Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka drekuar sot në Bllok me ambasadorin amerikan, Donald Lu.
Pas fjalës së mbajtur në seancën e sotme parlamentare dhe pas homazheve në memorialin e Azem Hajdarit, Basha nuk është kthyer më në Parlament. Arsyeja është pikërisht takimi me ambasadorin Lu, me të cilin kreu i PD-së ka drekuar sot.
Dreka zhvillohej në momentin që Berisha po diskutonte në Kuvend për programin e Qeverisë “Rama 2”, dhe ka zgjatur rreth 1 orë.
Takimi i Bashës me Lu-në vjen një ditë pas takimit të këtij të fundit me ambasadoren greke në një lokal pranë Kuvendit. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë paksa të tensionuara, pasi Greqia paralajmëroi veton e saj ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë pas probleme me pronat e një grupi minoritarësh në jug të vendit.
Në përfundim të drekës, ambasadori i SHBA dhe Basha nuk pranuan që të prononcohen për mediat.