Nga Besnik Dizdari
Në numrin e saj të së shtunës, gazeta “Panorama Sport”, me një ndjenjë të sinqertë atdhetarie, në gati krejt faqen e saj të parë ka botuar një hartë të Shqipërisë ku tregon se cilat pjesë të Atdheut tonë kanë skuadra në Kampionatin Kombëtar të Futbollit. Kjo është harta më tronditëse në historinë e sportit e të kulturës shqiptare. Harta tregon se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, gjithë pjesa jugperëndimore e saj sot nuk ka asnjë skuadër në Kampionatin Kombëtar të Futbollit. Madje edhe përtej këtij jugperëndimi. Çka do të thotë se as Vlora, as Elbasani, as Kavaja, as Berati, as Fieri, as Gjirokastra, as Lushnja, nuk marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë. Sepse Kampionat Kombëtar Shqipëria nuk ka tri, por ka vetëm një. Kampionatet e Kategorisë II dhe III janë “kombëtare” vetëm në mënyrë të pjesshme, ngaqë nuk janë përfaqësimi epror i futbollit në Shqipëri. Ata janë diçka tjetër. Askush të mos rrehet se kemi të bëjmë me Kampionat të “Kategorisë së Parë”, siç e quan në shtrembërim të palejueshëm historik FSHF-ja Kategorinë e Dytë.
Sigurisht nuk më trondit aspak çdolloj kundërshtimi që mund të vijë prej tipave “kot” të këtij vendi, heshtakë të këtij problemi madhor, shkrues servilë, punonjës qeveritarë apo ministrorë, të cilët nuk trajtojnë as edhe në një rresht të vetëm mospërfaqësimin e qendrave të vërteta të futbollit të Shqipërisë në Kampionatin e saj Kombëtar. Por vetëm pohime e shkrime servile të papamë, euforikë vetëm për stadiumet e rinj ku “paska aq kënaqësi për të luajtur” – si bie fjala në rastin e stadiumit të skuadrës së Elbasanit – më parë Kampione e Shqipërisë, që po shkon në Kategorinë e Tretë. Dhe detyrohem ta them këtu me plot gojën se jam i vetmi, absolutisht i vetmi, që tash e pakta nja 5 vjet radhazi, me argumente e fakte kam kritikuar këte organizim të pak skuadrave të Kampionatit të Shqipërisë. Natyrisht pa harruar mbështetjen e gazetave “Panorama Sport” dhe “Panorama”.
Askush tjetër, pra! Kjo sepse gazetaria e futbollit të sotëm në Shqipëri, sidomos ajo televizive, e cila mbrenda një nate më e pakta në pesë rubrika për futbollin, të gjitha tregohen të nënshtruara ndaj drejtimit të këtij sporti në vend. Ndërsa ka ndërkaq me shumicë kryesisht “analistë” e “komentatorë” të kampionateve të shteteve të tjera. Deri aty saqë ka madje televizione që në lajmet kryesore të ditës, njoftojnë me koment tri herë rresht se u ndërrua trajneri i Juventusit, që është skuadër e një shteti tjetër, jo e Shqipërisë. Dhe këtij televizioni i është dhënë statusi i televizionit kombëtar! Në vend që të bëjë jo një, por disa emisione me radhë mbi përjashtimin e pashembullt të qyteteve tona më futbollistike nga Kampionati Kombëtar. Me sa duket, me një lloj snobizmi amatoresk kujtojnë se janë televizione të Serie A të Italisë! Megjithëse kur kujton se ka ndodhur që deri njeriu i ngarkuar me detyrën e Kryeministrit ka shkuar e ka zbritur në një stadium italian për të marrë fanelën e Juventusit, apo që i uron shërim të shpejtë një futbollisti serb të Italisë, ndonëse këte nuk kemi dëgjuar ta ketë bërë ndaj ndonjë futbollisti a sportisti të famshëm të Shqipërisë, që ka vuajtur po asisoj, atëherë nuk iu duhet vënë faj ksenomanëve në fjalë.
