Nga Sokol Balla
E fus këtë letër në një shishe dhe po e hedh në detin Adriatik. Eshtë kufiri ynë detar me Europën por ska asnjë pengesë dhe kjo shishe me gjasë do ecë larg përmes Mesdheut. Më pas nga rryma e ngrohtë që del jashtë në Atlantik nga Gjilbraltari, ndoshta rrëmbehet nga turbullira e rrymave të Golfstrimit dhe shkon në gjirin e Biskajës, e prej andej ndoshta ndalon o në brigjet e Bretanjës, o në portin e Roterdamit, o ndoshta më larg e i kalon afër Hamburgut e më pas ndalon në Kopenhagen. Në të gjitha këto vende sot ka shqiptarë, nga ata udhëtarët e pasigurt të Tranzicionit, që lanë pas një vend pa shpresë, për tu ngulur e ngritur kasollet e tyre të vockla në brigjet e pasura europiane. Shumë prej tyre sot janë më mirë sesa ishin dje. Dikush jeton me djersën e ballit, dikush në qeli, si pjesë e atij 0.4 perqindshit të famshëm kriminal që na thonë se kemi në Holandë.
Por këtë shishe mund ta marrë edhe ndonjë spanjoll, francez, gjerman, danez apo holandez fluturues. Ata duhet ta kuptojnë se sot humbën një aleat të vogël. Më saktë është akti i fundit i një dashurie të refuzuar prej shekujsh nga një kontinent që i duket se Ballkanin nuk e ka pjesë të tijën, porse i është ngjitur atij si një çamcakëz bezdisës në çizme dhe që mezi pret ta heqë. Dhe për ta bërë këtë, ka shkaktuar luftra. Tani kur fjala luftë është më e rrezikshme sesa 100 vjet më parë, vëllëzerit tanë europianë që s’na duan, zgjodhën të na luftojnë me armën më moderne të kohës: Gënjeshtrën.
Sepse duhet t’i qëndrojmë të vërtetës në sy: Për ne shumicën e shqiptarëve, Europa është ajo ku ikim e udhëtojmë pa viza. Ca për pushime, ca për biznes, ca nga halli e varfëria, e ca të tjerë sigurisht për të abuzuar. Me një fjalë si gjithë të tjerët. Si Italianët drejt Amerikës, si Grekët drejt Anglisë, si Turqit drejt Gjermanisë, si Kosovarët dikur drejt Zvicrës. Për ne integrimi europian duket vetëm kaq, por sigurisht nuk është. Eshtë edhe para, investime, qindra miliona euro për Bujqësinë, Infrastrukturën, Demokracinë. Por këto i dinë më shumë politikanët. Ne dimë që e kemi vendin në Europë. Kush ka dyshim, të shohë Ermonela Jahon, Saimir Pirgun, Rame Lahajn, Granit Xhakën e gjithë plejadën dje dhe sot të artistëvë, sportistëve, e më pak shkencëtarëve, që çanë me mbiemrat e tyre paganë e shqiptarë, me emra zogjsh, pemësh, lulesh e malesh, të barabartë, në mos më të mirë se europianët “doc”. Vjet dy eventet më të mëdha sportive të botës, u hapën nga artistë shqiptarë, Dua Lipa finalen e Champions dhe Era Istrefi finalen e Botërorit. Ndoshta vëllezërit tanë mohues nuk e dinë, por të gjithë këta janë shqiptarë.
