Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg dy ish-deputetët socialistë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.Gjyqtari Bip Ndreca ka lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ të dhënë më herët për ta.
Pas vendimit, avokati i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Çuko dhe ish-deputetit Ndoka, Maks Haxhia, e cilësoi një proces skandaloz dhe antiligjor.
Maks Haxhia: Fatkeqësisht ju sot nuk ishit në sallë dhe ky ishte një skenar i mirërregulluar dhe mirëfunksionuar. Juve fillimisht u dhënë informacion nga Prokuroria, ju atë informacion e hodhët në opinion. Por po të ishit sot në sallë do të krijoni një opinion tjetër. Proces më skandaloz, qesharak dhe antiligjor nuk kam parë ndonjëherë në 37 vjet të karrierës sime.
Pyetje: Ku qëndron paligjshmëria?
Haxhia: Së pari, ligji thotë që çdo i arrestuar trajtohet veç e veç. Atje janë futur 44 veta në sallë dhe imagjinoni si ka shkuar procesi. Por ajo çfarë ishte më qesharakja që na bën ne katërcipërisht të bindur që ky proces është i montuar nga prokuroria ose dhe më poshtë se prokuroria, është prezantimi i vendimit të gjyqtarit të çështjes, i cili në mes të seancës deklaroi se “unë nuk e kam ditur që zonja Mimoza Ndoka ka qenë me fëmijë të vogël dhe i është çuar dhe fëmija për ta ushqyer gjatë kësaj kohe që ka qëndruar. Një gjyqtar kur merr një proces e sheh me kujdes në të gjithë detajet e saj. Veç saj ishin dhe tre të moshuar ku vetë ligji thotë: Ndalohet caktimi i masës së arrestit me burg personat që janë mbi 70 vjeç dhe për gratë që kanë fëmijë të mitur”. Duke ditur këtë, gjykata vetëm ka marrë flashin nga prokuroria dhe e ka futur në kompjuterin e vet.
Pyetje: Akuzat?
Haxhia: Akuzat janë një episod tjetër më skandaloz, lidhen persona që as nuk njohin njëri-tjetrin.Lidhen persona që arrin deri aty sa thotë, unë akuzohem se kam prona por unë nuk kam asnjë pronë. Një të arrestuare aty i thonë ti kryer favore në emër të atij që është burri yt, një që nuk kishte lidhje. Kjo është qesharake, çfarë martese fiktive nga drejtësia! Gjyqtari e ka marrë çështjen në 20 dhe ka dhënë vendimin në 21 kur vetë çështja ka 13 fashikuj, dhe ne nuk e kemi studiuar dosjen vetëm jemi nisur tek vendimi dhe ca telefonata që kemi parë lidhur me të pandehurit. Unë isha avokati i zotit Arben Çuko dhe Arben Ndoka.
Proces i montuar
Janë montuar fakte dhe i janë servirur opinionit dhe juve që nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën. Përgjimet flasin për periudha kohore në 5-6 muaj ata i paraqesin sikur janë në 10 ditë. Ndaj kërkova të ishit ju në proces. Fakti që gjykata refuzoi që ju të ishit të pranishëm në proces më krijoi bindjen që jemi para një procesi të montuar.
“Kurbanët” e intergrimit të Shqipërisë në BE
Në revoltim e sipër u hodhën dhe pretendime se politika është në mes, ne jemi “kurbanët e integrimit”.Gjithë kjo bëhet për shoë për ti treguar botës se u kap një grup i strukturuar kriminal që nuk ka të bëjnë fare me njëri-tjetrin, vepra konkrete për të cilat akuzohen.
Ryshfeti për transferimin e të dënuarit
Sipas materialit që ka dhënë prokuroria ka një ndërhyrje përmes shoferit të zotit Çuko kur ishte Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve për të transferuar një të burgosur nga Burreli në Peqin. Vetë Çuko, po të shikoni dhe bisedat telefonike, i është drejtuar drejtorit të burgut që në asnjë mënyrë nuk duhet lëvizur ky se këtu konstatoj pislliqe.Procedura ka filluar me 20 mars, Çuko e ka pezulluar dhe nuk e ka bërë këtë transferim. Në 9 korrik është bërë transferimi sepse personi që ishte i burgosur dhe një person tjetër kanë denoncuar një oficer policie që sot ndodhet në burg dhe për shkak të procedurave që është praktikë pune në burgje, kur kallëzohet një oficer policie është e detyrushme për komandën e burgjeve të bëjë transferimin. Çuko ka dhënë me shënim që urdhërohet transferimi i këtyre për arsye sigurie. Nuk ka mundësi të jepet ryshfeti në mars dhe transferimi të bëhet në korrik. Prokuroria nuk jep data qëllimisht.
Emra të tjerë të implikuar në dosje
Me sa kam parë unë fashikujt është skandaloze të pretendohet se këtu jemi para një grupi ku janë përfshirë personalitete të larta, deputetetë, Ministra apo kryetarë bashkish. Mesa kam parë 13 fashikujt e çështjes nuk ka asgjë. Nëse kanë të fshehura, nuk e di.
“Të fortët” e Shijakut
Nuk jep asgjë dhe për vëllezërit Avdylaj. Nuk jep asnjë episod ku janë të përfshirë në trafikim. Vetëm jep episode të shkëpura që nuk kanë asnjë lidhje me një aktivitet kriminal.Të gjithë janë në pozita mohimi dhe kundërshtimi të asnjë veprimtarie.
Laboratori i Hasit
Nuk është përmendur në material fare.
Dy ish deputetët PS kërkuan veçimin e dosjes nga ajo “Vol-vo 4”
Paraditen e sotme, të shoqëruar me policë dy ish deputetët Arben Çuko dhe Arben Ndoka kanë hipur në makinën e policisë për tu dërguar drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Sot është seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë.
Avokatët kanë kërkuar që dosja e tyre të veçohet nga ajo e të arrestuarve në kuadër të operacionit Vol-vo4 për akuzën e trafikut të drogës dhe grup të strukturuar kriminal.
Arben Çuko akuzohet si i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën shtetërore. Ndërkohë Ndoka akuzohet për “tjetërsim prone”
Pritet që gykata të marrë vendimin.
Pergjimet
Emrat e dy ish deputetëve kanë dalë nga përgjimet e Prokurorisë prej vitit 2016 ndaj grupit të vëllezërve Avdyli që trafikonte drogë nga Shijaku.
Nga përgjimet rezulton se ish-Drejtori i Burgjeve, Arben Çuko, ka marrë një makinë luksoze si ryshfet për transferimin e një të dënuari si vrasës me pagesë në një burg të sigurisë së zakonshme. Ndërkohë ish-deputeti, Arben Ndoka, ka qenë në dijeni të trafikut të drogës nga nipat e tij dhe është implikuar në tjetërsimin e pronave tek “Rana e hedhun” në Lezhë.
Në kuadër të operacionit “Vol-vo4 ” janë arrestuar 27 persona të cilët të gjithë do të dalin sot për masë sigurie./Oranews/