Çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit të përhoshmë po arrijnë në pikën e saj më të nxehtë. Komisioni i Ligjeve i drejtuar nga Ulsi Manja përfundoi seancën dëgjimorë ndaj shtatë prokurorëve që kandidojnë për postin e kryeprokurorit të përkohshëm. Komisioni ka dëgjuar kandidaturat dhe u ka bërë atyre pyetjet e nevojshme për të marrë vendimin.
Publiku është bombarduar me informacion nga të gjitha mediat për çështjen e kryeprokurorit. Akuza dhe kundër akuza nga PS, PD dhe LSI duke mos gjetur gjuhën ë përbashkët. Shpesh politikanët përdorin dhe gjuhë teknike që i ngatërron akoma me shumë qytetarët.
Thuajse të gjithë analistët janë të mendimit se Rama dhe Basha kanë një hall të përbashkët. Të dy politikanët kërkojnë një marrëveshje së bashku. Ata duan të zgjedhin një kryeprokuror të ri që do t’i shpëtojë të dy. Ndaj analistët shprehen se është një lojë politike dhe një teatër që mbahet nga të dy.
Më konkretisht; Mustafa Nano e shihte alarmin e opozitës si një teatër që mëton të fshehë qëllime të tjera. Skënder Minxhozi i gjente këto qëllime tek dëshira për të ruajtur Adriatik Llallën që ishte një krijesë politike (me një mandat të dështuar) e aleancës së Berishës me Metën. Ndërsa Mero Baze e shikonte tubimin rreth kësaj çështjeje si një përpjekje për të mbajtur të ndezur aleancën mes këtyre dy forcave politike, që kanë qenë, që në krye të herës, kundër reformës në drejtësi. Andi Bushati shkruan se ne nuk mund të shohim vetëm njërën anë të medaljes. Ne nuk mund të fokusohemi vetëm tek opozita. Prandaj pesha më e madhe qëndron tek mazhoranca. Në fund të fundit është ajo që ka në dorë edhe gurin dhe arrën. Ndërsa Lubonja e quan zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm antikushtetuese dhe se për të pakti Rama – Basha është absurd, bëhet që këta të shpëtojnë njëri tjetrin. Artur Zhei shkruan se po gatuhet një drejtësi e rreme dhe ne mbetemi të mbështetemi në mite të rreme.
Beteja për Prokurorin e Përkohshëm është shumë zhurmë për asgjëAnalisti Mustafa Nano shkruan në gazetën Mapo se beteja për Prokurorin e Përkohshëm është shumë zhurmë për asgjë.
“Ngado që t’i vish rreth institucionit të prokurorisë, të shfaqet Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kështu që beteja për fatin e Prokurorit të Vjetër apo për emërimin e atij të riut, është një teatër, nëpërmjet të cilit duan të fshehin qëllime të tjera.
Jo të gjithë njerëzit e dinë se, me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm do të ketë një rol tek-tuk administrativ, e tek-tuk dekorativ. Deri më sot, ai ka qenë në komandë të gjërave. “Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar”, thuhej në Kushtetutë. Dhe kjo e bënte Prokurorin e Përgjithshëm një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri. Nuk është më kështu. Prokuroria nuk është më organ i centralizuar. Në nenin 148, pikën 2 të Kushtetutës së re thuhet se “Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit”. Vini re! Flitet për “pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale”. Nga ana tjetër, prokurorët pezullohen e shkarkohen prej Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Për këtë shih nenin 148/d, pikën 2 (“Prokurori shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”), dhe nenin 148/d, pikën 4 (“Prokurori pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”). Nuk do kemi më pra një njeri të plotfuqishëm në krye të Prokurorisë. Vendin e tij do ta zërë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që është një organ kolegjial.
