Margaret Theçer, “gruaja e hekurt” që bëri histori

Disa gra e kanë ndryshuar vërtet imazhin dhe rolin e grave në histori. Margaret Theçer u bë udhëheqëse e Partisë Konservatore britanike, ndërsa në vitin 1979 u zgjodh kryeministre, si gruaja e parë në atë post.

Gjatë tre mandateve të saj ajo reduktoi ndjeshëm programet e mirëqenies sociale, dobësoi fuqinë e sindikatave dhe privatizoi disa industri të rëndësishme. Theçer dha dorëheqjen në vitin 1990 për shkak të politikave të saj jopopullore dhe luftës për pushtet brenda partisë së saj. Ajo vdiq më 8 prill 2013, në moshën 87-vjeçare.

Kryeministrja e parë grua në Britaninë e Madhe

Kur konservatorët u rikthyen në pushtet në qershorin e vitit 1970, Theçer u emërua

Sekretare e Shtetit për Arsimin dhe Shkencën. Në atë kohë mori nofkën “Theçer, rrëmbyesja e qumështit”, pas anulimit të skemës për shpërndarjen e qumështit falas në shkollë për fëmijët.

Mesa duket jo shumë optimiste mbi të ardhmen e grave në politikën britanike, Theçer u citua të thoshte gjatë një interviste televizive në vitin 1973:“Unë nuk mendoj se Britania do të ketë një kryeministre grua sa të jem unë gjallë”.

Por shumë shpejt rezultoi që ajo ta kishte gabim. Kur Partia Konservatore e humbi pushtetin në vitin 1974, Theçer u bë një forcë dominuese në partinë e saj. Ajo u zgjodh drejtuese e Partisë Konservatore në vitin 1975.

Me këtë fitore, Theçer u bë gruaja e parë që shërbeu si udhëheqëse e opozitës në Dhomën e Komunëve. Britania gjendej në atë kohë në një periudhë trazirash ekonomike dhe politike, me qeverinë që ishte gati e falimentuar, papunësinë në rritje dhe me konflikte të forta me sindikatat e punëtorëve.

Ai destabilitet i ndihmoi konservatorët të riktheheshin në pushtet në vitin 1979. Si udhëheqëse e partisë, Theçer hyri në histori në majin e atij viti, kur u emërua si kryeministrja e parë grua e Britanisë së Madhe.

Udhëheqësja konservatore

Si kryeministre e vendit, Theçer luftoi kundër recesionit ekonomik. Në fillim ajo rriti normat e interesit për të kontrolluar inflacionin. Më pas u bëmë e njohur për shkatërrimin e industrive tradicionale britanike përmes sulmeve të saj ndaj organizatave sindikaliste, si sindikata e minatorëve, apo edhe për privatizimin masiv të banesave publike dhe transportit publik.

Lexo edhe :   Histori/ Si lindi mania e dhënies së autografëve

Një nga aleatët e saj më të afërt ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara,Ronald Regan, një tjetër konservator. Të dy kishin filozofi të ngjashme politike të krahut të djathtë dhe pro-korporatave. Në mandatin e saj të dytë, gjatë viteve 1983-1987, Theçer menaxhoi një sërë konfliktesh dhe krizash, ku me shumë gjasa më tronditës ishte atentati që iu bë asaj në vitin 1984.

Sipas atentatit të përgatitur nga Ushtria Republikane Irlandeze, ajo do të vritej nga një bombë e vendosur në sallën ku mbahej konferenca e Partisë Konservatorëve në Brajton në tetor të atij viti. Fatmirësisht ajo mbërriti me vonesë dhe shpërthimi nuk e dëmtoi. Pavarësisht ngjarjes së rëndë, Theçer këmbënguli që konferenca të vazhdonte dhe mbajti një fjalim të nesërmen.

 Filmi që na tregoi fytyrat e ndryshme të “gruas së hekurt”

 Edhe kinemaja na ka rrëfyer mbi këtë figurë historike, me interpretimin mjeshtëror të Meril Strip. “Zonja e Hekurt” është një film i vitit 2011 me regji të Filida Lloid, që tregon jetën e ish-kryeministres britanike. Për interpretimin e saj në këtë film Strip fitoi Oskarin e saj të tretë në karrierë.

Kritikat ishin të ndryshme. Nga njëra anë u vlerësua interpretimi i Meril Strip, ashtu si edhe truku, efektet speciale dhe regjia. Por ndërkohë janë vërejtur disa pasaktësi historike, sidomos nga fëmijët e vetë ish-kryeministres britanike.

Imazhi i fortë që e trazoi jo pak opinionin publik, është ai i ish-kryeministres të sëmurë nga sëmundja e demencës. Kjo pasi në jetën reale Theçer ishte vërtet në fazat e fundit të luftës së saj me sëmundjen e Alzheimerit.

burimi: https://libreriamo.it/storie/margaret-thatcher-la-donna-di-ferro-che-ha-segnato-la-storia

Përshtatur nga Tirana Today