Lumturia është një patate e kripur – “Lufta dhe Paqja” nga Leon Tolstoi
Bëhet fjalë për episodin 5-faqesh të romanit voluminoz, që shkrimtari Henry James e quajti dikur “përbindëshi i madh, i lirshëm dhe i lagësht”. Personazhi i Platon Karatajevit, muzhiku tipik (fshatar), shfaqet duke përgatitur me shpejtësi një patate të spërkatur me kripë për Pier Bezukhovin, për të dhënë mesazhin më të rëndësishëm të të gjithë veprës së Tolstoit: duajini prindërit tuaj, bëni vetë fëmijë, ndërtojeni fatin tuaj me përulësi dhe durim. Dhe shijojeni çdo copëz të asaj patateje të kripur!
Mos i besoni një gruaje që përdor shumë parfum – “Ana Karenina” nga Leon Tolstoi
Përdorimi i tepërt i parfumeve shfaqet rregullisht tek Ana Karenina. Është pikërisht aroma e zgjedhur nga “zonja” e salloneve, që mbrohet nga vëllai i saj pijedashës Stiva, dhe të cilën shoku i tij më i mirë Levini, pas së cilit qëndron vetë Tolstoi, thjesht nuk mund ta durojë. Një përzierje e barërave dhe erëzave, “vinaigre de toilette” paraqëson artificialitetin, arrogancën dhe mashtrimin:gjithçka që Levini – dhe të gjithë ne – duhet ta luftojmë.
Mos e nënvlerësoni rëndësinë e të veshurit siç duhet – “Rekuiem” nga Ana Ahmatova
Poetesha e madhe e shekullit XX-të, njihet si “priftëresha” e madhe e pikëllimit dhe zemërimit, duke përshkruar në mënyrë të përsosur tmerret e viteve të kaluara në Gulag, me himnin e saj për ata që mbetën pas duke pritur lajme për të dashurit e tyre, Rekuiem. Por vepra e saj është e mbushur me rrëfime të dhimbshme të kësaj bote:nga përmendja e rëndësisë të veshjes së një këmishe të zezë dhe me shkëlqim, tek një poemë e hershme ku jep këshilla kundër veshjes së këpucëve të ngushta për vizitat në burgje.
Ju nuk jeni aq i zgjuar, sa dëshironi të mendoni se jeni – “Krim dhe ndëshkim” nga Fjodor Dostojevski
I ngrati Raskolnikov! Duke dashur ta dëshmojë veten si të pamposhtur, ai përdor skemën perfekte për të fituar ca para, duke vrarë një grua plakë. Ai e djallos punën, vret një person tjetër gabimisht, dhe arrin të lërë pas shumicën e parave. Rodion Romanoviç, ti je vërtet shumë budalla. Por gjithçka nuk është e humbur. Ai mund të përftojë një farë komoditeti duke u bërë shumë fetar. Leksioni? Ndonjëherë bëjmë gjëra kaq idiote, saqë edhe Perëndia përpiqet të na falë.
Kur gjërat shkojnë keq, vendosni njërën këmbë para tjetrës- “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviç” nga Aleksandër Solzhenicin
Perspektiva e kufizuar në këtë roman, është hartuar në mënyrë të ndërlikuar dhe transmeton një mesazh të fuqishëm:kur horizonti juaj bëhet shumë i kufizuar (pasi jeni në Gulag), shihni gjithçka më nga afër, dhe papritmas jeta duket më e qartë. Ivan Denisoviç, është i fokusuar në marrjen e gjërave njëra pas tjetrës. Koha ngadalësohet, dhe ekziston një ndjenjë e vlefshmërisë së jetës, edhe në rrethanat më të vështira.
Kini kujdes barrën e krahasimit – “Tre motrat” nga Anton Çehov
“Tre motrat”, është një pjesë teatrale e përpunuar me kujdes kundër manisë së krahasimit. Shpesh mund të na duket se bari është më i gjelbër matanë gardhit të shtëpisë sonë – dhe asnjë vend nuk është më i gjelbër se sa Moska në këtë shfaqje – por në realitet kjo përshtypje shërben vetëm për të na verbuar me avantazhet e barit ku tashmë po qëndrojmë. Rusët duan të thonë:”Jeta është më e mirë atje ku nuk jemi”. Por Çehov sugjeron, se ky mentalitet që kjo është vetë-mposhtës. Gjeni të mirën në shtëpinë tuaj, në vend se të keni zili atë të të tjerëve.
Shmangni flirtin me vajzën e mikut tuaj më të mirë – “Eugjen Onjegin” nga Alexander Pushkin
Transgresioni kryesor i Eugjen Onjeginit, lidhet zakonisht me refuzim prej tij të Tatjanës. Natyrisht, ajo hakmerret, kur e refuzon atë disa vite më vonë. Por me siguri krimi më i rëndë është sjellja e Onjeginit ndaj mikut të tij më të mirë, Lenskit. Ai flirton me vajzën e Lenskit. Ky i fundit është e detyruar ta thërrasë atë në një duel. dhe Onjegini e qëllon menjëherë për vdekje. Paralajmërimi i Pushkinit? Mos jini kaq idiotë sa ky njeri.
Dorëzojuni fatit! – “Doktor Zhivago” nga Boris Pasternak
Fati (sud’ba në rusisht), është një justifikim i përshtatshëm për të gjitha llojet e sjelljeve të këqija (sidomos kurorëshkelja në këtë roman); dhe është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për të vënë në lëvizje komplotin, sidomos kur heroi yt dënohet të jetojë mbi 1000 e ca kilometra larg Moskës, dhe dashnorja e tij thjesht qëllon të përfundojë pikërisht në të njëjtin vend. Ky është një vazhdim i temës së preferuar të Tolstoit. Dikush më i rëndësishëm se ju (Zoti), e ka vendosur fatin tuaj, prandaj mos luftoni kundër tij.
Duhet të qeshni, ose përndryshe do të qani – ”Mjeshtri dhe Margarita” nga Mikhail Bulgakov
Si të përshkruash tmerrin e spastrimeve staliniste të viteve 1930? Çlirojeni ndjenjën tuaj të humorit. Imagjinoni Satanain që ka ardhur në Moskë, nën maskën e një magjistari, një profesor gjerman, i shoqëruar nga një mace gjigante që flet si njerëzit. Jepjani këtë një redaktori letrar, një muze shkrimtarësh që fluturon nudo nëpër Bashkimin Sovjetik, një vrasës me sy të murrmë dhe një komplot kundërshtar alegorik që përfshin Jezusin dhe Ponc Pilatin, dhe ju do të gëzoheni pa fund. Bulgakov ofron një stil mjeshtëror në përdorimin e satirës, si një mjet mbijetese.
Njihni kufijtë tuaj – “Një muaj në fshat” nga Ivan Turgenjev
Në jetën reale Turgenjev njohu pak kufizime, dhe ishte një admirues i flaktë i shampanjës (marka e preferuar: Luis Rederer, e shërbyer me akull) dhe grave të bukura. Megjithatë në këtë roman, Rakitin, personazhi më i afërt me vetë Turgenjev, mëson si të lehtësojë vuajtjet e tij. I dashuruar me gruan e mikut të tij më të mirë (kjo është duke u shndërruar në një temë të përditshme), Rakitin e kupton se ajo nuk i përgjigjet interesit të tij, dhe se është i rrezikuar të kalohet nga një tjetër rival më i ri në moshë. Ai largohet para se gjërat të bëhen tejet poshtëruese. Të dish se kur duhet të dalësh nga skena, është sigurisht një nga aftësitë më të çmuara të jetës.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce