Kim Mehmeti/Pas votimit të qeverisë së re të drejtuar nga LSDM-ja, Maqedonia u shkëput nga gjysma maqedonase e regjimit të deridjeshëm antishqiptare DPMNE-BDI. Por, siç duket, jo edhe nga rrugaçëria dhe banditizmi partiak shqiptar, që deri dje, i shkërbeu si mbulesë antishqiptarisë së qarqeve policore e politike të VMRO-DPMNE-së.
Andaj duket se edhe drejtuesit e sotëm të Maqedonisë, duan të sundojnë sipas mendësisë se shqiptari i korruptuar është i mirë për pushtetin, ndërkaq shqiptari i nënshtruar, i dobishëm për shtetin. Edhe atë vetëm pse shqiptarin e korruptuar e kontrollon sunduesi maqedonas, ndërkaq shqiptarin e nënshtruar, e ndrydh dhe e shtrydh banditi partiak shqiptar!
Po pra, Maqedonia tani ka qeveri të re, por shumëçka paralajmëron se edhe e nesërmja, shqiptarëve të këtushëm, do u ofrojë po atë që e jetonin deri dje: të jenë pushtetarë pa shtet dhe të pëlqyerit e faktorit ndërkombëtar- si komunitet “pro-evropian” që e flijon vetveten, për ta mbrojtur shtetin!? E me çka Maqedonisë i mundësohet ta blejë shumë lirë të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm, duke i avancuar ata në këste si “qytetarë”, por duke i shpërfillur e asgjësuar si shqiptarë.
Pra, Maqedonia do vazhdojë të drejtohet sipas logjikës së ndërtuesve të saj të natyrshëm – maqedonasve dhe “armiqve” të saj të përjetshëm – shqiptarëve. Maqedonia, pra, do vazhdojë të drejtohet sipas mendësisë se shqiptarëve u bie në hise përgjegjësia dhe garantimi i stabilitetit të shtetit, e maqedonasve sundimi dhe vjelja e tij.
Po, Maqedonia e sotme ka qeveri të re. Por, siç duket, edhe kjo qeveri është e “paketuar” sipas mendësisë së vjetër, apo sipas logjikës së sunduesit maqedonas dhe vasalëve shqiptarë. Kjo do të thotë se këtij shteti edhe më tej do i duhen burrështetas të kontrolluar dhe qytetarë të nënshtruar shqiptarë. Diçka që Maqedonisë mund t’ia sigurojnë vetëm partiakët hajdutë e të korruptuar shqiptarë dhe banditët e pakontrolluar të partive shqiptare. Banditë partiakë shqiptarë, të cilët nuk i kap ligji, përderisa ata e dëmtojnë shqiptarinë, përderisa e kriminalizojnë shoqërinë e këtushme shqiptare dhe përderisa janë bartës të rolit kryesor në filmin: “Vetëm shqiptari, ia ha kokën shqiptarit!”
Dhe kush nuk e beson këtë le të shëtitë nëpër vendbanimet shqiptare dhe le të shohë se cilët janë të fortit e “mëhallëve” të atjeshme. Si dhe le të shohë se cilët janë shumica e votuesve të LSDM-së maqedonase, me çka do e kuptojë se shqiptari bëhet më ‘shka se shkau’ kryesisht atëherë kur ndonjë ‘sasho’ i DPMNE-së, apo ndonjë ‘verushevski’ i LSDM-së, i ofron atij siguri, edhe atëherë kur merret me hajni!
Po pra, Maqedonia e sotme është shkëputur nga pjesa maqedonase e regjimit më shkatërrimtar e më antishqiptar që ka pasur ndonjëherë gjer më tani ky vend, nga regjimi DPMNE-BDI, por siç duket, jo edhe nga mendësia se, sa më të ulët e ka politikani shqiptar moralin, aq më të butë duhet ta ketë kolltukun e pushtetarit. Gjë të cilën në njëfarë mënyre e dëshmon pjesa shqiptare e qeverisë së re të LSDM-së, e kësaj qeveria që ngjan në ‘kazan’ të mbushur me mbeturinat politike shqiptare, që duhen ricikluar për përdorim të mëtejshëm. E ku bëjnë pjesë qeveritarë të deridjeshëm të BDI-së dhe disa nga “bashkuesit” e deridjeshëm të opozitës shqiptare, “opozitarë” që të shajnë me të gjallë e të vdekur, që të shpallin ‘qafir’, ‘malok’ e kopil, vetëm pse u thua: o të sëmurë për pushtet, shituni ku të doni e kujt të doni, por mos e përbuzni popullin tuaj duke ia dëshmuar palës maqedonase se s’ka shqiptar që nuk shitet, por ka sundues maqedonas që atë nuk do ta blejë!
Dhe pas gjithë kësaj që u tha më lart, shtrohet pyetja: çka duhet të bëjnë shqiptarët e Maqedonisë? Artikullshkruesi nuk pretendon se i di përgjigjet e të gjitha pyetjeve, por sa për vete, ndjehet mburrshëm kur i dëgjon fjalimet e deputetëve të Lëvizjes Besa. Fjalime dhe veprime politike që ia shtojnë besimin se politikës së shqiptarëve të Maqedonisë, i kthehet mençuria dhe ndershmëria. Dhe pa marrë parasysh se çka thuhet për këtë Lëvizje, autori i këtij teksti e pranon se gjithmonë se do jetë përkrah të mençurve dhe të ndershmëve, si dhe kundër injorancës dhe banditizmit partiak, që e çoi popullin e këtushëm shqiptar ta humb besimin në vetvete .
Autori i këtij teksti gjithashtu e shpalosë edhe bastin e vet publik se, nëse Maqedonia nuk hekë dorë nga mendësia përbuzëse ndaj shqiptarisë, atëherë ajo është duke e ecur dhjetëvjeçarin e saj të fundit. Ecje që do varet edhe nga rritja e numrit të shqiptarëve të Maqedonisë, që do flasin shqip, por do mendojnë maqedonisht! Pra që do varet sa do jetë i suksesshëm projekti i LSDM’së për prodhimin e shqiptarëve me mendësi ‘qytetare’, por që do votojnë për partitë maqedonase. Edhe atë në këtë Maqedoni ku – siç tregojnë gjitha anketat – mund të gjesh maqedonas që do votonin për ndonjë parti rome, turke apo serbe, por as një të vetëm, që do mbështeste ndonjë parti ‘armike’ shqiptare! Pra në këtë Maqedoni e cila thuajse e synon të pamundurën: që shqiptarët e këtushëm të mos ëndërrojnë shqip, por maqedonisht! Synim që e mbështesin edhe disa qarqe zyrtare në Tiranë e Prishtinë, ku heroizohen shqiptarët që flasin shqip, e mendojnë maqedonisht, por demonizohen ata që thonë: më shumë se sa Maqedonisë, i besojmë shqiptarisë dhe Zotit!