Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku, dy artistët e Ansamblit të Valleve dhe Këngëve Popullore, u nderuan me “Nderi i Kombit”.
Dekorata iu dorëzua dy valltarëve nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një ceremoni ku të ftuar ishin drejtues, kolegë dhe artistë të institucionit.
Motivacioni për dy nga ikonat e Ansamblit të Valleve dhe Këngëve Popullore është ‘për kontributin e jashtëzakonshëm si solistë me nivel të lartë artistik dhe mjeshtëri të veçantë në interpretimin e valleve shqiptare dhe në promovimin vlerave të trashëgimisë sonë kulturore si brenda dhe jashtë vendit’.
Ndërsa Presidenti Meta në “Facebook” shkroi: Të dashur miq, ishte privilegj të vlerësoja sot me dekoratën “Nderi i Kombit”, Liliana Cingun dhe Rexhep Çelikun, dy emblema të jashtëzakonshme të artit dhe kulturës shqiptare, që me pasion, përkushtim dhe punë të palodhur janë kthyer në simbole mbarëkombëtare dhe frymëzim për artistët e rinj.
Lili Cingu dhe Rexhep Çeliku janë dy nga artistët që kanë bërë historinë e Ansamblit të Valleve dhe Këngëve Popullore, që në 2017 festoi 60 vite histori dhe që është vlerësuar me çmimin “Gjerdani i Artë”, në konkursin mes ansambleve në Francë të vitit 1970.