Nga Dr.Hikmet Karçiç “TRT World”
Më7 mars të këtij viti, një banderolë u shfaq në qytetin lindor boshnjak të Bratunac, disa kilometra larg Srebrenicës, qytetit famëkeq për gjenocidin e korrikut 1995 të myslimanëve boshnjakë nga forcat serbe.
Në të shkruhej “Gëzuar ditëlindjen, jetë të gjatë dhe të shëndetshme”, së bashku me
fotot e Ratko Mlladiç, gjeneralit serbo-boshnjak që orkestroi gjenocidin dhe Milorad Dodik, udhëheqësi autoritar serb i Bosnjës, dhe anëtari aktual i presidencës së Bosnje Herzegovinës.
Të dy e kishin datëlindjen në një ditë, më 15 mars. Që nga viti 2006, Dodik ka mbajtur pushtetin politik në pjesën me shumicë serbë të federatës, fillimisht e etiketuar si një
“frymë e freskët” nga bashkësia ndërkombëtare.
Përveçse ka një orientim anti-BE dhe anti-NATO, Dodik mban rekord për retorikën gjenocidale dhe Islamofobike. Për më tepër, kjo retorikë jo vetëm që nuk është e kufizuar tek politikani serbo-boshnjak, por është e përhapur masivisht në internet, duke ekspozuar miliona njerëz ndaj gënjeshtrave, dezinformimit dhe revizionizmit historik.
Gjenocidi i Srebrenicës, që shkaktoi ekzekutimin e 8.372 boshnjakëve ka qenë objekt i procedimeve penale kundër autorëve serbë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për Ish Jugosllavinë (ICTY), dhe gjykatat bonjake.
Megjithatë që nga vitet 2010, mohimi i gjenocidit të Srebrenicës dhe mizorive të tjera, është bërë shumë më i institucionalizuar dhe sistematik, jo vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në Serbinë fqinje.
Për shembull, 2 vjet më parë, entiteti i Republika Srpska brenda federatës boshnjake, themeloi dy “komisione të së vërtetës”,që kishin për detyrë të hulumtonin mbi vuajtjet e serbëve në Srebrenicë dhe Sarajevë.
Anëtarët e këtyre komisioneve janë revizionistë dhe Islamofobë të njohur, dhe madje shumë të njohur në artikulimin e teorive të ndryshme të konspiracionit. Synimi i “ekspertëve”, është të përforcojnë pretendimet e rreme, të cilat vetëm sa po denigrojnë më tej viktimat dhe familjet e tyre.
Megjithëse “gjetjet” e këtyre 2 komisioneve ishin planifikuar të bëheshin publike vitin e kaluar, deri më sot nuk ka ndodhur asgjë e tillë, qoftë për shkak të pandemisë së Covid-19 apo diçkaje tjetër. Për më tepër, kultura e mohimit ka hyrë edhe në politikën qendrore, duke lavdëruar në disa raste autorët e dënuar për krime lufte.
Kjo dukuri është përhapur aq shumë, sa që disa vjet më parë, kolegu im, studiuesi boshnjako-australian, Hariz Haliloviç, shpiku termin triumfalizëm, që u referohet të gjitha rasteve të lavdërimit jo vetëm të autorëve të këtyre krimeve, por edhe trashëgimisë së tyre – në këtë rast, Republika Srpska, e spastruar nga pikëpamja etnike.
Gjatë viteve të fundit, ky triumfalizëm është bërë jashtëzakonisht joshës për të djathtën ekstreme globale. Sulmet terroriste nga ekstremistët e djathtë dhe supremacistët e bardhë nga Oslo dhe Halle në Kristçërç u frymëzuan nga ideologjia e nacionalistëve serbë.
Kjo retorikë ekstremiste po përhapet në internet si zjarri,duke sjellë pasoja katastrofike përtej kufijve të Bosnje Herzegovinës. Disa meme të frymëzuara nga gjenocidi i Bosnjës po përdoren nga ekstremistët e ekstremit të djathtë në internet.
Më famëkeqja është një meme me titull “Zhdukni qebapin!”. Ajo e ka origjinën nga një këngë militariste serbe e kohës së luftës me titull “Karaxhiç, udhëhiq serbët e tu”. Kjo këngë konsiderohet si një himn jozyrtar i së djathtës ekstreme globale, ndërsa termi “qebap”, shërben si një mjet për të poshtëruar myslimanët.
