Opozita e bashkuar pak ditë më parë mori vendimin ekstrem për të djegur mandatet dhe të braktisin parlamentin, të cilin e quajnë të kapur nga krimi. Pas situatës së krijuar pas këtij vendimi, Lulzim Basha ka ndërmarrë një tjetër hap këtë pasdite.
Ai ka mbledhur në selinë e PD Kolegjin e kryetarëve për të vendosur dhe diskutuar se cilat do të jenë vendimet e radhës së opozitës dhe çfarë do të ndodhë me protestat.
Mësohet se në këtë mbledhje janë të gjithë kryetarët e selisë së PD nëpër rrethe. Më herët është paralajmëruar nga kryetari i PD por edhe nga palët e aleatëve të saj, se protestat do të vazhdojnë dhe se synohet që të përhapen edhe në rrethe, e jo vetëm në kryeqytet.
Kujtojmë që një ditë më parë PD mblodhi Kryesinë e kësaj partie, ku u diskutuan 3 pika kryesore mes të cilave edhe shkarkimin nga të gjitha funksionet dhe anëtarësia të deputetit Myslim Murrizi.
Basha nga Kryesia tha se pika e parë e rendit të ditës është aksioni politik pas dorëzimit të mandateve.
“Të bëhet ndërthurja e protestës me shpalosjen e alternativës. Grupi i punës që do të ngrihet për arsimin e lartë, do të jetë për çdo fushë kryesore, për pensionet, për shëndetësinë, për investimet, etj. Të nisim punën, sepse mund të jemi me zgjedhjet mbrapa dere. Nuk kemi pse të harxhojmë asnjë minutë.”-u shpreh Basha.