Nga Tim Hume “Vice”
Policia greke, përdori gazin lotsjellës ndaj turmave të refugjatëve sirianë, që po përpiqeshin të dëshpëruar të kalonin ilegalisht nga Turqia ditën e hënë, në atë që ajo e sheh si një sfidë për ndaljen e një vale emigracioni të lejuar qëllimisht nga presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, që ashtu siç kishte paralajmëruar ua hapi refugjatëve “portat” për në Evropë.
Dhjetëra mijëra migrantë, janë mbledhur prej 2 ditësh në kufirin veriperëndimor të Turqisë me Greqinë dhe Bullgarinë, teksa autoritetet turke thanë javën e kaluar se po hiqnin dorë nga kontrollet kufitare në territorin e tyre. Turqia është zotuar ta ”përmbytë” Evropën me refugjatë, deri kur BE të zotohet të bëjë më shumë për ta ndihmuar atë të trajtojë pasojat nga lufta në Siri.
Turqia ka pranuar deri tani mbi 3.7 milionë refugjatë sirianë, dhe po pret një valë tjetër të madhe refugjatësh, që po i ikin një sulmi të ri të ushtrisë së Bashar Al Asadit të mbështetur nga Rusia në provincën e Idlibit, ku mijëra trupa turke po mbështesin aktualisht forcat rebele.
Analistët thonë se kërcënimi i Erdoganit, mund të jetë në të njëjtën kohë një përpjekje, për të pasur një mbështetje më të madhe nga Perëndimi mbi ofensivën e tij në Siri, në të cilën humbi 34 ushtarë vetëm në një ditë të vetme javës që kaloi. Në anën evropiane, kufijtë mbeten të mbyllur, duke i lënë në kushte të mjerueshme mijëra të ardhurit e rinj.
Në përpjekjet e tyre të dëshpëruara për të çarë kufirin, grupe emigrantësh janë përpjekur në mënyra të ndryshme. Thuhet se disa hodhën gurë dhe shufra metalike në drejtim të forcave kufitare greke. Të tjerët iu lutën këtyre të fundit të kishin mëshirë dhe t’i lejonin të kalonin, ose u përpoqën të shmangin kontrollet kufitare duke kaluar përmes lumenjve.
Të hënën, pati raporte se vala aktuale e emigracionit drejt Evropës, ka shkaktuar viktimat e para. Mediat shtetërore turke, raportuan se një 22-vjeçar sirian nga Alepo u vra kur rojet kufitare greke e qëlluan me plumba gome, ndërsa po përpiqej të çante vijën kufitare.
Ndërkohë, vetë zyrtarët grekë raportuan se një djalë i vogël rreth 6-vjeç, u mbyt kur një gomone që kishte në bord 48 migrantë u përmbys rrugës për në ishullin Lesbos. Sipas raportimeve, varka ishte shoqëruar nga një anije patrulluese turke kur ndodhej në ujërat territoriale turke, përpara se të përmbysej qëllimisht prej saj, për të nxitur nisjen e një një operacioni shpëtimi nga ana e autoriteteve greke.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Sulejman Sojlu, pohoi të hënën se afro 120.000 migrantë po tentojnë të hyjnë në Evropë. Ndërkohë, agjencitë ndërkombëtare që monitorojnë situatën përgjatë kufirit, thonë se është e vështirë të jepen të dhëna të sakta mbi numrin e tyre. Por ka të ngjarë që të jenë dhjetëra mijëra.
Lana Uolsh, zëdhënëse e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) në provincën kufitare turke të Edirnesë, tha për “VICE News” se monitoruesit e kësaj organizate kishin vërejtur rreth 13.000 migrantë në pikat zyrtare të kalimit përgjatë kufirit 212 km të gjatë Turqi-Greqi të shtunën e shkuar, dhe 10.000-15.000 të tjerë në një pikë tjetër të vijës kufitare.