E megjithatë ka dhe një të vërtetë të madhe për arsyen e suksesit të shumicës absolute të këtyre yjeve botërore të parametrave të Rita Orës, Bebe Rexhës, Shkodran Mustafit apo Ermal Metës: Shumica e tyre janë refugjatë ose kanë lindur nga familje emigrantësh e pas shumicës prej tyre fshihet një tragjedi. Familjare, personale apo kombëtare. Nëse nuk do të kishin ikur në Europë, shumë prej tyre ndoshta nuk do t’ia kishin dalë. Vijnë nga një komb i copëtuar, i torturuar, i keqtrajtuar, i vendosur gjithmonë në Ligën B të krenarisë së kombeve dhe talentet e kushedisesa Duave, Ermalëve e Muradëve vdiqën në kampe lufte, përqëndrimi, ose në miret e betonta të pallateve të ndyra shqiptare të komunizmit. Shiftari, na quajnë serbët, po pak vetë e dinë se me këtë kanë parasysh karrocierët. Ne, kombin e Kalorësit të Krishtërimit, Skënderbeut, prej shekujsh tentojnë të na mbysin, nëse jo asgjësojnë. Siç e bënë turqit 500 vjet dhe s’na lanë as të hapim një shkollë, as të kemi një kishë ku të shkruanim shqip. Siç e bënë grekët më vonë, kur tentuan të helenizojnë atë numër jo të vogël shqiptarësh të vjetër, por nuk mundën. Sot edhe kur hyn në Athinë, shkelqëjnë në shqip emrat e trevave arvanitase, ku plakat flasin akoma shqip. Plaka, si lagjia më e famshme e Athinës, aty ku gjendet Partenoni, origjina e Artit, Historisë e Demokracisë, pasuria botërore që bën të famshëm grekët e rinj, që sot as anglishten nuk e flasin aq mirë dhe që nuk e kuptojnë greqishten e vjetër që në sintaksën e saj ngjan me shumë me shqipen sesa me gjuhën që ata vetë flasin sot.
Por ne s’patëm dot shkolla dhe fakti që mbijetuam ishte pak për t’u konsideruar pjesë e familjes Europiane. Prandaj e deshëm dhe e duam Europën. Prandaj nxituam 30 vjet shpesh duke thyer kokën, por duke u ngritur sërish në këmbë e ecur para. E derisa kuptuam sot, se e ardhmja europiane ishte vërtet një horizont: një vijë e gjatë në infinit, që sa “sa më shumë i afrohesh, aq më shumë ajo largohet”. Fiks sic lexonim në librat e shkollës, kur ishim të vegjël në Gjeografi.
Por në vitin 2006 në Luksemburg, kur po prisnim nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociiimit, horizonti europian u shfaq në formën e trashë dhe rondokope të ministrit të jashtëm të Qipros, i cili u vonua të vinte 40 minuta, pasi mesa duket kishte edhe ca dilema të fundit para se të vinte firmën në një copë letër. Pastaj erdhi arrogant dhe i avashtë, vuri firmën si me bezdi e u largua edhe pa bërë foto. Përse? Ndoshta ai e dinte më mirë se të tjerët, se horizonti europian i Ballkanit dhe i shqiptarëe, o ishte larg, o duhet të vonohej me çdo kosto e mënyrë. Mënyra e tij për të “kontribuuar” ishin 40 minutat e vonesës. Po sa vonesa të tilla na janë bërë nga Europa ku deshëm aq shumë të futemi?
Shumë, dhe disa prej tyre janë tonat. Europa e pas Perdes së Hekurt na deshi shumë, por na deshi demokratikë. Ne i ofruam Berishën dhe referendumin për kushtetutën, që donte ta bënte atë mbret të pashpallur. Europa na donte të ndershëm, Por ne i dhuruam 26 majin e 1996. Europa na donte të paqtë, por ne i bëmë dhuratë vetes, dhunën dhe histerinë kolektive të 1997. Europa tentoi të na pajtonte, por ne vazhduam hasmërinë e gjakun, këtë herë brenda në parlament e para dyerve të partive si në 1998 dhe para dyerve të qeverisë si në 2011. Ne ngelëm adoleshentët e kontinentit, ndërsa Europa plakej e plakej, e ndërsa plakej, si një plakë gërnjare, edhe dhimbjen e eshtrave dhe vështirësinë e shurrës, do ta gjente tek çamçakëzi bezdisës në çizme: Ballkani dhe shqiptarët. Europa na donte të rrinim në shtëpi, e ndaj na shkeli syrin e qeshi, kur në 2015 e lamë atë dhe u kthyem e mbollëm cannabis.
