Lulzim Basha është shprehur i hapur për dialog me Ramën, por me kusht qeverinë teknike.
Kreu i PD-së tha sot gjatë fjalimit në çadër, se nuk ka asnjë shpresë për dialog pas dy negociatave shterpë me Edi Ramën.
Gjithashtu, Basha tha se të shtunën do të shpallet falimentimi i Republikës së Vjetër.
FJALA E BASHËS:
“Dita po afron, Republika e Vjetër do të shembet për t’i hapur derë një Republike me qytetarët shqiptarë, që mund të vijë vetëm nga qytetarët shqiptarë me votën e lirë.
Këto janë ditët e fundit të Republikës së Vjetër. Për 4 vite me radhë, kupola e Republikës së Vjetër shkatërroi një nga një themelet e bashkëjetesës demokratike. Shkelën Kushtetutën, ligjin themelor të shtetit.
Kupola politika e Republikës së Vjetër ka këtë projekt, as demokraci, as drejtësi, as ekonomi, as shëndetësi dhe as arsim. Projekti i vetëm i saj ka qenë dhe mbetet pasurimi dhe pushteti i një grupi pushtetarësh më në krye Edi Ramën. Në funksion të këtij pushteti u sollën në krye të institucioneve kriminelë, që Edi Rama nuk i gjeti, por i solli në PS si vegla në projektin e tij të kapjes së shtetit.
Jo për të mirën e shqiptarëve, por vetëm e vetëm për pasurimin e tij dhe të çetës së tij në pushtet. Kjo është arsyeja pse Edi Rama e ka jetike kapjen e zgjedhjeve të ardhshme. Kjo është arsyeja se pse Edi Rama e ka jetike që Reforma në Drejtësi të mos bëhet sipas formulës euro-amerikane, por sipas formulës Rama-Xhafaj-Shullazi-Tahiri.
Miliarda euro u vodhën, një grusht njerëzish u pasuruan, shqiptarët u varfëruan, ekonomia u shkatërrua, vendet e punës u asgjësuan, arsimi në ditën më të zezë, studentët të diskriminuar, pensionistët me sytë përtokë. Kjo është vepra e krimit të Rilindjes dhe krimit të rilindur në nivele të larta shtetërore.
Për 3 vite e gjys ne bëmë betejë, në parlament, në konferenca për shtyp, por e vërteta nuk depërtoi dot derisa ju u ngritët dhe u bashkuat në këtë lëvizje madhështore.
Të vetmit që ia dolën t’i tregojnë miqve tanë në Bruksel, Berlin, Washington të vërtetën e Shqipërisë, ishit ju qytetarët shqiptarë, ishte ky bashkim i madh. Sot, Europa mbarë e njeh problemin e drogës, krimit dhe korrupsionit. Sot, të gjithë aleatët tanë e kanë pranuar se Edi Rama e zhyti Shqipërinë në një kolaps.
Sot të gjithë e dinë se shumica e qytetarëve janë në këmbë e në këmbë do të qëndrojnë derisa të sigurojnë zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike.
E di gjithë bota, e dinë miqtë e shumtë të Shqipërisë se rrugë tjetër nuk ka, por një njeri i vetëm qëndron si pengesë.
Nuk ka negociator në botë ta bëjë Edi Ramën t’i pranojë faktet për krimin e drogën. Unë e shpresoj dhe jam i gatshëm të marr përgjegjësitë e mia për dialog, shpresoj dhe i lutem Zotit për dialog, por pas dy negociatave shterpë nuk kam asnjë shpresë se Rama do i përgjigjet negociatave.
Ndaj data më e rëndësishme është data 13 maj, ora 12 në mes të Tiranës ku së bashku do bashkohemi.
Të shtunën shpallim falimentimin e Republikës së Vjetër!”