Gjatë takimit me strukturat drejtuese të LSI Tiranë, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se për LSI nuk ka ndarje dhe diferencime mes qytetarëve. Kryemadhi tha se LSI ka një program të qartë për t’ju shërbyer qytetarëve, për të ulur taksat dhe krijuar zhvillim, ndryshe nga kryeministri Rama, “i cili nuk ka një program konkret politik, porse programi i tij është vetëm tepsia, kusia dhe kazani”.
“Për ne nuk ka diferencim as race, as feje. Për ne ka vetëm një, ajo është Shqipëria, pavarësisht bindjeve tona politike, pavarësisht programeve tona politike, por në fund të ditës të gjitha programet politike rakordojnë në një pikë, t’u shërbejnë qytetarëve. Vetëm Edi Rama nuk ka program politik, Edi Rama ka tepsinë, kusinë edhe kazanin. Edi Rama nuk ka as ulje taksash.
Ne si LSI e kemi thënë dhe e themi: do të ulim taksat, do t’i krijojmë mundësinë njerëzve që të punojnë dhe jetojnë në vendin e tyre me taksa më të ulëta ku institucionet e shtetit shqiptar mos jenë kamxhiku mbi kokën e tyre, por të jenë bashkëpunëtorë të qytetarëve dhe të bizneseve shqiptare sepse ne sot kemi nevojë për klimë të mirë biznesi dhe pune.
Kur thamë për unazën e re dua t’ju kujtoj edhe një fakt tjetër, ndërmjet kësaj tribune dhe për të gjitha mediat, në atë segment të unazës së re që sot të gjithë janë pjesë dhe janë bashkë me banorët jetojnë edhe 150 familje të liqenit të Fierzës që i janë përmbytur shtëpitë e tyre dhe pronat e tyre dhe sot mbas 30 viteve shteti shqiptar, jo vetëm që nuk i ka kompensuar, por akoma nuk jua ka njohur pronat e tyre të përmbytura. Sa energji elektrike shet shteti shqiptar nga liqeni i Fierzës dhe sa ju ka dhënë këtyre 150 familjeve, të cilat kanë mbi 27 vjet që jetojnë në atë zonë dhe nuk mjafton me grabitjen e pronës, por tallet me ta.
Mirë dakord ata që do të shtyhet rruga 10 metra, po mblidhemi të gjithë po lëmë rroga deputetësh, të gjitha përfitimet, ti lërë dhe Edi Rama charterat e tij dhe po paguajmë, por ai nuk ka hallin për segmentin për të cilin po fliste sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që thoshte lum si ata që nuk i kap vija e kuqe, ju ka rënë lotaria, po pse projektet lotari janë? Projektet janë vizion, projektet janë zhvillim, projektet janë në shërbim të qytetarëve, projektet nuk janë bixhoz. Më shumë se Edi Rama, banorët e Unazës së Re e dinë për atë unazë. Ajo është një unazë, që projekti i saj është që në kohën e Adil Çarçanit dhe nuk ka asgjë të re këtu për ne”, tha kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
“Banorët e Unazës së Re janë heronj të vërtet. Të bashkohemi me ta, sepse nesër do të jetë vonë për çdo qytetar“
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë takimit me strukturat drejtuese të LSI së Tiranës, i ka bërë thirrje anëtarëve të LSI, por edhe të gjithë qytetarëve të mos rreshtin së mbështeturi dhe suportuari banorët protestues të Unazës së Re.
Kryemadhi tha se këta banorë janë heronj të vërtet, jo sepse ata dolën sot kundër Edi Ramës, por sepse janë bërë bashkë dhe po rezistojnë përballë dhunës dhe presionit qeveritar.
“Dhe një kërkesë tjetër do t’ju kërkoja. Të gjithë të mos ndalemi, ti bashkohemi protestës së banorëve të Unazës së Re. Të gjithë kemi nga një mik, nga një shok, nga një familjar që jetojnë atje. Janë njerëz si puna jonë, janë njerëz të cilët janë stërmunduar janë rraskapitur për të ndërtuar banesat e tyre, edhe bizneset, se nuk ka asnjë gjë të keqe, se nuk jemi në kohën e Partisë së Punës, që kush kishte biznese ishte kulak.
