Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u bëri thirrje nga qyteti i Lushnjes të gjithë anëtarëve të LSI-së kudo që janë që të lënë kartat e anëtarësisë, të marrin flamurin kombëtar dhe ti bashkohen ditën e hënë protestës së studentëve. Gjithashtu ajo u shpreh se të gjithë bashkë të mblidhemi në Tiranë dhe të rrëzojmë Edi Ramën, sepse është e vetmja mënyrë.
“Do të iki Edi Rama po të jemi të gjithë në Tiranë kështu siç jemi, nga Lushnja, Fieri, Tropoja deri në Sarandë. Vetëm ashtu ikën ai. Sepse erdhi me besim, erdhi me premtime dhe duket të iki në mënyrë të tillë për të kuptuarit që në Shqipëri nuk do të ketë më politikanë që ti gënjejë shqiptarët.”
“Këtë mësim të madh që studentët shqiptarë ia dhanë politikës, ne nuk duhet ta humbasim, por duhet ta bëjmë tonën, mënyrë të tillë që të kemi forcën, të kemi guximin, të kemi zemrën e atyre studentëve, të përballemi me këtë të keqe kaq të madhe. Sot unë kam qenë në Durrës, në Kavajë, kam pasur disa takime të tjera. Nesër përsëri do të vazhdoj në Korçë, Pogradec, Përrenjas, Elbasan e kudo, jo për ti bërë thirrje shqiptarëve. Por do dal për ti bërë thirrje të gjithë anëtarëve të LSI kudo që janë, të harrojnë kartën e partisë dhe të marrin flamurin kombëtar për tu bashkuar të hënën me studentët”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi:
Mirëmbrëma LSI e Lushnjes. Mirëmbrëma të gjitha grave dhe vajzave që janë sot këtu. Dua tu falënderoj që jeni shkëputur nga puna juaj e përditshme. Nga ana tjetër ju përulem me respekt dhe mirënjohje për gjithë punën e palodhur që bëni, që qëndroni fort në këto kushte kaq të vështira ekonomike, për të mbajtur familjet tuaja, për të shkolluar fëmijët tuaj, për të mbajtur një situatë kaq dramatike të cilën e ka krijuar kjo qeveri për shqiptarët dhe sidomos për fermerët në Lushnje, Fier dhe gjithë Shqipërinë. Por ju nuk dorëzoheni, por akoma më shumë mbijetoni. Tashmë nuk është më çështje mbijetese, tashmë është çështje njëherë e përgjithmonë duhet të largojmë të keqen. Këtë mësim të madh që studentët shqiptarë ia dhanë politikës, ne nuk duhet ta humbasim, por duhet ta bëjmë tonën, mënyrë të tillë që të kemi forcën, të kemi guximin, të kemi zemrën e atyre studentëve, të përballemi me këtë të keqe kaq të madhe. Sot unë kam qenë në Durrës, në Kavajë, kam pasur disa takime të tjera. Nesër përsëri do të vazhdoj në Korçë, Pogradec, Përrenjas, Elbasan e kudo, jo për ti bërë thirrje shqiptarëve. Por do dal për ti bërë thirrje të gjithë anëtarëve të LSI kudo që janë, të harrojnë kartën e partisë dhe të marrin flamurin kombëtar për tu bashkuar të hënën me studentët.
Shqipëria sot nuk ka nevojë të bëjë politikë të madhe se nuk ka nevojë ti thuash të varfërit që je i varfër. Shqipëria sot nuk ka nevojë të bëjë politikë të madhe se nuk ka nevojë ti tregosh mashtrimet e Edi Ramës të cilat nuk i mbajti. Sepse sot më shumë se 400 mijë të rinj dhe të reja janë larguar nga Shqipëria. Sot më shumë se kurrë Shqipëria ndihet e varfër, nga varfëria e të rinjve sesa nga varfëria e Edi Ramës.