E prapë e them por tani pyes veten: Përse na gënjyen? Përse thanë (e thonë akoma me atë lojën e pisët polic i mirë/polic i keq) se integrimi është e ardhmja jonë? Jo nuk është dhe të paktën për këtë t’i themi falemnderit Macron. Ai ishte i vetmi që nuk na gënjeu. Nuk na duan dhe tani duhet të fillojmë të mësohemi me këtë. Të fillojnë partitë politike me hipokrizirat e tyre programore integriste të parat. Tani që busullës tonë gjeopolitike do t’i mungojë kushedi sa kohë Veriu i saj magnetik, bëjnë mirë të orientohet aty ku duhet. Ndonjëherë gjërat i kemi para syve, por si lakmitarë të hallit që s’ngopin dot barkun e vuajtur nga uria shekullore, sado që te kenë tryezën plot sot, nuk arrijmë të shohim se në fakt ne kemi të njëjtin drejtim, por në vektor më të largët. Aty ku ndoshta nuk na duan, por as na urrejnë, s’na e kanë lakminë por as edhe mërzinë, ku s’na shohin si emigrantë se të tillë janë vetë. Janë ata që prej 100 vjetësh, fillimisht na shpëtuan ne këtej kufirit të Morinës, nga asgjësimi ku donin të na fusnin nipat direktë të Bonapartit, e që dekada më vonë, shpëtuan edhe Kosovën. Dhe atëherë ju kujtohet? Ca gjeneralë francezë në NATO, ishin ata që dhanë informacionet “krahut tjetër”, për fluturimet e avionëve të Natos, mbi qiejt e Millosheviçit që aq shumë e donte Hanke, sa për këtë u “vlerësua” fiks 20 vjet më vonë me çmimin Nobel?
Mjaftojnë kaq pak shembuj për të kuptuar sesa gabim jemi sjellë ne me Europën. Një gabim që nuk e bënë vendet e ashtuquajtura të Vishegradit, që u bënë grup bashkë dhe iu imponuan asaj dje dhe sot kur i janë futur në gji. Por një gabim që nuk e bënë as vendet baltike, kueku me më shumë probleme se ne, me rusë në popullsi e me Moskën ushtarake te pragu i derës. Ata zgjodhën të futen në Nato e më pas në Europë, duke hyrë nga dera e Uashingtonit. Po. Andej nga duhet të kishim hyrë edhe ne. E vetmja derë që është hapur sa herë kemi pasur nevojë. E vetmja dorë që na është zgjatur kur zhyteshim në baltën e historisë, të shkelur, nëpërkëmbur, gjymtuar e plagosur. Ky vend që me pompozitet nga kostumet blu e gri të parlamentit jo rrallë quhej me hipokrizi si shteti i 52-të i Amerikës, kurrrë nuk i dha Amerikës vendin e saj të merituar, në investime, prona, përparësi absolute në ekonomi. Përkundrazi, mezi i morrëm 3000 refugjatë lufte, kostot e të cilëve i paguajnë ata vetë dhe iu hodhëm në fyt të gjithë, kur na ofronin integrim, para dhe mbështetje, për të çmontuar ca epruveta të qelbura me kimikate lufte të Sirisë. Por nuk arritëm kurrë të çmontonim armën moderne të Europës plakë: gënjeshtrën. Se na gënjyen. Na gënjyen në 2013, kur na kërkuan tre ligje. Na gënjyen në 2014, e më pas në 2015. Na gënjyen ne 2016 kur na thanë se duhet reforma në Drejtësi, të cilën e bëmë me kosto të larta që i paguam edhe në 2019. Gënjyen Kosovën kur çfarë nuk i kërkuan për t’i dhënë një të drejtë që ata e kishin pasur dhe ushtruar dikur në Jugosllavi, lëvizjen e lirë. Por të paktën duhet të ngushëllohemi. Kësaj radhe pati edhe më keq. Gënjyen një vend të tërë, i grisën historinë e 30 vjetëve, i grisën flamurin, emrat e rrugëve, i hoqën sheshe e statuja, i deprimuan si komb “në emër të integrimit”, që nuk erdhi kurrë.
