Kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka zhvilluar një takim me Bundestagun gjerman nga i cili ka zbardhur disa detaje. Sipas Mediut, informacionet gjermane dhe britanike tregojnë se krimi i organizuar dhe trafiku i drogës janë probleme shumë serioze të cilat kanë prekur jo vetëm Shqipërinë por edhe shumë vende të tjera të Evropës.
Në këtë takim, kreu i PR-së ka theksuar se pluralizmi politik dhe sistemi kushtetues po shkatërrohen qëllimisht nga Rilindja e zgjedhur në vitin 2017.
“Në takim theksova se në Shqipëri qëllimisht është shkatërruar sistemi kushtetues, qëllimisht po shkatërrohet pluralizmi politik, vjedhja e votave nga bandat me urdhër të Rilindjes në 2017 e kanë futur Shqipërinë në një krizë të paprecedentë”, shprehet Fatmir Mediu.
Kreu i PR-së thekson se Rama po kërkon të zhvillojë zgjedhje farse në 30 qershor dhe se deklaratat e Johann Wadephul, dhe Christian Schmidt janë një mbështetje për ndalimin e kësaj marrëzie.
“Rama po kërkon të zhvillojë zgjedhje farse në 30 qershor, vetëm me një kandidat të zgjedhur prej tij. Shqipëria është në prag konflikti prandaj mbështetja e Bundestagut veçanërisht deklarata e Z Johann Wadephul, dhe Christian Schmidt janë një mbështetje për ndalimin e marrëzisë së Ramës”, shprehet aleati i Bashës.