Jemi në demokraci, nëse ne diskutojmë sot edhe demokracinë, atëherë kot që rrimë këtu. Prandaj do t’ju bëj thirrje, kudo që jeni, çdo ditë, brenda mundësive, pa prishur programin tuaj, por ndonjëherë edhe duke e prishur programin dhe rutinën tonë, t’ju bashkohemi qytetarëve të Unazës së Re, banorëve të Unazës së Re, sepse ata janë heronj të vërtet.
Nuk janë heronj, sepse dolën sot kundër Edi Ramës, janë heronj sepse më shumë se 20 ditë kanë qëndruar të bashkuar, kanë qëndruar bashkë, ju kanë bërë ballë çdo presioni, çdo dhune, çdo intimidimi, çdo përçarje dhe kanë qenë një mësim i mirë për të gjithë. Sepse ne, nuk do të bashkohemi me ta, nesër do të jetë shumë vonë. Nesër do të jetë radha e secilit qytetar të Tiranës, ku do të vijë dhe të trokasi qeveria e krimit, qeveria e trafikut për të zaptuar pronat e tyre. Prandaj çdo ditë e më shumë të përkrahim vëllezërit tanë”, tha Monika Kryemadhi.
Kryemadhi: Deputetët socialistë që u kërkuan votat, të takohen me banorët e Unazës së Re
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka kërkuar nga deputetët e Partisë Socialiste që të solidarizohen dhe të takohen me banorët e Unazës së Re.
“Dua t’u bëj një thirrje kolegëve socialist, për ata socialistë që kanë mbetur në shpirt e në zemër, për ata socialistë që kanë trokitur në dyert e tyre në fushatat elektorale, duke filluar nga Musa Ulqini, Besnik Bare e shumë e shumë të tjerë të shkojnë e të paktën të pinë një kafe të zezë me ata banorë, të shkojnë e t’u thonë: Ne nuk kemi fuqi ta ndryshojmë këtë realitet, por jemi me shpirt e me zemër me ju.
Të shkojnë e të thonë që ne nuk jemi dakord me këtë turp të Edi Ramës, sepse kjo tregon se u ka mbetur pak socializëm brenda shpirtit të tyre. Nëse ata nuk do ta bëjnë do të më vijë shumë keq, sepse vitet më të bukura të jetës sime ja kam kushtuar një partie, e cila vetëm për njerëzit nuk ka menduar, por ka menduar vetëm për veten e saj që prej themelimit të saj për një grup njerëzish dhe vazhdon të mendojë tashmë për një grup kriminelësh”, tha Kryemadhi.
“Ajo që pamë sot ishte një mizaskenë, por shumë jo e realizuar artistikisht, disa punonjës bashkie që pozonin për fotografin e Edi Ramës, të cilët me kënaqësinë më të madhe kishin pranuar që t’i shkatërroheshin shtëpitë e tyre, mundi dhe djersa e 20 e disa viteve të fëmijëve të tyre apo dhe vetë banorëve të shtëpisë dhe të shkonin dhe të merrnin një lëmoshë me një qera 3 vjeçare në banesat sociale. Jo vetëm që është qesharake, por është edhe shumë e turpshme.
Është e turpshme tallja me të cilën kërkojnë të përdorin ndaj qytetarëve, jo vetëm të Unazës së Re, po edhe qytetarëve të Tiranës. Dakord këta qytetarët po shkojnë të banojnë tek banesat sociale, por janë 360 shtëpi, godina, të cilat minimumi kanë nga dy apo tre kurorë. Sa banesa sociale ka Bashkia e Tiranës sot, sepse ne e dimë shumë mirë nga këshilltarët tanë që 70-80 % e tyre janë dhënë me vendim të Këshillit Bashkiak për familjet në nevojë. Ku do të shkojnë mbi 800 familje”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë takimit me strukturat drejtuese të LSI-së Tiranë.