Sot të jesh shqiptar, apo më pak maqedonas për shumë europianë është një shprehje e thjeshtë që nesër do harrohet. Jemi thjesht simboli i fundit i supremacisë mikroborgjeze dhe aristokratike europiane, të mbetur akoma me nostalgjinë kolonialiste, që sheh një maroken, më pak të rrezikshëm se një shqiptar, një djalë Surinami më të talentuar sesa një vlonjat, dhe një vajzë nga Kongo belge (më falni, Zaire (uh më falni Democratic Republic of Kongo) më pak prostitutë se një hallexheshë nga Tirana.
Sot kemi Macron, më në fund zërin e vërtetë të Europës dhe jo supremacinë në zbehje të Merkel, që na e tha në sy se tashmë koncepti politik i të qenit europian, ka ndryshuar. Sot të qenit europian, nuk është më një ide e bukur, si në kohën kur ajo lindi. Tashmë është thjesht një nocion racist.
Sigurisht dielli do të lindë sërish nesër, dhe për fat tek ne dielli ka lindur gjithmonë. Dielli lind, andej nga perëndon.
Dhe perëndon larg, andej nga Amerika. Amerika e Nolit, Konicës e vëllezërve Qiriazi. Amerikani e Uillson, Clinton Bush e pse jo dhe Trump. Na duan apo iu duhemi kjo s’ka më asnjë rëndësi. Rëndësi ka që kjo nuk ndryshon. Siç nuk do ndryshojnë kurrë francezët, pavarësisht nëse quhen Sarkozy apo Macron. Ndryshojnë vetëm gratë e tyre.
Po ne, kemi dobësitë tona dhe s’na duhen edhe ato të francezëve. Sot, 30 vjet gati pas asaj nate të ftohtë dimri kur Perdja e Komunizmit në Tiranë u ça nga thirrjet “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa, 26 vjet pas udhëtimit tim të parë jashtë shtetit që nuk ndryshoi shumë nga ai i fundit sa i përket pyetjeve “Ku, si, sa dhe pse” edhe 26 vjet më vonë, unë mendoj se shqiptarët duhet të fillojnë të reflektojnë dhe administrojnë me qetësi, frustrimin e tyre si unë sot, ndaj këtij refuzimi të ri dhe të vjetër të Bashkimit Europian. Ky është një realitet i ri. Ngushëllimi është se nuk jemi vetëm dhe se për fat, vendi i vërtetë i lirive dhe i barazisë, është akoma me ne dhe duket se do jetë për një kohë të gjatë.
Ndaj në fund të kësaj letre të futur në shishe e hedhur gjithë pezm e frustrim ujërave të Adriatikut, pak shprese (por le ta them, edhe më pak dëshirë kam) që kjo letër të lexohet nga ndonjë prej vëllezërve tanë europianë që nuk na deshën e nuk na kuptuan dot. Thjesht desha të them ca fjalë, në emër të shqiptarëve, europianëve të frustruar që enden në ujëra të turbullta e paqarta tashmë jo vetëm për fajet e tyre. Unë sot nuk e dua Shqipërinë si kjo Europë e verbët dhe e dobët. Ndoshta Macron ka të drejtë: Europa nuk është akoma gati për ne.
Kur të jetë, të na e thotë. Ne këtu jemi. Kushedi, ndoshta atëherë, edhe mund ta pranojmë./realstory.al