Nga: Artan Fuga
Unë nuk jam asfare ruajalist kur bëhet fjalë për rastin shqiptar. Nuk kemi këllqe si komb numerikisht i vogël, vend me territor të vogël, të kemi një mbret-mbretëruc, sepse do të ishte një lolo i të huajve, ose do të mblidhte rraqet e do të ikte me fortunën më të parë në portin e Durrësit, ose një pordhac narcist pallatesh, asgjë më shumë!
Por kjo nuk do të thotë që nga shkencat dhe filozofia politike, nisur nga Makiaveli, nga Hobessi, nga këta filozofë të mëdhenj të Rilindjes Evropiane, të mos vlerësoj madhështinë e një mbretërie të vërtetë, në një komunuelth popujsh ku Dielli nuk perëndon kurrë.
Këto më erdhën ndërmend mbrëmë kur në çast, i zgjuar ende, mora vesh ndarjen nga jeta, nga ne, të Mbretëreshës së Madhe, Elisabeth II.
Trishtim, e dija të pavdekshme, kisha dëshirë që të kishte ndodhur e pamundëshmja, ajo që thoshin mitologjitë urbane, sikur ajo paskësh pasur origjina jashtëtokësore!!!
Trishtim i madh! Por edhe moment reflektimi!
Nuk mungojnë sot gazetarë në mediat ndërkombëtare ta paraqesin me të gjithë madhështinë 70 vjeçare të mbretërimit të Saj. Një Mbret nuk është një demagog rruge që sa më pak të rrijë në pushtet aq më mirë është. Një Mbretëreshë e Madhe bëhet aq më e mirë sa më shumë vite kalon në fronin e vet mbretëror. Eshtë si vera e vjetër që fisnikërohet me kalimin e kohës!
Por ka edhe ndonjë gazetaruce të huaj që nuk kupton asgjë çfarë ishte e madhja Mbretëreshë, dhe thotë se ajo ishte si një gjyshe bonaçone e kombit. Po, patjetër, kishte zemër të madhe, por ajo nuk ishte atje thjesht si gjyshe e vjetër që e bëjnë deputete për ta tallur, apo thjesht për demagogji dhe ajo nuk e kupton dot!
Froni i Elizabetës këtë shekull, ndofta fakti më i madh politik që tejshkoi dy shekuj, mbështetej në një traditë katërqindvjeçare, kur në shekullin e 17-të landlordët, pronarët e tokave, në Angli, nisën t’i japin tokat për të mbjellë bar për delet, dhe me leshin e deleve, të punonin fabrikat tjerëse në qytete. Pak a shumë!
Që këtu u thurr edhe kompromisi i madh midis fisnikëve të tokave dhe burgerëve, tregtarëve, industrialistëve të qyteteve. Këtu ndodhi Kompromisi i Madh midis tyre që në një farë mënyre ruajti edhe mbretërinë, por edhe një parlament të fortë të zgjedhur nga populaca laramane urbane.
U bë kompromisi midis Njëshit gati hyjnor dhe shumicës së njerëzve të vdekshëm!
Këtej edhe fakti që puntorët e qyteteve nuk ranë preh e ideologjive totalitare naziste, fashiste, bolshevike për të çuar në diktatura. Klasa sunduese ishte e fortë, kurse puntorët nuk gjenin dot aleatët në fshatarësi, sepse fshatarët kishin vajtur në qytet.
Mbretëresha Elizabeth ishte simboli i ndarjes së vërtetë të pushteteve në botën moderne, nuk ishte thjesht një gjyshe e mirë që kryeministrat e vet ta merrnin për hunde a ta tallnin duke e bërë lolo!
Ajo nuk zgjidhej nga shumica parlamentare, nuk caktohej nga partia në format më të shëmtuara, qesharake, dhe groteske, nuk ishte pushtet që lindëte nga allishverishe politikanësh që shkonin gjenin ndonjë gjyshe duke luajtur yç për ta bërë të parin e shtetit, nuk ja kishte askujt borxh moral pushtetin e saj, nuk kishte asnjë pushtet ekzekutiv; por ama kishte tjetër. E para, pavarësinë që i vinte nga tradita monarkike e trashëgimisë të padiskutueshme, nga fakti që ishte mbështetur mbi një status social dhe ekonomik që nuk kishte Zot t’ja trondiste, nga arsyeja që ajo jepte bekimin e vërtetë që një kryeministër ta merrte mandatin, gjyqtarët e lartë, etj.
Ajo kishte aq shumë saqë nuk mund të arrihej nga demagogët mistrecë në luftën e tyre për pushtet. Këta mund të kishin parlamentin, qeverisjen, por kurrë Fronin e paluejtshëm të pushtetit. Por, edhe Mbretëresha e Madhe i kishte të gjitha, por nuk kishte diçka: Nuk mund të qeveriste, pra asnjë pushtet ekzekutiv! Kjo ishte ndarja e madhe, reale, e pushtetit!
Ekzistenca e saj bënte që asnjë kryeministër të mos kujtonte se ishte Zot! Mbi të kishte një Diell që ishte Zot, por që nuk kishte pushtet ekzekutiv. Kishte një pushtet shumë më të madh sesa aq! Dhe pushteti ekzekutiv të bën të kujtosh se je Zot, servilët të shohin si Zot, duke të urryer thellë thellë. Dhe aty përfundon pastaj gjithçka!