Do të iki Edi Rama po të jemi të gjithë në Tiranë kështu siç jemi, nga Lushnja, Fieri, Tropoja deri në Sarandë. Vetëm ashtu ikën ai. Sepse erdhi me besim, erdhi me premtime dhe duket të iki në mënyrë të tillë për të kuptuarit që në Shqipëri nuk do të ketë më politikanë që ti gënjejë shqiptarët. Dua të them dhe disa fjalë sepse nëpërmjet këtij takimi sot të jashtëzakonshëm, dua të kujtoj që objektivi kryesor i Shqipërisë, nuk është çështje e të futurit në politikë apo të angazhuarit në politikë të Monikës, të Lulëzim Bashës, të Petrit Vasilit, të Klajda Gjoshës, të Kejdit apo edhe të Edi Ramës me deputetët e tij. Objektivi kryesor i Shqipërisë sot janë hapja e negociatave për Bashkimin Europian. Sepse vetëm hapja e negociatave do t’iu garantonte Shqipërisë dhe shqiptarëve një Shqipëri evropiane, një Reformë në Drejtësi të barabartë, një sistem ekonomik të barabartë. Një fuqi të barabartë për të gjithë, një arsim të barabartë për të gjithë, një shëndetësi të barabartë për të gjithë. Hapja e negociatave është objektivi kryesor, sepse pa negociata Edi Rama mund të bëjë si të dojë me shqiptarët dhe me Shqipërinë, ashtu siç ka bërë në këto vite.
Sot shqiptarët lëvizin të lirë nëpër Europë, sepse falë votave të LSI-së dhe angazhimit të saj shqiptarët kanë të drejtë të lëvizin në Europë pa viza. Por nëse ne do të vazhdojmë këtë rrugë, ku Edi Rama të sabotojë çdo ditë integrimin evropian të Shqipërisë, shqiptarëve do t’iu kthehen vizat. Dhe ju nuk e dini pse Edi Rama e do këtë gjë. Edi Rama e do kthimin e vizave, sepse do të fillojë trafikun e shit-blerjes së vizave që t’iu marrë shqiptarëve dhe kacidhen e fundit, sepse nuk mjaftohet me atë çfarë ka bërë deri tani. Prandaj hapja e negociatave është shumë e rëndësishme. Po dëgjoja në televizion një vajzë, e cila thoshte me lot në sy pse nuk pranonte negociata me Edi Ramën. Si mund të pranoj unë negociata me Edi Ramën?
Si mund të bëj unë negociata me Edi Ramën, ku mamaja ime për të blerë një fletë formati duhet të djersijë 4 orë në sera për të ma krijuar mua mundësinë në shkollë? Si mund të pranoj unë negociata kur unë shkoj në shkollë me stomakun bosh? Si mund të pranoj unë negociata kur këmbët e mia janë të ngrira nga mëngjesi deri në darkë? Cilat janë këto negociata? Plotëso kërkesat e studentëve, pastaj ulu e negocio. Kjo është mënyra e vetme për të treguar nëse Edi Ramës iu dhimbsen studentët.
Ekonomia më shumë se kushdo tjetër, jeni ju këtu që e ndjeni. Sepse pjesa më e madhe e Lushnjës sidomos komunat rreth e qark jetojnë me bujqësi. Po si një fermer mund të konkurrojë një fermer të një vendi tjetër? Si një fermer i Lushnjës apo i Fierit mund të konkurrojë fermerin e Maqedonisë, apo edhe të Kosovës, që është një shtet shumë i ri. Nuk po flas për Italinë e për Francën. Si mund të konkurrosh sot në tregun evropian apo në tregun e botës, kur çmimi i naftës është më i lartë se në çdo vend tjetër.
Si mund të konkurrosh në treg sot, kur subvencionet që ka bujqësia shqiptare janë sa 1 e 20 e subvencioneve në Maqedoni, apo 1 e 10-ta në Kosovë. Si një fermer mund të konkurrojë, kur një litër qumësht kushton më pak se 1 gjysmë litri ujë. Si mund të konkurrojnë fermerët tanë sot, kur bujqësia çdo ditë e më shumë mbyllet e çdo ditë e më shumë i shtrëngohet litari në fyt. Çdo ditë e më shumë penalizohet më shumë se oligarkët e Edi Ramës, të cilët vetëm në një muaj fusin në xhepat e tij nëpërmjet firmave fiktive fals mbi 30 milionë euro. Këtu janë paratë e studentëve dhe konvikteve që kërkojnë studentët në mënyrën më legjitime sepse kërkesat e studentëve janë e drejtë e tyre dhe Edi Rama ka detyrim që t`i realizojë ato. Por sigurisht që Edi Rama nuk mendon. As për fermerët dhe as për fëmijët e tyre. Nuk mendon as për naftëtarët dhe as për fëmijët e tyre. As për minatorët e as për fëmijët e tyre. Sot lexoja me një portal sesi kardiologu i njohur Luan Dragusha largohet nga Shqipëria.
