Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini ka deklaruar sot në Komisionin e Mediave se do të bëhen ndryshime në Ligjin e Arsimit të Lartë.
Sipas saj, ndryshimet do të nisin me përfaqësimin e studentëve, ku pesha e votës së tyre do të rritet nga 10-50%, si dhe përfaqësimi i tyre në senat dhe në bordet e menaxhimit. Kështu, vijoi ajo, studentët do të kenë mundësi të zgjedhin përmes votës se kush duhet t’i përfaqësojë ato.
Shahini premtoi gjithashtu transparencë për fondet dhe shpenzimet në Universitete, të cilat sipas saj do të azhornohen çdo tre muaj.
“Kemi të bëjmë me një nismë ligjore për ndryshimin e katër neneve të ndryshimit të Ligjit të Arsimit të Lartë. Rritja e përfaqësisisë së studentëve nga 10-50 për qind, por edhe në organet e tjera të zgjedhjeve të dekanëve, por edhe në borde të tjera të menaxhimit. Vendimet në senat duhet të merren nga persona me një ekspertizë shumë të lartë.
Ne për hir të transparencës dhe llogaridhënies kemi marrë një vendim që do të shkarkojmë të gjithë drejtuesit e bordeve, ndërsa kemi bërë thirrjen publike për përfaqësues të rinj.
Kemi themeluar portalin e transparencës. Aty do të botohen të gjitha vendimet dhe të gjitha buxhetet. Ky informacion do të azhornohet çdo tre apo katër muaj dhe kjo do shtojë transparencën”, tha mes të tjerash ministrja Shahini.