Rama e ka të qartë këtë gjë, dhe prandaj është treguar i hapur. “Hajde të merremi vesh bashkë”, i ka thënë ai Bashës. Ky i fundit, nga ana e vet, duket se ka vetëm një betejë: Prokuror i Përgjithshëm duhet të mbetet ky që është derisa të zgjidhet i riu prej organeve të reja. Tani, edhe po të rrijë Llalla edhe ca kohë, nuk është se prishet ndonjë gjë. Por puna është se një gjë e tillë nuk ka bazë kushtetuese”, shkruan Mustafa Nano.
Berisha dhe Meta duan të mbajnë në jetë garantinAnalisti, Skënder Minxhozi i gjente qëllimet e fshehta te dëshira për të ruajtur Adriatik Llallën që ishte një krijesë politike (me një mandat të dështuar) e aleancës së Berishës me Metën.
“Është një person që kthen e rikthen në jetë në mënyrë të përsëritur aleancën e dikurshme Berisha-Meta të viteve 2009-2013. Është prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, njeriu i emëruar me 72 vota në parlament nga PD dhe LSI, të cilin këto dy parti po përpiqen ta mbajnë sa më gjatë në post, edhe këto orë kur i ka mbaruar mandati. Një figurë që ka qenë aty që nga dita kur është zgjedhur, si garanti i një pushteti me dy koka, që vijon të përpiqet të mbajë peng me të gjitha mënyrat rënien e kastës së vjetër të drejtësisë shqiptare. Si një parakusht për të ruajtur të paprekur imunitetin personal të atyre që e mbrojnë, aq të vënë në pikëpyetje muajt e fundit nga reforma në drejtësi. Kjo piskamë vaji që këndohet çdo ditë për fatin e Llallës është në fakt materializimi i frikës trevjeçare që PD e LSI kanë nga përmbysja e sistemit të vjetër klientelist të drejtësisë shqiptare. Prandaj Adriatik Llalla duhet të rrijë sa më gjatë në zyrë, edhe pse pa mandat dhe me një bilanc anonim që nuk i hyn në punë askujt. As atij vetë”, deklaron Minxhozi
Problemi është aleanca jetëgjatë kundër reformës!Analisti Mero Baze e shikonte tubimin rreth kësaj çështjeje si një përpjekje për të mbajtur të ndezur aleancën mes këtyre dy forcave politike, që kanë qenë, që në krye të herës, kundër reformës në drejtësi.
“Dispozita tranzitore ka zgjedhur të ketë njësoj vetëm kriteret. Dhe ky debat është i gjithi spekulativ. Dikush bën sikur pyet, se “ku është neni në kushtet që zgjidhet me shumicë të thjeshtë?”. Dikush thotë nuk duhet të ketë prokuror të përkohshëm. Por problemi është se opozita nuk do të hyjë në këtë debat nga pasiguria që kanë ndaj njëri tjetrit nëse Edi Rama hedh emra në tavolinë dhe kërkon konsenusin e PD. Ata i mban më të bashkuar qëndrimi jashtë këtij procesi se sa përfshirja, i afron më shumë dështimi se sa suksesi.
Problemin politik Edi Rama u përpoq ta tejkalonte me thirrjen për konsensus për të gjetur emrin e një Kryeprokurori të ri të përhoshëm derisa të ngrihet KLP, por Basha e hodhi poshtë, pasi për të në këto momente është më e rëndësishme aleanca me LSI dhe kompaktësomi që u jep qëndrimi konstant që kanë pasur ndaj reformës se sa emri i një Kryeprokurorit. Të gjithë e dinë që ai është i përkohshëm, për disa muaj derisa të ngrihet KLP, dhe pastaj beteja është në Parlament. E gjithë zhurma nuk është, se mos humbasë Kryeprokurorin e përkohshëm, por se mos humbasin njëri tjetrin. Është një hall që i bashkon tani e dy vjet. Dhe nuk është problemi tek prokurori i përkoshëm, por tek ruajtja e aleancës jetëgjatë kundër reformës”, tha Mero Baze.
Zgjedhja e Prokurori të Përkohshëm antikushtetues, pakti Rama – Basha absurdAnalisti Fatos Lubonja e quan zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshëm si antikushtetues, duke ngritur pikëpyetje nëse kjo është pjesë e një strategjie dhe nëse është apo jo rasti i duhur për tu aplikuar ky amendament.