U kthye nga Amerika për të punuar në Shkodër, sepse iu përgjigj thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për të pasur më shumë mjekë në shërbim. Por çfarë bëri Edi Rama? Për të krijuar mundësinë që në xhepat e oligarkëve të shkojnë paratë e koncesioneve të shëndetësisë, sepse nuk ishte e mundur dhe nuk lejonte që të ndodhte një gjë e tillë, ai e mori dhe e futi 3 ditë në burg vetëm e vetëm për ta frikësuar, vetëm e vetëm për ta intimiduar dhe tashmë pasi doli i pafajshëm në Gjykatë ai tha: Mbaroi! Tashmë po iki, për të mos u kthyer më. Ky është Edi Rama, i cili do të largojë edhe ata pak njerëz që na kanë ngelur. Ky kryeministër, i cili ka dëshirë të largojë edhe ata pak njerëz që kanë dëshirë të kontribuojnë në vendin e tyre, ndjen kënaqësi kur i poshtëron. Ky kryeministër, i cili ndjen kënaqësi kur poshtëron qytetarët e tij duhet të iki vetë. Duhet të iki ai, sepse do të shpëtojë ai, do të shpëtojë familja e tij, do të shpëtojë Partia Socialiste, do të shpëtojnë edhe të gjithë shqiptarët me largimin e tij.
Dua të jem e sinqertë me ju, sepse për hir të së vërtetës, në këtë situatë në të cilën ne jemi, është një situatë e cila na kërkon më shumë se kurrë solidaritet. Kërkon solidaritet me të gjithë ata djem dhe vajza, që janë sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë dhe solidariteti nuk është as një minutë, as një ditë, as një orë. Solidariteti sot është me ta, për të qenë derisa të realizohen kërkesat e tyre, prandaj nuk do të ndalemi jo vetëm si anëtar të LSI, por nuk do të ndalemi si qytetarë të këtij vendi, si banorë të këtij kombi për të vazhduar dhe për të ndjekur hap pas hapi, deri në realizimin e kërkesave të studentëve. Sepse duke u bashkuar me ta, ne do ti japim një mësim shumë të mirë, jo Edi Ramës, se Edi Rama nuk mëson, por do ti japim një mësim shumë të mirë politikës shqiptare, që duhet të mësojë për njerëzit, duhet tu shërbejë njerëzve dhe duhet ti zgjidhi hallet e tyre. Sepse vetëm zgjidhja e halleve të qytetarëve, të fermërëve, të naftëtarëve, të minatorëve, të mësuesve, të mjekëve, është e vetmja mënyrë që njerëzve tu kthehet besimi te politika.
Sepse në këto 27 vite tranzicion, ne kemi gabuar por duhet të mësojmë nga gabimet tona sepse duke mësuar nga gabimet tona, përmirësohemi më shumë. Jam dakord me kryetarin e Partisë Demokratike kur thotë që ne nuk duam pushtet mbi kufoma, por nuk do lejojmë Edi Ramën që të mbajë pushtetin e tij mbi kufomat e qytetarëve shqiptarë që mbyten në det, të cilët zhduken trupat e tyre nga krimi i organizuar. Humbin nënat fëmijët e tyre nga krimi i organizuar, ne nuk do ta lejojmë Edi Ramën që të pasurojë xhepat e tij mbi gjakun dhe djersën e shqiptarëve. Ne nuk do ta lejojmë Edi Ramën që të shkatërrojë jo vetëm të ardhmen e rinisë shqiptare, jo vetëm të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve, por ne nuk do ta lejojmë Edi Ramën sepse ai e mbylli misionin e tij. Misioni i tij për të sjellë rilindjes e Shqipërisë nuk ishte gjë tjetër veçse rilindja e krimit dhe e varfërisë. Prandaj, ai duhet të ikë,duhet të iki një orë e më përpara për të pasur sado pak dinjitet për ata socialistë, të cilët kanë mbetur akoma të ndershëm dhe me integritet pranë PS. Më lejoni që nga qyteti i Lushnjes, që është një qytet për hir të së vërtetës, ku Partia Socialiste ka pasur përkrahjen, t`ju bëjë një thirrje atyre socialistëve të ndershëm.
