Ka ndërruar jetë ish-deputeti i Kosovës në Kuvendin e Kaçanikut, Ali Shahini.
Shahini ka vdekur mbrëmë, ndërsa lajmin në rrjetet sociale e ka dhënë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Ky i fundit shkruan se vepra e guximshme e Shahinit për themelet e Kosovës, mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë e Kushtetutën e Kaçanikut, është skalitur në faqet e historisë së re të Kosovës.
I ndjeri ishte dekoruar kohë më parë, për kontributin e tij dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Me pikëllim të thellë, mora lajmin për ndarjen nga jeta të deputetit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 Shtator 1990, prindit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Shahini.
Vepra e tij e guximshme për themelet e Kosovës, mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990, frymëzim që brumosi edhe bijtë e tij në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë është skalitur në faqet e historisë së re të Kosovës”, ka shkruar Aliu.