Dhe kështu, kjo lloj gazetarie nuk jep asnjë lajm që Besa e Kavajës ka 7 vjet që luan në Kategorinë e Dytë; që Elbasani në 10 vjetët e fundit vetëm 1 herë ka luajtur në Kampionatin Kombëtar; që Dinamo 18 herë kampione pati plot 9 vjet që luajti në Kategorinë e Dytë; që Tomori i Beratit ka 8 vjet që luan në Kategorinë e Dytë. Dhe nuk po shkoj më tej. Kam botuar në të dyja gazetat e mësipërme, e pakta afër nja 20 shkrime kundër këtij diskriminimi të qyteteve më futbollistike të Shqipërisë. Askush nuk më ka mbështetur, askush nuk më ka përkrahur me përjashtim të këtyre dy gazetave. Të gjithë kanë heshtur. Natyrisht, nuk kam nevojë për këte përkrahje, sepse profesionin dhe detyrën atdhetare të gazetarit, ashtu si dhe kolegë të tjerë, mundohem ta bëj me plot pasion e atdhetari. E, për këte le të gjykojnë lexuesit.
Por e rëndësishme është se kanë heshtur me kryeulë punonjësit e FSHF-së. Ka heshtur Komiteti Olimpik Kombëtar, ai i cili me gjasë e ka për detyrë ruajtjen, forcimin dhe përhapjen e idesë humane të shpirtit olimpik. Normale megjithatë edhe kjo, kur të gjitha energjitë e tij nxiteshin prej trysnisë e frikës se mund të fitojë pala tjetër zgjedhjet parlamentare, teksa pak ditë para këtyre zgjedhjeve, madje pa u tronditur aspak, bëri të tijat. Guxoi deri këtu edhe pse në këto zgjedhje të këtij KOKSH nuk u përfaqësua sporti më i përhapur në vend, që është futbolli (FSHF). Dhe natyrisht po kështu, ka heshtur edhe Ministria e Arsimit dhe e Sporteve me të gjithë pseudoanalistët apo pseudoshkruesit e saj, nëse vërtet ka të tillë. Ka heshtur edhe fortlartësia e saj, qeveria pra, ajo e cila atdhetarinë duhet ta ketë frymëzuesen më të parë të punëve të saj.
Kështu kanë vazhduar një javë duke folur për një 11-metërsh të dhënë “padrejtësisht”. (E as këte nuk ka burrë nane që ta vërtetojë, çka mbetet për një trajtesë të posaçme). Por më e rëndësishmja është se ndërkaq, nuk kanë pushuar së foluri e komentuar plot “dituri të thella” për kampionatet e shteteve të tjera. Shpesh madje, me vëmendje e shikime të mërzitshme në fytyrat e tyre ngaqë nuk triumfoi Juventusi i Italisë apo Reali i Spanjës. Dhe nëse Jugperëndimi, Jugu apo Shqipëria e mbrendshme nuk ka skuadra në Kampionatin Kombëtar të Atdheut të tyre, që është Shqipëria, kjo nuk i shqetëson aspak. Ndërkohë, shteti shqiptar iu jep leje këtyre televizioneve që të kenë statusin kombëtar, pra mbarëshqiptar!
Si nuk doli një burrë nane prej këtij soji e t’i drejtohet Federatës Shqiptare të Futbollit e t’i thotë “Ndal!”, siç po titullojmë ne në këte shkrim? “Ndal!”, sepse ke cenuar sa s’ka ku shkon më kombëtarësinë e Kampionatit Kombëtar, ke përjashtuar skuadrat e qyteteve më futbollistike të Shqipërisë. Është e çuditshme vërtet, se si nuk doli një prej këtyre e të thërrasë në kupë të qiellit që SK Tirana e Vllaznia e Shkodrës kanë 6 vjet që nuk shkojnë të luajnë në qytetet më mike të tyre edhe falë futbollit, siç janë për shembull Kavaja e Elbasani, të cilit madje i ke ndërtuar edhe stadiumin modern. Nuk mund të pranohet se si nuk doli po një burrë nane që t’i thotë kësaj Federate që nuk e ke pronë tënden Kampionatin e Shqipërisë, që përmes tij nuk e çlodh dhe nuk e edukon me kulturën e vërtetë sportive kombin tënd, teksa ia ke lënë jashtë Kampionatit Kombëtar skuadrat më tradicionale qytetare.
