Emisioni BOOM në puntatën e sotme (26 shtator) ka trajtuar hallin e zotit Vehbi Zhugri nga Kavaja, i cili prej disa vitesh kërkon të marrë pronën që i takon me ligj. Vehbi Zhugri së bashku me trashëgimtarët e tjerë janë njohur si pronarë të një sipërfaqe 180 metra katrorë, në mes të Kavajës, tek sheshi kryesor i qytetit, ku para viteve 90-të babai i tyre kishte pasur një restorant.
Sot kur zotëria është në pension ka vetëm një dëshirë, këtë dosje ta marrë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe t’ia vënë tek koka kur të vdesë, pasi ka humbur çdo shpresë për kompensim.
Denoncuesi: Jam Vehbi Zhugri. Kam bërë kërkesë për kompensimin e pronave të prindërve të mi, të parademokracisë, u prish në 64 dhe nuk na dhanë kompensim në atë kohë. Tani nxorën ligjin që japin kompensimet. Vendimet e gjyqit i kam marrë. Bëra kërkesën në hipotekën e Kavajës në 93-94. I bëra të gjitha dokumentet e rregullta, i prura, kur mbarova dokumentet që u mat çfarë vendi ka qenë restoranti i babës tim ata që erdhën e matën tokën atje në Kavajë më dhanë dorën, i hëngshi me shëndet.
Gazetarja: Për çfarë viti bëhet fjalë?
Vehbi Zhugri: Për 2004 më duket.
Kur erdha unë që bëra kontrollin këtu, me ligj nuk njihet se çfarë na dha në 90-tën ndërmarrja se kemi punuar dhe derdhur djersë. Ka marrë motra ime nja dy dynym tokë dhe e kanë hedhur poshtë. Erdha unë këtu më dhanë ca letra mua ato, do vazhdoj gjyqin i thashë. Bëra tre vendime gjyqi. I gjykatës së shkallës së parë Kavajë doli në favorin tonë, u ankua kthimi kompensimi i pronave, bëmë gjyq në Gjykatën e Lartë dhe apelin Durrës. Në fund apeli Durrës, vendosi në favorin tonë, pra vendosi njohjen e pronësisë së babës dhe nuk njihen ça ka marrë motra ose vëllai. Prura vendimin e Gjykatës së Apelit dhe e dorëzova dhe më tha ky është numri i dosjes tënde.
Gazetarja: Më datë 13.11.2017 është depozituar ose është plotësuar dosja pranë agjencisë së trajtimit të pronave.
Vehbi Zhugri: Kur kam dorëzuar këtë, personat që punojnë këtu më kanë thënë që ti do ta marrësh tani se ti e ke marrë me vendim gjyqi.
Kam një thirrje, bjer dosjen ta kenë fëmijët e mi, ose të ma vënë te varri tek koka. Kaq!
Së bashku me z.Vehbi, BOOM iu drejtua Agjencisë së Trajtimit të pronave, për të mësuar deri ku janë procedurat në lidhje me kompensimin e pronës së tij dhe për të kërkuar në ATP një kopje të gjithë dokumenteve të çuara në 25 vite në këtë institucion.
Punonjësja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave: Vendimi është i publikuar , bëhet fjalë për vendimin 139 datë 20.07.1994 në emër të subjektit të shpronësuar, kur themi subjekti i shpronësuar nënkuptojmë pronarin e vjetër që ka qenë Ibrahim Zhugri, e cila trajton një sipërfaqe 180 metër dhe është vlerësuar me 1 394 100 lekë të reja ose 13 milion lekë të vjetra. Kompensimi, patjetër që ka prioritet kompensimi fizik brenda pronës së njohur, nëse ka sipërfaqe të lira. Ofrojmë dhe kompensim financiar në masën 20% të vlerës që ka dalë kompensim financiar dhe 80% kompensim fizik, ka dhe opsione pastaj të kompensimit të veçantë nëqoftëse zotëria është i interesuar që jepet 20, 30 ose 40% e vlerës dhe hiqet dorë nga pjesa tjetër.
Gazetarja: Zoti Vehbi, pretendon për një çmim tjetër.
Denoncuesi: Ti po më jep çmim tjetër mua.
Punonjësja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave: Prandaj po them për pjesën e pretendimit që zotëria ka që s`është dakord me vlerën…
Denoncuesi: Përpara përpara, jo këtë të 94, të 2004-ës.
Agjencia e Trajtimit të Pronave: Vlerësimi bëhet sipas një formule të përcaktuar qartë në ligj. Nuk është se ne e vlerësojmë sipas qejfit tonë.
Gazetarja: E kuptoj, mos ndoshta kjo ngaqë ka ndryshuar ligji nga 93 në vitin 2000 e ca që pretendon zotëria që atëherë ka dalë më e madhe vlera?
Punonjësja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave: Patjetër, ligji është i 2015, patjetër që ka ndryshime dhe vlerësimet bëhen sipas hartës së vlerës në fuqi.
Denoncuesi: Unë dua dosjen të fle njëçik gjumë me atë. Unë isha i vdekur. Dosjen mund të ma nxjerrësh dot? Ça të kam bo? Bjere dosjen ta shohim. Të dy bashkë, të tre.
Koordinatorja për të drejtën e Informimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Iva Dokle dha të gjitha sqarimet për dosjen e zotit Vehbi Zhugri, madje ky i fundit mori edhe një kopje të dosjes.
Iva Dokle: Në lidhje me z.Vehbi Zhurgi ai u paraqit këtu me një shqetësim të tij, realizuam disa takime për të arritur në një pasqyrë të qartë të shqetësimit që ai kishte dhe për të shqyrtuar dokumentacionin që ai posedonte. Shqetësimi i parë ishte pretendimi që ai kishte për mungesën ose mosgjetjen e dosjes së tij. Dhe mospajisjen e tij me një kopje të dokumenteve që ndodheshin brenda kësaj dosje.U bënë gjithë verifikimet e nevojshme dhe rezultoi se pranë arkivës së agjencisë sonë ndodhet një dosje në emër të Ibrahim Zhugrit, babait të z.Vehbi që mban numrin 286 e datës 5.7.1994. Kjo dosje ka vendimin 139 të datës 20.07.1994 që është lëshuar nga ish komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave , pranë bashkisë Kavajë. Ai ka gjithë të drejtën të pajiset me një kopje të dokumentacionit që ndodhet në dosjen e tij, gjë e cila edhe ndodhi. Problematika e dytë dhe kryesore lë të themi, ishte përfitimi i kompensimit për këtë pronë. Z.Vehbi ka aplikuar për përfitimin e kompensimit të kësaj prone, respektivisht në vitin 2008 dhe 2015. Këto kërkesa për fat të keq nuk janë miratuar, pra nuk është kompensuar sepse dokumentacioni që ai ka depozituar nuk ka qenë në përputhje me VKM në fuqi në kohën e aplikimeve të tij. Me hyrjen në fuqi të ligjit 133 të vitit 2015, për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, u përcaktua qartë mënyra se si tashmë do kompensohen ish-pronarët. Të gjitha vendimet përfundimtare që kanë njohur kompensimin e pronës siç është dhe vendimi që z.Zhugri disponon, i nënshtrohen vlerësimit financiar nga agjencia e trajtimit të pronave. Vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur kjo pronë në kohën e shpronësimit duke u bazuar në hartën e vlerës, në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Është ajo e miratuar me VKM 89 datë 3.02.2016 me vlerën 13 milion e 941 mijë lekë të vjetra. Nëqoftëse kanë pasur ndonjë kundërshtim në lidhje me vlerën që ne kemi publikuar ata kanë pasur të drejtë t`i drejtohen gjykatës administrative të apelit brenda 30 ditëve nga data e publikimit të vendimit. Në momentin që kalon ky afat 30 ditor nëse subjekti i interesuar nuk ka paraqitur ankim, atëherë vlerësimi i këtij vendimi përfundimtar ekzekutohet nga agjencia sipas përcaktimeve të ligjit 133. Zotëria mund të paraqitet në çdo moment kur ai të ketë dëshirë, të aplikoj për të përfituar kompensimin financiar sipas vendimit që ai ka, sipas përcaktimeve të ligjit dhe duke plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Një afat konkret unë nuk mund të jap, në kushtet kur nuk kemi një aplikim. Ne momentin që zotëria aplikon ka një rend kronologjik të shqyrtimit të dosjeve, sepse ka dhe aplikime që kanë bërë subjekte të tjera para zotërisë, por shqyrtimi i dosjeve nuk vonon për sa kohë dokumentacioni është i rregullt, dokumentacioni i dorëzuar.
Zoti Vehbi falënderon Boom për të gjithë sqarimet për dosjen e tij. Ai tha se më shumë ka harxhuar sesa do të marrë.
Vehbi Zhugri: Kam 25 vjet që i kam çuar dokumentet tek kthimi dhe kompensimi i pronave dhe sot u ka thënë që do jepen ato lekë, po do jepen me një vlerë shumë të ulët, që unë kam në qendër të Kavajës një tokë prej 180 metra katrorë. Vendi më i mirë që ka qenë dhe është sot për qytetin tonë. Është mu në sheshin e Kavajës, mu në qendër.
Gazetarja: Ju çfarë do vendosni, do aplikoni për këtë kompensim?
Vehbi Zhugri: Sot për sot jo, sa të bëj dokumentet. Derisa u gjendën dokumentet se unë kam bërë disa gjyqe për këtë vendim dhe do aplikoj në janar.
Disa nga dokumentet mund të jenë në dosje dhe nuk ka nevojë të përsëriten , ato që mungojnë ose ka ndryshuar diçka në lidhje me trashëgimtarët ato duhet t`i përsërisni.
Mesa di unë janë shumë të rregullta me vendimet e gjyqit, dhe me personat që kam në familje.
Vlera është për të qeshur, është shumë shumë e ulët. 13 milion lekë të vjetra, është turpi më i madh. Na bie nga 1 milion lekë për person (sepse ka dhe motra dhe vëllezër të tjerë që do marrin pjesën e tyre tek prona e babait). Kur kushedi sa më kanë marrë me avokatë, 50 mijë lekë një letër. Kushedi sa kam harxhuar me ato .
Gazetarja: Pra ju nuk merrni dot as lekët që keni shpenzuar? Jo, nuk i merr dot.
Vehbi Zhugri: Këtu unë nuk kam lënë kohë pa ju ardhur, ju a kam treguar letrat dhe juve që kam ardhur më kanë kthyer mbrapsht, po nuk ja harroj kurrë derisa të vdes emisionit Boom. Faleminderit shumë emisionit Boom se ai e qiti këtë në dritë, se asnjëherë nuk dilte kjo dosje./Ora News