Zvërneci dhe Laguna e Nartës janë kthyer në epiqendrën e debatit publik mbi zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Prej ditësh, qytetarë, aktivistë dhe organizata mjedisore po kundërshtojnë projektin e planifikuar në këtë zonë, duke e konsideruar atë një kërcënim për një nga ekosistemet më të rëndësishme të vendit.
Sipas tyre, Laguna e Nartës dhe ishulli i Sazanit përfaqësojnë një pasuri kombëtare me rëndësi të veçantë për biodiversitetin dhe shpendët migratorë të Mesdheut.
Në mbështetje të kësaj kauze është organizuar, këtë të shtunë, 6 qershor, një aktivitet sensibilizues që do të bashkojë aktivistë, sportistë dhe qytetarë.
Në qendër të tij është notarja e njohur Eva Buzo, e cila do të realizojë një not simbolik nga Sazani drejt Nartës, me synimin për të tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemit.
Emri i Eva Buzos është bërë i njohur për publikun shqiptar pas sfidës historike të vitit 2024, kur ajo realizoi me sukses kalimin e Kanalit të Otrantos, nga Italia drejt brigjeve shqiptare.
Organizatorët e nismës thonë se ky aktivitet nuk ka karakter politik, por synon të përcjellë një mesazh të qartë për ruajtjen e pasurive natyrore dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrjet që prekin mjedisin.
Ndërsa debati mbi të ardhmen e Zvërnecit vazhdon, çështja ka kaluar kufijtë e një projekti të vetëm, duke u shndërruar në një diskutim më të gjerë mbi balancën mes zhvillimit ekonomik, mbrojtjes së natyrës dhe besimit të qytetarëve tek institucionet.















