Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike në Lezhë do të marrin pagesën që u takon pas tre muajsh bllokim.
Ngërçi i krijuar në Këshillin Bashkiak, tashmë është zgjidhur pas miratimit të ndihmës ekonomike të tre muajve së bashku.
Kristjan Gjidodaj, kreu i Këshillit Bashkiak në Lezhë u kërkoi ndjesë familjeve në nevojë për vonesën, ndërsa garantoi se ky problem nuk do të përsëritet:
“Tashmë ngërçi që ishte krijuar me Këshillin Bashkiak nëpër seanca gjyqësore është zgjidhur. Ju kërkojmë ndjesë të gjithë familjeve në nevojë dhe i garantojmë se vonesa të tilla nuk do të krijohen më dhe do jemi në shërbim të qytetarëve.”
Gjithashtu, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u zgjodhën me shumicë votash si anëtarë të rinj të qarkut Aleksandër Noka, Emirjan Lazri, Fran Lleshi dhe Roland Velaj, si dhe u bë shkarkimi i nënkryetarit të Këshillit Bashkiak Hasan Muça, i cili vinte nga radhët e LSI-së, ndërsa në vend të tij u emerua Agetina Sulaj e Partisë Demokratike.