Kreu i Shtetit Ilir Meta ka vlerësuar Azem Hajdarin dhe Sali Berishën, dy figurat më të rëndësishme në PD.
Meta ka qenë në Tropojë, ku u ndal në Bajram Curr. Presidenti e cilësoi këtë qytet një epos plot histori dhe personalitete.
“Tropoja i ka dhënë shumë kombit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë, për identitetin dhe dinjitetin kombëtar. Mbarë populli shqiptar i është mirënjohës popullit të Tropojës për çfarë i ka dhënë kombit.”– Është shprehur Meta, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe Azem Hajdarin.
“Jam këtu për t’u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’. Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë.” -Meta shtoi se Tropoja ka qenë dhe mbetet një krahinë me rëndësi strategjike mbarëshqiptare dhe fqinjësore.
Meta kërkoi më shumë punë e përpjekje që këto Bjeshkë të quajtura të ‘Nëmura’, të quhen ‘Të bekuara.
“Tropoja mbetet një krahinë me rëndësi strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithçka e lidh Tropojën me Kosovën, asgjë nuk e ndan prej saj.” – tha Meta.