencione më të larta, është e fortë. Ata janë në përpjekje të vazhdueshme për të orientuar fermerët, të cilët vijojnë të kultivojnë në mënyrë kaotike…
Nga: Ledina Loga
Rudina Hyka u zhvendos përpara tre viteve nga alpet dhe klima malore e Zvicrës, në kodrat e Kepit të Rodonit. Me vete solli bulbet e bimës më të shtrenjtë që ka njohur njerëzimi, shafranit. Bima e shafranit prodhon një erëz kualitative, e cila mbillet në parcela të kontrolluara dhe nuk është kulturë masive. E veçanta e kësaj bime është se gjenetika e saj është e pandryshuar prej 5000 vitesh.
Ëndrra e një kultivuesi të shafranit është që të arrijë objektivin prej 1 kilogramësh. Fillimisht, Rudina e ndërmori këtë nismë duke synuar tregun vendas dhe aktualisht ajo ka individë që kërkojnë erzën për qëllime vetjake. Vetëm 1 gramë e kësaj bime kushton mesatarisht 30 euro. Për të prodhuar një kilogram shafran (i cili ka një vlerë të përafërt 30 mijë euro) nevojiten rreth 200 mijë bulbe.
Në kodrat e Kepit të Rodoni, Rudina ka mbjellë një sipërfaqe prej 4,250 metra katrorë tokë dhe numëron afërsisht 70 mijë bulbe të kësaj bime. Ajo ka zgjedhur një sipërfaqe toke të virgjër, të pakultivuar më parë nga dora e njeriut, e cila mundëson një prodhim bio të shafranit. Në vitin e parë të prodhimit, rreth 60% e bulbeve lulëzojnë, i cili rritet më tej në vitin e dytë dhe të tretë, deri sa stabilizohet dhe bie pas vitit të katërt.
Rudina është angazhuar vetë në këtë aktivitet, ajo punëson herë pas here sipas nevojës së sezonit, gra nga zona përreth. Puna për grumbullimin e erzës së shafranit kërkon kujdes dhe proceset janë delikate.
Për Rudinën, ecuria e këtij aktiviteti ka qenë pozitive. Së fundmi, ajo po përpiqet që të lidhë kontrata me tregun jashtë, për të cilin thotë se vështirësitë janë të mëdha. Nuk është e lehtë të depërtosh në një treg ku konkurrenca është e lartë. Rudina thotë për “Monitor” se fermerët që kanë kultivuar shafran në Kosovë dalin me një çmim prej 5 eurosh për gramë. Sipas saj, arsyeja është subvencioni që marrin nga shteti.
Tregu i bimëve mjekësore në Shqipëri ka njohur rritje të vazhdueshme, veçanërisht në eksporte. Mbi 90% e bimëve mjekësore që kultivohen, grumbullohen dhe përpunohen në vend janë të destinuara për tregun e huaj, kryesisht drejt Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Janë qindra lloje bimësh, të cilat grumbullohen në zona rurale nga mijëra individë. I gjithë sektori po gjeneron vende pune dhe po fuqizon banorët e zonave rurale.
Tregu jashtë në tkurrje, eksportuesit mbeten optimistë
Filip Gjoka, president i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, e shikon në rritje të gjithë industrinë. Ndërsa për 2018-n, ai parashikon zgjerim të industrisë me 7-8%.
Gjatë vitit 2017 janë eksportuar 13,275 tonë bimë mjekësore, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Në vend operojnë rreth 35 kompani, të cilat merren me eksportimin e bimëve mjekësore, të shtrira në të gjithë qarqet e vendit. Eksportet e bimëve mjekësore llogariten 3.5 miliardë lekë, nga 3.9 miliardë lekë që ishin një vit më parë. Ndërsa në vetëm pesë muajt e parë të vitit 2018, sasitë e eksportuara përllogariten rreth 5,126 tonë. Sipas të ardhurave të deklaruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania që ka gjeneruar më shumë të ardhura është Filipi Co, ndërsa sasia e eksportuar llogaritet rreth 718 tonë. Filip Gjoka, administrator i kompanisë, thotë për “Monitor” se fillimisht eksportonte bimë mjekësore për kompanitë europiane, kryesisht në Gjermani, të cilat i rieksportonin bimët “Made in Albania” në Amerikë. Më vonë, Gjoka do të lidhte kontrata direkte me tregun amerikan.