“Ne mund ta themi me siguri se ky numër është me dhjetëra mijëra, dhe ka gjasa që të rritet më tej”, tha ajo. Shumë migrantë, pasi e kuptuan se kufijtë tokësorë të Greqisë ishin mbyllur, u janë drejtuar kufijve perëndimorë të Turqisë, ku po përpiqen të shkojnë me varka në ishujt grekë.
Autoritetet greke, thonë se më shumë se 1.000 njerëz kanë tentuar të arrijnë në ishujt e vendit gjatë ditëve të fundit. Zyrtarët turq, pretenduan të hënën se varkat gjurmoheshin nga rojet kufitare greke, që tentojnë t’i zmbrapsin që në det.
Ndërkaq, shumë emigrantë sirianë kanë raportuar se zyrtarët turq i çuan ata në kufirin grek me autobusë, përpara se t’i drejtonin për tek vendi prej nga ku mund të kalonin për në Evropë. Athina e ka akuzuar Ankaranë, për orkestrimin e një përpjekje “masive, të organizuar dhe të koordinuar” për të shkelur kufijtë e vendit fqinj.
“Në vend se të frenojë rrjetet e kontrabandës së emigrantëve dhe refugjatëve, Turqia është shndërruar vetë në një kontrabandiste”, u shpreh qeveria greke përmes një deklarate. Greqia e ka cilësuar situatën e ditëve të fundit si nivelin më të lartë të alarmit.
Ajo ka vendosur ushtarë përgjatë kufirit, ndërsa vetëm gjatë fundjavës që shkoi, forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji, për të zmbrapsur rreth 15.500 kalime të paligjshme të kufirit. Qeveria greke njoftoi gjithashtu të dielën pezullimin e ligjit të azilit për muajin tjetër.
Kjo do të thotë, se asnjë kërkesë për azil nuk do të pranohet nga emigrantët, që hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme. Dhe ata do të deportohen shpejt drejt vendit nga kanë hyrë. Por midis thirrjeve nga Evropa, që Turqia t’i përmbahet marrëveshjes së vitit 2016 me Bashkimin Evropian për të kufizuar dhe kontrolluar emigracionin e paligjshëm, si dhe për të luftuar kontrabandistët, Erdogan ka konfirmuar se nuk ka se çfarë të bëjë.
Në një fjalim televiziv, ai u zotua se fluksi i migrantëve drejt kufirit grek vetëm sa do të rritet vetëm ditët e ardhshme.“Qindra mijëra sirianë kanë kaluar, së shpejti do të arrijnë në miliona. Kur ne hapëm dyert, në vend pati thirrje të shumta që thoshin “Mbyll dyert”. Unë u them:”Tani ajo kohë ka mbaruar. Dyert tani janë të hapura. Tani, Evropa duhet të mbajë pjesën e saj të barrës”, tha Erdogan.
Zyrtarët turq, kanë bërë me dije se vendimi për të hapur kufirin, lidhet me ofensivën në provincën siriane të Idlibit, ku Turqia po mbështet rebelët kundër një sulmi të madh nga forcat qeveritare siriane të mbështetur nga Rusia.
Fahretin Altun, drejtori i komunikimit me media i presidentit Erdogan, tha se Ankaraja e ka ndryshuar fokusin e saj, për t’u marrë me një valë të re refugjatësh që ikin prej sulmit në Idlib, në vend se të merret me ndalimin e refugjatëve që synojnë të emigrojnë drejt Evropës.
Në kundërpërgjigje ndaj humbjeve të rënda të javës së kaluar – më e rënda që ka pësuar ushtria turke në një ditë të vetme që nga viti 1993 – Turqia rinisi operacionet e saj në Siri gjatë fundjavës, duke rrëzuar 2 avionë sirianë në Idlib, dhe duke bombarduar një aeroport ushtarak në provincën e Alepos. /TIRANA TODAY