Genc Ruli, një nga themeluesit e Partisë Demokratike është tërhequr nga politike. Është vetë Ruli ai që i ka kërkuar zyrtarisht kreut të PD-së, Lulzim Basha, që të mos e kandidojë për zgjedhjet e 25 qershorit.
Në një prononcim për News24, Ruli u shpreh se po tërhiqet nga Kuvendi dhe jo nga politika, ndërsa njoftoi se arsyet e kësaj tërheqjeje do i bëjë të ditura në një tjetër moment.
Ruli lindi më 11 prill 1958 më Tiranë. Ai ka kryer Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981 dhe Fakultetin Juridik të këtij universiteti në vitin 1982. Në vitin 1986 mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave në Ekonomi” në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1994 mori titullin “Profesor”.
Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në 1991 deri në 1996, për t’u bërë sërish deputet në 2005 deri më tani.
Mbajti postin e Ministrit të Financave nga qershori deri në dhjetor të vitit 1991, më pas në 1992-1993 mbajti postin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, ndërsa gjatë 2005-2009 ishte Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, si dhe Ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nga 2009-2013.