Ecuria dhe potenciali i tregut për këtë sektor është i lartë. Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës përllogariten 643 milionë lekë dhe përgjigjen për 18% të totalit të eksporteve. Gjermania ka peshën më të lartë të eksporteve. Rreth 31% e eksporteve të bimëve mjekësore “Made in Albania” shkojnë drejt Gjermanisë. Rreth 70% e eksporteve shqiptare shkojnë në vende anëtare të Bashkimit Europian.
Sfidat, të shumta
Xhevit Hysenaj, administrator i kompanisë AlbKalustyan, u shpreh se për të gjithë sektorin, kërkesa është rritur. Për ta, sfida më e madhe është të ruajnë cilësinë e kërkuar, pa rënë nga niveli i standardit që kanë vendosur. Hysenaj shton se edhe pajisja me lejen e vjeljes, e cila jepet nga Ministria e Mjedisit, është një vështirësitë që hasin grumbulluesit.
Pjesa më e madhe e grumbulluesve e bëjnë pa u pajisur, kërkohen shumë dokumentacione dhe ka vonesë në dhënien e tyre. “Nëse kjo procedurë do të ishte më e shpejtë, do të nxitej pajisja e fermerëve dhe grumbulluesve dhe do të rritej formaliteti”, – thotë z. Hysenaj.
Problematikat për Arif Daçin, administrator i kompanisë Agroherbal, janë të larmishme. Në radhë të parë janë investimet e ulëta që po bëhen në këtë sektor për sa i përket përpunimit dhe përzgjedhjes së bimëve mjekësore. Një tjetër problem është edhe rimbursimi i TVSH-së. Bizneset që operojnë në sektorin e bimëve mjekësore janë të cilësuara si biznese pa risk, por po hasin vështirësi me procedurat burokratike për rimbursimin e TVSH-së.
Këto vonesa ju krijojnë vështirësi. Ata kërkojnë vetëm të zbatohet ligji, kështu do të rritej edhe formalizimi.
Edhe për Kujtim Zeren, administrator i Albanian Herb sh.a., diferenca në kohë e rimbursimit është disi problematike. Ai shton se procedura është burokratike dhe kjo krijon vonesa.
Kursi i këmbimit, problem për eksportuesit
Rreth 70% e eksporteve të bimëve mjekësore shkon drejt Eurozonës, ndërsa pjesa tjetër, drejt Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë. Monedhat kryesore, euro dhe dollari, kanë pësuar rënie pikiatë gjatë 2018-s, duke vazhduar tendencën që kishte filluar që të ndihej që një vit më parë. Për eksportuesit e prodhimeve “Made in Albania”, rënia e euros ka qenë një goditje. Të kontaktuar nga “Monitor”, ata thonë se për shkak të zhvlerësimit të monedhave, fitimet e tyre janë tkurrur. Nga rreth 140 lekë që ishte stabilizuar në periudhën 2010-2015, euro ka zbritur nën 130 lekë, në rreth 127 lekë aktualisht.
Në javën e fundit, kursi i këmbimit euro/lek pësoi luhatje të fortë, ku pas forcimit me rreth 4 lekë të euros, monedha e përbashkët hyri sërish në trend rënës, duke krijuar konfuzion në treg.
Për një biznes që kryen afërsisht rreth 1 milion euro këmbime në një muaj, rënia e euros ka pasur ndikim domethënës. Arif Daçi, administrator i Agroherbal, që merret me eksport të bimëve mjekësore, thotë se kjo do të tkurrë fitimet e kompanive të bimëve mjekësore. Kursi i këmbimit është i disfavorshëm për të gjitha bizneset në rast se është i paqëndrueshëm, edhe në rast ulje drastike, por edhe ngritje drastike. Bizneset kërkojnë stabilitet të tij.