T`ju bëjë një thirrje të gjithë atyre socialistëve; merrni fatet e Partisë Socialiste në dorë. Merrni fatet sepse Partia Socialiste është aset i politikës shqiptare, por është aset dhe i historisë shqiptare. Është një parti që në historinë e saj ka detaje të shumta. Ka që nga ’91- kur transmetohej një ndryshim në politikë, më pas me referendumin e ’94-ës, më pas me zgjedhjes e ’96-ës sesi Servet Pëllumbi gjakosej në sheshin ‘Skënderbej’ e më tutje me revoltën popullore të ’97-ës, e më pas me emancipimin dhe zhvillimin e institucioneve të shtetit, e kështu me radhë. Të marrin fatet e tyre në dorë, të kësaj historie të bukur dhe të vyer të vlerave të socialdemokracisë sepse socialdemokracia shqiptare nuk është krimi i organizuar, droga dhe rilindja e krimit. Socialdemokracia shqiptare është të plotësosh kërkesat e atyre studentëve të cilat janë më minimalet. Ju bëj thirrje të gjithë atyre pedagogëve që janë anëtarë të Partisë socialiste, të cilët për hir të së vërtetës kanë qenë boshti i asaj partie dhe sot nuk arrijnë të hyjnë në godinën e partisë e jo më të kontribuojnë.
Zgjohuni dhe merrni atë parti në dorë. Ju bëj thirrje të gjithë atyre socialistëve të ndershëm, të cilët duhet të zgjohen dhe të largojnë ato segmente të krimit të organizuar që e kanë kapur partinë Socialiste. T`i kthejnë fytyrën asaj, t`i kthejnë moralin dhe integritetin sepse Partia Socialiste meriton më shumë se Edi Rama, se grupet kriminale, dhe që e kanë kapur atë. Ne të kundërt historia e saj do të mbyllet me turp si një parti që u ngrit mbi vlerat e atyre të rinjve dhe të rejave, mbi vlerat e asaj të majte në Shqipëri, dhe përfundoi si një sekt kriminal që e mori me vete një i kapur, një i inkriminuar dhe një i çmendur. Prandaj ju bëj thirrje çdo socialisti që të zgjohet, të zgjohet sepse sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë. Ka nevojë për njerëzit e saj, ka nevojë për fëmijët e saj, ka nevojë për mendjet e njerëzve të saj. Sot Shqipëria më shuam se kurrë nuk ka nevojë për flamuj politikë, por sot Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për bijtë e saj.
Duke ju uruar dhe duke thënë që unë vetë jam shumë e nderuar që jam sot me ju. Por mbi të gjitha dua të them që Zoti ka qenë shumë bujar me mua dhe familjen time. Dhe duke qenë se e vetmja gjë që mund t’ia kthej mbrapsht është që të mos ndalem në asnjë minutë dhe në asnjë sekondë, për të sensibilizuar çdo qytetar, çdo grua, çdo nënë dhe vajzë për të qenë në krah të atyre studentëve, të atyre djemve dhe vajzave, të cilët kërkojnë kushtet më minimale për të pasur një arsim normal evropian dhe të detyrueshëm. Sepse e ka për detyrë qeveria shqiptare që t’iu dali për zot. Prandaj i lutem Zotit që të më japi fuqi mua dhe ju, që të mos ndalemi në asnjë sekondë dhe moment për t’i përkrahur ata. Zoti ju ruajtë ju dhe familjet tuaja. Zoti ju dhëntë forcë sepse vetëm besimi në Zot mund të na drejtojë në rrugën e duhur, në rrugën për ta shpëtuar njëherë e përgjithmonë vendin tonë për fëmijët e shqiptarëve. Faleminderit.