E njëjta këngë frymëzoi dhe u vendos në sfond në vitin 2019 nga terroristi i Zelandës së
Re rrugës për tek 2 xhamitë ku ai transmetoi live në Facebook masakrimin e dhjetëra besimtarëve atje.
Një vëzhgim i shkurtër në mediat sociale, sidomos në Instagram dhe TikTok, tregon shkallën marramendëse të mohimit të gjenocidit boshnjak dhe ekstremizmit të ekstremit të djathtë ndaj të cilit është e ekspozuar Gjenerata Z.
Historia e gjatë gjenocidale dhe sulmet e ekstremit të djathtë, jo vetëm që reduktohen në video 60 sekondëshe, por manipulohen dhe redaktohen më tej në mënyra që e detyrojnë rininë që t’i shohë ato. Ata që i vënë në dyshim këto postime që synojnë të nxisin urrejtje shpesh ngacmohen dhe dëbohen nga platformat.
Mungesa e censurës, në kombinim me synimet e këtyre videove në platformat e mediave sociale, e bën shumë të vështirë kundërveprimin ndaj këtij mediumi ekstremist. Komuniteti ndërkombëtar dështoi me Bosnjë Hercegovinën në parandalimin e mizorive të kryera atje gjatë viteve 1990.
Sot, ndërsa boshnjakët po luftojnë kundër retorikës revizioniste, ata po ndjejnë se po dështojnë sërish. Ndonëse mizoritë përfunduan 25 vjet më parë, kjo nuk do të thotë se kanë marrë fund për të mbijetuarit.
Ngjarjet e fundit në Malin e Zi, fitorja elektorale e nacionalistëve serbë, u shoqërua me parulla Islamofobike dhe mohim të Gjenocidit të Srebrenicës. Sidoqoftë, ky nuk është një rast i izoluar. Pasi çerek shekullin e fundit, mohimi i mizorive të kryera në Bosnjë Hercegovinë,u krye jo vetëm nga ata të ekstremit të djathtë, por edhe nga segmente të caktuara akademike që i përkasin së majtës.
Disa akademikë perëndimorë, zgjodhën jo vetëm të mbështesnin regjimin e Sllobodan Millosheviçit, por gjithashtu edhe të mohonin mizoritë e dukshme të kryera nga forcat serbe, me synim kritikimin e ndërhyrjeve të SHBA-së dhe NATO-s në Bosnjë dhe Kosovë.
Një prirje e përgjithshme e mohimit të gjenocidit boshnjak, tregon se ngjarjet në Bosnjë Hercegovinë instrumentalizohen nga e djathta ekstreme që glorifikon mizoritë, ndërsa eksponentë të caktuar të krahut të majtë mohojnë që ato të kenë ndodhur ndonjëherë.
E njëjta “recetë” po gatuhet sot në lidhje me mizoritë më të fundit në të gjithë botën, veçanërisht në Siri. Veçse tani me masmedian online, kjo bëhet në një mënyrë shumë
më të sofistikuar.
Nuk është çudi që sot të shihni disa anëtarë të ekstremit të djathtë që mbështesin udhëheqësin e regjimit sirian Bashar Al Asad, ndërsa disa majtistë të mohojnë krimet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Siri, apo ta cilësojnë regjimin si viktimë të një komploti imperialist.
Ku e kemi dëgjuar më parë këtë gjë? Nëse lihet pa u adresuar si dukuri, “tjetërsimi” i myslimanëve nga ideologjia e ekstremit të djathtë, mund të ketë pasoja vdekjeprurëse, të kufizuara jo vetëm tek myslimanët, por tek të gjitha pakicat e tjera.
Ekziston një vijë shumë e hollë midis Islamofobisë dhe fanatizmit anti-mysliman, dehumanizimit dhe dhunës. Dhe ajo po përshkallëzohet shumë shpejt. Boshnjakët e mësuan këtë një çerek shekulli më parë. Teksa po i afrohemi përvjetorit të 26-të të Gjenocidit të Srebrenicës, fronti pro revizionizmit historik nuk është vetëm në rrugët e Bratunac, por po aq rrezikshëm po përhapet në të gjithë rrjetin.
Burimi : https://www.trtworld.com/opinion/srebrenica-genocide-denial-from-dodik-to-tiktok-45051
Përshtatur nga TIRANA TODAY