Kujtim Zere nga Albanian Herb sh.a., thotë për “Monitor” se për çdo dollar merr 20 lekë më pak. Për 1 milion dollarë, ai ka pasur 20 milionë lekë humbje. Kjo humbje ka prekur fitimin e kompanisë së tij, si dhe do ta kufizojë z. Zere që të zgjerohet dhe të investojë në kompani. Ai tha për “Monitor” se për të amortizuar humbjen nga këmbimi valutor do të ulë çmimin këtu dhe do të rrisë çmimet jashtë. Por, me këtë masë, rrezikon që të bëhet më pak konkurrues në tregjet ndërkombëtare.
Edhe për Gjergji Çibukun, administrator i kompanisë Çibuku, që operon në Qarkun Korçës, humbjet nga konvertimi kanë qenë të mëdha. “Unë për 400 mijë euro eksport kam humbur 5 milionë lekë. Kjo na shkatërron, do të ulen fitimet, do të bjerë edhe te grumbulluesi, ne nuk blejmë dot me ato çmime”, tha Çibuku.
Eksportuesit e bimëve mjekësore dhe aromatike vazhdimisht kanë ngritur shqetësimin në lidhje me kursin e këmbimit. Për Filip Gjokën, administrator i kompanisë Filipi, njëkohësisht edhe president i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, kompanitë e grumbullimit, përpunimit dhe eksportimit të bimëve mjekësore e estero-vajore, me kursin aktual kanë një humbje vjetore që llogariten në disa miliona lekë. Situata e krijuar do të sjellë shkurtimin e vendeve të punës, si dhe uljen e investimeve në përpunimin e standardizimin e produkteve, sipas tyre.
“Monedha europiane euro, krahasuar me lekun, ka arritur pikën më të ulët të këmbimit që nga viti 2008. Rënia e Euros në kuotën e 126.8 lekeve, nga 139 — 140 që ishte para 5-6 vitesh ka dhënë e vazhdon të japë ndikime mjaft negative për bilancet e sipërmarrjeve që punën e të ardhurat e tyre i kanë të mbështetura në eksportet e produkteve të krijuara. Kuptohet se mbiçmimi i euros ka ardhur nga një stabilitet i rritjes ekonomike, nga rritja e investimeve të huaja, nga remitancat që vijnë nga emigrantët, të hyrat nga vizitorët e turistët etj.”,- tha më tej z. Gjoka.
Kursi i këmbimit ka prekur 12-13% të fitimit të kompanisë. Xhevit Hysenaj, administrator i kompanisë AlbKalystan, thotë se nuk kanë asgjë në dorë dhe se do të përpiqen që ta përballojnë humbjen. Nuk mund të prekin çmimet as të furnitorëve dhe as të klientëve, pasi tregu është i ndjeshëm.
Sipas një analize të mëparshme të revistës “Monitor”, theksohej se rënia në pikiatë e valutave kryesore në vend ka prekur ndjeshëm kompanitë eksportuese shqiptare. Humbjet e eksportuesve, për shkak të kursit të këmbimit, llogariten deri në 120 milionë euro këtë vit, ndërsa eksportuesit janë dorëzuar përpara ecurisë së kursit të këmbimit.
Gjenerator punësimi
Rreth 90 mijë individë janë të punësuar indirekt në industrinë e bimëve mjekësore dhe aromatike. I gjithë sektori numëron me mijëra të punësuar direkt. Filip Gjoka, administrator i kompanisë Filipi dhe njëkohësisht president i shoqatës, thotë për “Monitor” se e gjithë industria është një gjenerator punësimi për zonat rurale. Vetëm në kompaninë e tij ai numëron mbi 100 të punësuar direkt me kohë të plotë dhe 3500 familje që nxjerrin të ardhura nëpërmjet punësimit sezonal në kompaninë e tij.
“Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike ka ndikim të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, me rreth 45 milionë dollarë eksporte në vit dhe 90.000 individë si grumbullues, fermerë, përpunues, eksportues, të punësuar kryesisht në zonat rurale, duke ndikuar ndjeshëm në uljen e papunësisë në këto vende. Ne jemi sektori i vetëm në vendin tonë që realizojmë eksporte direkte, si produktet e bimëve mjekësore dhe aromatike në tregun e huaj europian dhe atë amerikan”, – tha z. Gjoka.
Edhe Gjergji Çibuku, administrator i kompanisë Çibuku në Korçë, ndër më të mëdhatë në vend, ka të punësuar direkt rreth 20 individë, ndërsa indirekt janë të punësuar mbi 1000 individë të zonës që grumbullojnë bimë mjekësore.
Kujtim Zere nga Albanian Herb sh.a., llogarit se numri i të punësuarve indirekt në kompaninë e tij, grumbulluesit e lirë, është 1500-2000, në varësi të sezonit.
Në kompaninë Agroherbal punësohen direkt 35 persona, ndërsa personat e punësuar indirekt janë me mijëra, tregon Arif Daçi. Biznesi i bimëve mjekësore fuqizon banorët vendas të zonave rurale, të cilat merren me grumbullimin e tyre. Sipas zotit Arif Daçi, rreth 90% e të ardhurave shkojnë te grumbulluesit.
Kultivuesit “kopjacë”
Në rrugën që lidh qytetin e Gramshit me fshatin e Sotirës nuk mund të mos ta vjedhin vështrimin ngastrat e panumërta në faqet e kodrave të mbjella me levandula. Faqet e kodrinave të asaj zone nuk kanë më ngjyrën e gjelbër tipike, por të purpurtën e levandulës. Gjegji, banor i fshatit Sotirë të Gramshit, tregon se u nxitën të mbillnin levandulën për shkak të çmimit të lartë. “Dikur levandulën e shisnin për 400 lekë për kilogram, sot vlera e një kilogrami është 50-100 lekë, në rast se gjendet një blerës”, tha Gjergji, banor i zonës.
Filip Gjoka, president i Shoqatës, e shikon këtë si një problem të industrisë. Fermerët e zonave rurale, nxitur nga një kërkesë momentale e tregut, nxiten të mbjellin masivisht kultura, të cilave iu bie çmimi në mënyrë drastike.
Një rast i tillë, si ai i levandulës, është edhe sherebela. Gjoka shpjegon se fermerët, për shkak të çmimit të lartë në një moment, u nxitën të mbillnin masivisht sherebelë. Më pas çmimi ra në tregjet ndërkombëtare. Problemi tjetër me kultivimin e sherebelës ishte se ajo dëmtoi markën e sherebelës së egër autoktone shqiptare.
Gjoka thotë se hasin shpesh vështirësi që të bindin fermerët se çfarë të mbjellin. Ai argumenton se fillimisht duhet që kompanitë të sigurojnë tregjet jashtë, duke lidhur kontrata dhe më pas, të orientohet prodhimi.
Edhe për Arif Daçin, administrator i kompanisë AgroHerbal, rënia e çmimit për kultura të caktuara ka ardhur si pasojë e mbjelljes pa planifikim dhe kontrollim të kulturave të caktuara. Daçi dha si shembull mbjelljen e sherebelës, e cila në një moment piku të kërkesës nga jashtë, u mboll masivisht në çdo vend të Shqipërisë, nga veriu deri në fushat e Myzeqesë në Lushnjë, me farë dhe fidanë jocilësorë. “Në këto raste, kur palët nuk janë të mirorientuara, krijohen stok dhe prishet cilësia, tha z. Daçi.
Kujtim Zere, nga Albania Herb sh.a., thotë se u bë një gabim, duke qenë se prodhimi nuk u komandua nga ne, në bazë të planit dhe kontratave që kanë ata.
Gjergji Çibuku, aktor tregu, shpjegon se tregu u ngop për shkak të superprodhimit. Ndryshe nga tregjet lokale, ato globale kërkojnë një vëmendje më të gjerë.
“Ne iu themi fshatarëve mos e mbill çajin, nuk ka kërkesë, ata e mbjellin masivisht nxitur nga një moment, tha Çibuku,
Hapa para…
Megjithatë, kompanitë që operojnë në këtë industri po përpiqen që të vendosin pak rregull në tregun kaotik të fermerëve. Të gjitha kompanitë deklarojnë se kanë lidhur kontrata paraprake me fermerët e zonës. Filip Gjoka, president i Shoqatës dhe administrator i kompanisë Filipi, që operon në treg për më shumë se 20 vite, thotë se ka lidhur kontrata paraprake me fermerët që ai bashkëpunon. Në këtë mënyrë, ata sigurojnë tregun për bimës si sherebela, trumza apo rigoni. Kompania e tij numëron mbi 300 kontrata paraprake me fermerët.
Xhevit Hysenaj, aktor tregu, thotë se kanë lidhur kontrata pesëvjeçare me fermerët. Në këtë mënyrë, synojnë që t’i ofrojnë stabilitet dhe siguri fermerit, duke e nxitur atë në prodhimin e kulturave të caktuara. Kështu nxisin edhe fuqizimin e grupeve të fermerëve.
Kujtim Zere, administrator i Albanian Herb sh.a., thotë se ka lidhur paraprakisht 400 të tilla.
Falë kontratave, ata kanë mundësi edhe që të kontrollojnë tregun, edhe ta orientojnë në varësi të kërkesës ndërkombëtare.
Lufta për tregje me fqinjët
Konkurrenca për të kapur tregjet globale është e fortë në të gjithë rajonin. Vendet e ish-Jugosllavisë, si Bosnja, po përpiqen që të fitojnë terrenin e humbur gjatë konflikteve të gjata etnike. Ndërsa Greqia konkurron fuqishëm për shkak të subvencioneve që merr nga shteti, duke dalë në treg me një çmim shumë të ulët krahasuar me Shqipërinë.
Për sa i përket Maqedonisë, aktorët e tregut shprehen se po i konkurron fuqishëm si në cilësi, ashtu edhe në çmim.
Në Greqi, arrijnë që ta nxjerrin rigonin me një çmim më të ulët dhe dalin më konkurrues, thotë Kujtim Zere i Albanian Herb sh.a. Sipas tij, organizimi dhe tokat e mbjella në sipërfaqe më të mëdha, mekanizimi në grumbullim janë faktorë që ata dalim me çmim më të lirë. Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë nga ekonomia e shkallës.
Çmimi madje del më i lirë se sa kompanitë shqiptare arrijnë që ta mbledhin nga grumbulluesit. “Mali i Zi dhe Bosnja po fitojnë tregjet e humbura gjatë luftës në vendet e ish-Jugosllavisë, ndërkohë që subvencionet atje janë shumë të fuqishme. Kompanitë shqiptare po sforcohen që të mos humbasin terrenin e fituar” u shpreh Xhevit Hysenaj, administrator i kompanisë AlbKalustyan. Megjithatë, aktorët e tregut shprehen se po rrëmbejnë tregjet që dikur kishte Bullgaria dhe Rumania, për sa i përket lules së blirit. Duke qenë se këto vende janë bërë pjesë e Bashkimit Europian, popullsia e tyre ka emigruar masivisht në BE dhe po hasin vështirësi me fuqinë punëtore. Këtë vështirësi e ndiejnë dhe aktorët që operojnë në Shqipëri.
Tendenca e tregut
Numërohen me qindra lloje të ndryshme të bimëve që kompanitë shqiptare eksportojnë. Si çdo biznes, edhe ky ka uljet dhe ngritjet e veta, tregon Arif Daçi, por e rëndësishme është që kërkesa nga klientët e huaj është rritur. Mbi 96% e produktit është e destinuar për tregjet e huaja.
Aktualisht, sipas presidentit të Shoqatës, Filip Gjoka, ka kërkesë për sherEbelën, çmimin e së cilës e parashikon në rritje këtë vit, për rigonin, i cili po mblidhet si kulturë masive në Belsh dhe në Koplik. Në këtë të fundit, fermerët po e kultivojnë duke përdorur pleh organik dhe cilësia do të jetë e lartë.
Kujtim Zere, nga Albanian Herb sh.a., thotë se çmimi për një kg të rigonit varion nga 250 – 300 lekë për kilogram. Kërkesa për erëza sipas tij është rritur, duke qenë se përdoren masivisht në kulinari.
Tendencë në rritje të kërkesës ka pasur edhe për bimët që përdoren në farmaceutikë, duke qenë se po kërkohen gjithnjë e më shumë ilaçe me bazë bimore, si dhe bimët që përdoren për çajëra. Aktorët shpjegojnë se me rritjen e informacionit tek individët në vend është rritur edhe kërkesa për bimë mjekësore. Kujtim Zere thotë se ka filluar të rritet kërkesa edhe brenda vendit, ka shumë pika supermarketesh që tregtojnë bimë mjekësore. (Burimi:Monitor)