Ja pse masa popullore e adhuronte Mbretëreshën e Madhe tamam si në përrallat e magjishme të Andersenit me mbretër! Ja pse Mbreti i Madh ka shanset të bëhet Mik i Popullit, pikërisht për ta mbrojtur popullin e vet nga ata që ky popull zgjedh si depuetë, si ministra, a si kryeministra!
Thashë unë nuk jam ruajalist në Shqipëri, por kjo nuk më bën që të mos vlerësoj një mbret të vërtet më shumë se një milion demagogë mistrecë histerikë që manipulojnë turma për të marrë pushtet dhe u bërë zot në vend të Zotit!
Problemi i madh për ne shqiptarët nuk është të kujisemi dhe vajtojmë me hipokrizi për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës së Madhe. Vepra e Saj nuk humbet kurrë, veç sa mbulohet në trutë tanë të vegjël nga tekste shkolle mizerabël në histori dhe filozofi që i kanë shplarë trutë rinisë dhe gjithë popullit.
Sot është dita të mendojmë sesa e trishtët është për ne shqiptarët, ajo që po na shkatërron si komb, mosndarja reale e pushteteve. Kryetari i partisë që ka shumicën në zgjedhje, kryetari i parlamentit, kryeministri, presidenti, shefi i policisë, kryegjykatësi, ai që drejton mediat, kryetari akademisë të shkencave, avokati i popullit, etj.etj., janë në thelb i njejti person. Thashë person jo njeri, sepse ky person përbëhet fizikisht nga shumë njerëz, por në thelb është i njejti. Kështu ka qenë dhe kështu është. Ka qenë jo vetëm në këto tridhjetë vjet, por edhe në 50 vjet para këtyre 30 vjetëve, edhe më parë, edhe më parë.
Prandaj ka pasur edhe shqiptarë, ndofta konservatorë, që mbretëruc për mbret, më mirë kanë dashur një Sulltan të vërtetë dhe larg, sesa një sulltanuc afër!
Këto janë paradokset e historisë sonë!
Shqipëria nuk ka nevojë për një mbretëruc që në një çast tha apo thotë: Tani mbreti jam unë! Pavarësisht se mbreti i dikurshëm mustaqespicë ka bërë edhe plot gjëra të mira. Shqipëria nuk ka nevojë për mbretuc, por ka nevojë për mbretëri. Por dale, dale, mbretëri mund të kemi, por nuk kemi dot kurrsesi një mbret! Nuk po flas të jetë si Elizabeth e Madhe sepse Ajo ishte gati hyjnore, por edhe dikë njëmijë herë më të vogël!
E pamundur! Sepse te ne nuk është ajo traditë e kompromisit të madh midis fisnikëve dhe burgerëve, etj, etj!
Thomas Hobbesi gjigand ka vërtetuar, po ashtu si Njutoni i madh vërtoi ligjin matematik të tërheqjes universale, se një shtet “dridhet” si qen i tërbuar, kurrë ka nevojë për mbretëri, por nuk bëhet dot mbretëri. Si qeni që do ujë, por nuk pi dot ujë dhe çmendet, kafshon të Zotin, spërdridhet rreth bishtit të vet, dhe pastaj plandoset në tokë me jargë në buzë. Jargë të bardha!
Ne në fakt jemi rasti më i tmerrshëm! Në dekada të tëra që nga 1912 nuk kemi qenë formalisht mbretëri, por në fakt pushteti ka qenë mbretëri jo kushtetuese. Jo kushtetuese në kuptimin mbretëri e paligjshme! Kemi pasur në pushtet mbretëror të pashpallur, ose të vetëshpallur kur Mbreti shef veten në pasqyrë çdo mëngjez!
Pra kemi pasur mbi shpinë dhe luftën për pushtet, edhe pushtetarin e zgjedhur që pastaj ka përvetësuar pushtetin si me qenë Monark, por i paligjshëm, kemi pasur edhe revoltën e demagogëve ose të sinqertëve që kanë dashur të hedhin me kokëposhtë monarkun jokushtetues. Prandaj udhëheqësit tanë shpesh kanë përfunduar duke u përmbysur, duke u urryer, duke u gremisur shkallëve të pallateve të brigadave (hahahaha edhe pallat mbretëror edhe i brigadave), dhe jo duke u ndarë nga jeta mes respektit të thellë, përuljes, kujtimit hyjnor, sikurse anglezët, popujt e komunuelthit, popujt e mënçur të botës ndahen këto ditë nga Elizabeth e Madhe!
Cfarë kombi, çfarë shteti, çfarë Mbretëreshe!
Qani pra, por jo për të! Nuk e arrijnë dot lotët tona Atë, Hyjnoren, Atë jashtëtokësoren! Jemi shumë të vegjël që piskamat tona të vogla të shkojnë në “veshët ” Shpirtit të Saj! Si në çdo vdekje hajde qajmë për fatin tonë të vjetër. Mbajmë zi për veten tonë!
Do të ketë nga këta që kurrë nuk kanë ndarë pushtet që do të na flasin këto ditë për Atë, Hyjnore, Atë që ishte simboli i ndarjes të pushteteve!
Por, nuk është fatalitet! E ardhmja del nga ditët e trishtimit! Në ditët e zisë njeriu nis të mendojë që sigurisht nuk e arrin dot perfekten, por ka mundësi që të përmirësohet. Hapi i parë është të kuptojë ku fle lepuri.
Sot, me ikjen e Saj Madhështore, të qetë, fisnike, Elizabeth e Madhe na thërret: O ndarje reale pushtetesh, ose do të vuani si qenër të tërbuar. Ashtu sikurse e ka parashikuar Njutoni i Madh i shkencave politike, Sir Thomas Hobbes!