Zakonisht mendojmë se efektet e një sulmi në zemër, do të jenë kaq dramatike sa që do të jetë e pamundur të shpërfillen. Por nuk ndodh gjithmonë kështu. Përshkrimi klasik i ndjesisë së një sulmi në zemër, është ajo e një peshe të rëndë që duke sikur shtyp kraharorin, e shoqëruar nga një ndjenjë dërrmuese ankthi. Nëpër filma, njerëzit shtrëngojnë fort kraharorin, shfaqin panik në sytë e tyre, dhe pastaj shemben përtokë. Dhe mund të ndodhë pikërisht kështu. Por jo përherë.
Sulmet në zemër, ndodhin kur furnizimi i gjakut në këtë organ bllokohet, zakonisht nga një mpiksje e gjakut. Pavarësisht se çfarë po ndodh në trup, njerëzit ndonjëherë nuk ndjejnë aspak dhimbje në gjoks, çka do të thotë se vonojnë marrjen e ndihmës së shpejtë. Edhe me një dhimbje të lehtë në gjoks, shumë njerëz mendojnë se kanë dispepsi, dhe e zbulojnë më vonë se kanë pasur një sulm në zemër, vetëm kur kryerja e një elektrokardiograme në spital, tregon dëmtimet që ka pësuar zemra.
Ndonjëherë kjo dukuri njihet si një sulm i heshtur i zemrës. Një studim i publikuar në vitin 2016, zbuloi se kjo mund të ndodhë me 45 për qind të sulmeve në zemër. Të dhënat për këtë studim, filluan të mblidheshin që në fundin e viteve 1990, dhe që atëherë diagnostikimi i sulmeve në zemër është përmirësuar, prandaj shifra ndoshta nuk do të ishte kaq e lartë sot, por çdo vit ka ende njerëz që kur iu ndodh diçka e tillë, nuk janë të vetëdijshëm.
Ka edhe pacientë që e dinin se ishin të sëmurë, por jo arsyen se përse. Ata ndiejnë dhimbje në nofulla, qafë, krahë, stomak apo në shpinë, kanë vështirësi në frymëmarrje apo dhimbje të lehtë të kokës. Ata mund të djersitin apo vjellin. Është kombinimi i simptomave, në vend të ashpërsisë së dhimbjes së kraharorit, ato që të lejojnë të mbërrish shpejt tek diagnoza.
Thuhet shpesh, se këto sulme në zemër të pashoqëruara me dhimbjen e gjoksit, janë më të zakonshme tek femrat, duke i bërë gratë të vonojnë marrjen e ndihmës së pare, dhe zvogëluar kësisoj mundësitë e tyre për mbijetesë.
Për të përcaktuar nëse vërtet ky është rasti, hulumtuesit në Kanada përcaktuan në vitin 2009 matjen e simptomave të një sulmi në zemër në mënyrë sistematike, duke studiuar 305 pacientë, që i ishin nënshtruar ndërhyrjes së angioplastikës.
Në këtë procedurë, rihapet një enë gjaku e bllokuar, duke krijuar një tullumbace të vogël brenda saj. Ajo mund të imitojë shkurtimisht simptomat e një sulmi në zemër, kështu që kur tullumbacja fryhet, pacientëve i kërkohet të përshkruajnë se si ndihen.
Ata nuk gjetën ndonjë ndryshim midis burrave dhe grave në lidhje me dhimbjen në gjoks, krah, gulçimet, djersitjet apo të vjellat, por gratë kishin më shumë gjasa të kishin dhimbje në qafë dhe nofull, përveç dhimbjes së gjoksit. Ato kishin më pak të ngjarë se sa meshkujt të shfaqnin dhimbje në gjoks, dhe më shumë të ngjarë që meshkujt të kenë simptoma të tilla si lodhja, vjellja apo marramendja
Gjetjet e studimeve të tjera kanë qenë të paqëndrueshme, ndonjëherë duke konstatuar se burrat dhe grate, kanë të njëjtat gjasa të përjetojnë dhimbje gjoksi, të tjerat se kjo simptomë është më e zakonshme tek meshkujt. Ndonjëherë, çështja është ngatërruar nga hulumtuesit duke përfshirë diagnoza të tjera krahas sulmeve në zemër në të njëjtin studim.
Në këto kushte, në vitin 2011 u bë bërë një rishikim, me qëllimin e vetëm për të përcaktuar nëse ekziston një dallim në simptomat e përjetuara nga burrat dhe gratë. Studimet nga SHBA-ja, Japonia, Suedia dhe Gjermania, Britania e Madhe dhe Kanadaja, përfshinë më shumë se 900.000 njerëz.
Të dhënat u morën nga 26 studimet më të mirat mbi këtë dukuri, të kombinuara dhe të ri-analizuara. Ato arritën në përfundimin se gratë kanë më pak të ngjarë se sa meshkujt që të shfaqin dhimbje në gjoks, dhe më shumë të ngjarë që meshkujt të kenë simptoma të tilla si lodhja, vjellja, marramendja, ose dhembje në qafë, nofulla apo krahë.
Tek të dyja gjinitë, shumica ende përjetonin dhimbje gjoksi, por një e treta e grave dhe pothuajse një e katërta e meshkujve, kishin sulme në zemër pa pasur ndonjë simptomë në gjoksin e tyre, duke e bërë të vështirë që ata të kuptojnë se çfarë po ndodh me ta. Nëse nuk dini se sa serioze janë simptomat tuaja, natyrisht që keni më pak të ngjarë të shkoni në urgjencë për ndihmën e parë. Njerëzit presin mesatarisht 2 deri në 5 orë. Një studim i ri, ka synuar të zbulojë më shumë rreth procesit të mendimit të njerëzve mbi një vendim që vendos për jetën apo vdekjen, për të shkuar tek një mjek.
Intervistat e thelluara me një numër të vogël grash, që kishin pasur sulme në zemër, zbuluan se gjysma e dinte se diçka nuk shkonte, dhe menjëherë kishte kërkuar ndihmë. Tre prej tyre kishin simptoma të paqarta, të cilat kishin filluan si të lehta, por më pas u bënë më intensive, duke i nxitur ato të shkojnë tek mjeku.
Por pjesa tjetër nuk e kishin idenë se simptomat e tyre kishin të bënin me zemrën, dhe nuk i tregonin askujt tjetër, duke vendosur të prisnin e të shihnin. Pra, leksioni është se dhimbja dërrmuese në gjoks, është shumë serioze dhe mund të tregojë një atak në zemër, por po kështu edhe një grup simptomash të tjera, prandaj duhet të merrni në konsideratë mundësinë e një sulmi në zemër edhe kur çdo gjë nuk duket si nëpër filma.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce