Të gjithë maturantët që nuk arritën dot të plotësojnë në kohë Formularin e Aplikimit për në universitete do të kenë një shans të dytë duke filluar nga data 15 shtator, njofton Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Portali Online i Maturës Shtetërore do të rihapet për një raund të dytë regjistrimesh, që do të mbyllet në datën 22 shtator. Maturantët e interesuar do të mund të kryejnë aplikimet në datat e paracaktuara përmes një kalendari, sipas qarqeve përkatës. Kandidatët do të kenë të drejtë të zgjedhin deri në 10 preferenca.
Ndërkohë që maturantët do të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën e 2 mijë lekëve, mandatin e së cilës do ta dorëzojnë në shkollën ku këta kandidatë kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z.
Publikimi i librit të transparencës do të shërbejë për saktësimin e të dhënave të tyre.