Nga: Roland Qafoku
Dje takova gjatë një angazhimi tim profesional një nga mjekët më të famshëm në Shqipëri. Shumë dimensional në profesion dhe si personazh, shumica e shqiptarëve e njeh Profit Canajn si mjekun legjendar të kombëtares së futbollit. Ndërkohë në qytetin tim të lindjes Çorovodë e njohin si një mjek-kirurg, që i ka dhënë aq shumë asaj zone.
Im atë, ndjesë pastë, mjeshtër i prodhimit të rakisë, e përmendte shpesh doktorin dhe mburrej që kishte miqësi me të. Por nuk më kishte treguar atë histori që doktori ma rrëfeu dje dhe unë e dëgjova për herë të parë. Pasi mësoi se kush ishte babai im, mjeku tashmë 85-vjeçar nuk e kishe shqitur nga memoria atë copëz historie nga jeta e tij në qytetin e vogël në Jug.
Në fakt, nga njëra anë doktori e quante internim faktin që për pesë vjet kishte punuar në Çorovodë si dënim ekskluziv i bashkëshortes së një anëtari të Byrosë Politike dhe nga ana tjetër e quante si një nga periudhat më të bukura të jetës. Jo vetëm për natyrën e njerëzve dhe respektin që ata tregonin ndaj një jabanxhiu si Doktor Profiti, por për të kjo vinte edhe për faktin se Çorovoda kishte një spital shumë të mirë dhe mjetet spitalore ishin më të mirat në Shqipëri.
Po përse Çorovoda e vogël mes malesh, e strukur atje në luginën ku kryqëzohen dy lumi Osum me lumin me emrin e qytetit, kishte një spital të këtij niveli? Nga goja e doktorit dëgjova që kjo vlente sepse ky qytet ishte caktuar kryeqytet në rast lufte. Sa kisha qeshur me mburrjen më të madhe që bënin banorët e qytetit tim. Sigurisht që nga kjo dalldi masive dikur isha sëmurur edhe unë teksa shokëve të klasës në shkollë në Tiranë ua rendisja frazën “kryeqytet në rast lufte” sikur ai vend të kishte vërtetë cilësi të veçanta. Nuk e kam parë të shkruar dikund por ne vijonim të quheshim “kryeqytet në pritje”. Për 46 vjet banorët e qytetit tim kishin jetuar me idenë se po jetonin në një qytet që do ishte kryeqytet në rast se do plaste lufta. Por çe do! Të shkretët, pritën 46 vjet dhe nuk na sulmoi askush. Lufta nuk ndodhi, rrjedhimisht Çorovoda nuk u bë asnjë ditë kryeqytet. Kjo ishte arsyeja e madhe që spitali kishte atë cilësi dhe doktor Profiti e kishte kthyer në një laborator të vërtetë. Sa e sa banorë kishte operuar e shëruar doktori i ardhur nga Tirana. Madje edhe babin tim e kishte operuar nga apendisiti në një gjendje të rëndë dhe për këtë e quante mik për kokë. Por doktor Profiti një ditë prej ditësh u sëmurë vetë. Kishte dhimbje të forta në stomak dhe nuk po i bënte dot derman. Atë mëngjes nuk shkoi në spital por në ndërmarrjen e pijeve alkolike që sipas rregullave të kohës e mbulonte në aspektin e patronazhistit të mjekësisë. Fiks aty ku punonte im atë. Babi im ishte shqetësuar nga gjendja në të cilën kishte parë doktorin. Dhe rrëfimi i doktorit pas afër 40 vjetësh vjen fjalë për fjalë me nota humori dhe ironie:
“Yt atë më pa një herë dhe më tha, prit pak. Shkoi brenda në fabrikë ku ishin vaskat dhe u kthye me një kavanozë në dorë të mbushur me një lëng me ngjyrë të blertë të lehtë. Mu duk si urinë dhe i thashë se si mund ta pija. Por, yt atë më tha se ishte rakia më e mirë që kishte prodhuar. Pothuajse më urdhëroi ta “ktheja” siç i thonë në atë zonë. Yt atë këmbënguli dhe unë nuk e bëra dysh. I mora pak erë dhe avujt e alkolit më lajmëruan se ishte shumë e fortë, por ama e piva. Vetëm në pak minuta u ndjeva mirë. Mbeta pa fjalë. Nuk e dija që rakia e Skraparit ishte ilaç për stomakun”.
Një rast që përjashton shkencën e mjekësisë. Doktori i shtoi kësaj historie edhe një detaj tjetër. “Yt atë më tha se kavanozin e kishte mbushur në dy vaskat speciale që ishin të destinuara për ti konsumuar vetëm banorët e Bllokut të udhëheqjes në Tiranë”. Pra, ishte raki që jo çdokush mund ta konsumonte. Ironikisht, ndoshta Doktori ka pirë pak edhe nga racioni i bashkëshortes së byroistit që e dënoi dhe këtu lidhja e historisë bëhet akoma më e bukur. Jetë të gjatë doktor Profit Canaj!