Marco Asensio pasi u inkuadrua në fushën e lojës në sfidën me PSG, ndryshoi komplet ritmin dhe i dha një fytyrë të re sulmit madrilen. Aftësitë e tij janë të jashtëzakonshme dhe këtë e di mjaft mirë edhe klubi i Real Madrid. Bosi i madrilenëve, Florentino Perez ka qenë i qartë me ekipet që dëshirojnë ta kenë në anën e tyre Asension dhe u ka bërë të qartë se sa vlen ai.
“Nëse e kërkon ndonjëri, ai vlen për ne 700 milionë”, deklaroi presidenti Perez. Lajmin e publikon media spanjolle ‘Mundo Deportivo’. Sulmuesi i ri, sipas të njëjtës të përditshme spanjolle, ka refuzuar gjatë merkatos së verës një ofertë të mbërritur nga Anglia, në shumën e barabartë me 150 milionë euro. Ndërkohë, në fund të ndeshjes në Bernabeu, ka folur edhe numri një i klubit të PSG, Nasser Al-Khelaifi, duke iu përgjigjur aludimeve mbi një transferim të Neymar te Real Madrid. “Braziliani te Real Madrid? E pamundur, ka zero mundësi që ai të largohet”.