Ndërkaq, kuptohet që ende nuk iu është mbushë mendja se duke u ndeshur katër herë Partizani me Egnatian, apo Vllaznia me Kastriotin apo qoftë dhe Partizani me SK Tiranën, kjo monotoni e pashembullt, aq më tepër e një futbolli të një niveli mesatar si yni, doemos nuk mund të nxitë vërtet kënaqësi shpirtërore në vazhdimësi.
Është tejet e trishtueshme kur kujton se mbi 30 klube shqiptare qysh dy vjet më parë kërkuan shtimin e skuadrave dhe ti jo vetëm që nuk i shton, por as që ke mirësjelljen (në të vërtetë detyrën institucionale e shtetërore) për të dhënë të paktën një përgjigje. Edhe vetëm ky fakt mjafton për të provuar se sa “vetjake” e ka Kampionatin e Shqipërisë kjo FSHF datuar 2021.
E kanë duruar deri aty sa s’ka ku shkon më. Dhe interesant vërtet se si nuk iu dëgjohet zëri vetë Vlorës, Gjirokastrës, Kavajës, Beratit, Elbasanit, Lushnjës!… Edhe kryesitë e tyre të nënshtruara, si të kishin një frikë prej dikujt? E pra, edhe në diktaturën komuniste nuk ka ndodhur kësisoj! Kur më 1956-ën ra në Kategorinë e Dytë Vllaznia e Shkodrës e deri dhe Radio Beogradi këte e quajti një fatkeqësi, Partia e tronditur u shqetësua jo pak. Dhe dërgoi në Shkodër si trajner të paharrueshmin Isuf Pelingun, i cili sapo vinte nga studimet në Hungari. Edhe pse trajnerët e këtij rangu, të cilët ndoqën një nga shkollat më të përparuara të futbollit botëror siç ishin ato të Hungarisë, nuk ishin më tepër se dy a tre. Kushedi se çka do të bëhej asokohe, për fat të diktaturës komuniste, po të ndodhte kjo e sotmja, që të binin të gjitha së bashku njëherësh: Vlora, Elbasani, Kavaja, Berati, Gjirokastra, Lushnja, Fieri, Dinamo! Apo pak më parë deri dhe Partizani e 17 Nëntori!…
Kësisoj, mos kujtoni se do të mund të vazhdoni të na mashtroni duke thënë se po u vendos ndryshimi i shtimit të skuadrave në 14 (e më mirë në 16) “ky ndryshim do të vijë mbas një viti”, siç e përsëritni sa herë që ta kërkojnë urgjentisht ndryshimin. Jeni të detyruar tashmâ ta ndryshoni qysh sivjet. Uluni. Thirrini ndjenjës atdhetare, pendohuni, kërkoni të falur që keni lejuar që Vlora e Kavaja, Elbasani e Berati, Gjirokastra apo Lushnja të jenë jashtë Kampionatit të Shqipërisë, sepse kështu keni tronditur një edukim, një natyrë e kulturë të vjetër qytetare. Këte nuk e kërkon autori i këtij shkrimi, sepse ai është vetëm një. Ua kanë kërkuar tash dy vjet mbi 30 klube të Shqipërisë. E kërkon Shqipëria.
Sigurisht në shkrimet tona të ardhshme, të mbështetur te historia jonë kombëtare e futbollit dhe e Kampionatit të Shqipërisë, do të përpiqemi të shpalosim shpejt skemën e këtij ndryshimi për Kampionatin 2021-‘22. Kaq është detyra jonë si gazetarë e si gazetë, çka thirrja e fuqishme e Hartës unikale të botuar nga gazeta “Panorama Sport” në numrin e së shtunës që kaloi është vërtet demaskuese, teksa tregon përmes forcës, në këte rast forcës së hartografisë, varfërinë futbollistike kombëtare të Kampionatit të Shqipërisë. Ajo është një thirrje atdhetare që stonon tejet përballë joatdhetarisë së atyre që kanë lejuar boshatisjen mospjesëmarrëse të Shqipërisë Jugperëndimore, Jugore e asaj të mbredshme nga Kampionati Kombëtar i Atdheut. Atdheut pra, që nuk është as Italia, as Gjermania, as Spanja, as Franca, por që është Shqipëria. Ndonëse për fat e kuptojmë që mungesa e një kulture kësisoj të çon te mendimi i gabuar se sporti kombëtar i një shteti qenka thjesht “punë sporti”, jo punë atdhetarie. “Mjaft!”, pra. /panorama.al