“Pse mazhoranca e ka miratuar një ligj antikushtetues, me qëllim apo gabimisht? Për mendimin tim është qëllimisht. Mendoj se ky qëllim nuk ka mbaruar, vazhdon, tenton të gjejë rrugët e veta për t’u realizuar dhe këtu fillon problemi. Pikëpyetja është pse PD nuk e çoi në Kushtetuese? Unë kam qenë me tezën se Prokurori s’mund të dalë mbi politikën sepse politika është më e fuqishme se ata 5-6 prokurorë anonimë.
Nëse vendoset nga Rama dhe Basha i bie që u bë një marrëveshje për të mos u prekur të dyja palët. Për këtë ishim keq ne? Të ulen dy veta të vendosin për një kryeprokuror pa pyetur një palë e tretë dhe u shoshitur për të dalë nga KLP. Gjithë përpjekja është bërë që ky kryeprokuror të mos dalë nga një takim kokë më kokë. Problemi është që të vendosin institucionet. Mendoj që është absurde”, tha Lubonja.
Replikë me kolegët që përligjin kryeprokurorin e RamësAnalisti Andi Bushati shkrun se për të arritur në konkluzione të drejta ndaj zgjedhje së kryeprokurorit do të duhej të bënim gjyqin e qëllimeve të sejcilës palë. Dhe po të procedonim kështu, nga ky proces nuk mund të përjashtohet as Edi Rama dhe socialistët. Pra, nëse do të shqyrtojmë motivet që i shtyjnë palët në pozicionet që kanë zgjedhur, pjesa e qeverisë del krejtësisht e zbuluar.
“Ne nuk mund të fokusohemi vetëm tek opozita. Natyrisht ajo ka mëkatet dhe pjesën e saj të errët në këtë betejë. Por, me votat që ka, ajo as mund ta zgjedhe një prokuror të sajin, as mund ta pengojë një prokuror të kundërshtarëve. Prandaj pesha më e madhe qëndron tek mazhoranca. Në fund të fundit është ajo që ka në dorë edhe gurin dhe arrën. Dhe është ajo që do të kryejë një akt, pavarësisht nga pikëpyetjet që u thanë më lart dhe që sot e gjithë ditën nuk kanë marrë një përgjigje as nga socialistët, as nga ata që mbrojnë mediatikisht versionin e tyre”, tha Bushati.
Pse Rama, ka nevojë për një ortak, me emrin Lulëzim Basha…Analisti Artur Zhei shkrun se pamvarsisht emrit dhe formimit, një prokuror i ri i përkohshëm dhe i përgjithshëm, i zgjedhur në këtë mënyrë, mbetet padyshim i paragjykuar, në sytë e Opinionit dhe jo vetëm, si një prokuror në shërbim të kryeministrit, në një formë ose në një formë tjetër.
“Kryeministri lyp ditë përditë bashkëpunimin e kundërshtarit politik, kryetarit të PD-së, që ai e kërkon si ortak, për t’ja hedhur të dy së bashku, kësaj situate. Sigurisht me kushtin që viktimat duhen gjetur te një palë e tretë, mundësisht te LSI, apo në ndonjë parti tjetër politike.
Basha duket edhe ai i tunduar, por mbas katastrofës së bashkëpunimit të Majit të kaluar, rreziku për të është shumë më i madh. Mundet të fitojë kushte të mira, në mbrojtjen e tij dhe të rrethit të vet më të ngushtë, te figura e Prokurorit të ri të përkohshëm, por jo do të shoqërohet sigurisht me një rënie të re të popullaritetit të tij, edhe kështu si është, mjaft të diskutuar… Dhe këtu mbetemi në kënetën e Miteve të rreme të një Drejtësie të rreme, që po gatuhet… Dhe kur drejtësia rrangallë, fillon e ndryshon mrrokllat, krimi ngre krye edhe me fuqishëm“, tha Zhei. TIRANA TODADY