Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot arrest me burg për Selman Allën.
Ky i fundit është autori i krimit makabër që tronditi Tiranën, pasi vrau babanë e tij me çekiç dhe më pas e hodhi atë në liqenin e Farkës.
Prokurori i çështjes ka lexuar dëshminë e Allës, i cili ka thënë se sherri ka nisur në momentin kur autori dhe viktima ishin duke shkarkuar disa materiale në oborrin e shtëpisë.
Sipas tij, i ati Fejzi Alla i ka thënë se “nusen do ta kemi përgjysmë’. As kësaj, Selmani e ka goditur me çekiç pas koke dhe e ka futur në makinën e vëllait për ta çuar te liqeni i Farkës.
Edhe më tronditës është detaji tjetër që ai ka deklaruar, teksa ka dëshmuar se te liqeni, kur ka hapur bagazhin e makinës ka vënë re që babai merrte ende frymë dhe ai e ka goditur në pjesën ballore, duke i shkaktuar vdekjen.
Autori i krimit makabër është shprehur para policisë së konfliktet me të atin nisën kur ai e fejoi pa dëshirë, ndërsa sipas tij dyshimet ishin që babai e donte vajzën për vete edhe për faktin se ka qenë tre herë i martuar më parë. Dëshminë e djalit e mbështet edhe nëna e tij, e divorcuar.
Në përfundim të seancës, avokati i Selman Allës u shpreh se “I ka thënë babit se do shkoj në Gjermani te vëllai të rregullohem nga gjendja ekonomike dhe pastaj të martohem. Pas krimit u ul në një fast food dhe hëngri tre sufllaqe, iku në Kukës dhe kur po kthehej në drejtim të Tiranës, u arrestua në afërsi të urës së Institutit. Babai sipas tij ka abuzuar dhe keqtrajtuar gratë që ka pasur. Dyshohet se ka qenë edhe abuzues seksual, por kjo ende e paprovuar. Ne i kemi kërkuar gjykatës ekspertim mjeko-ligjor, pasi nga sjellja e tij në gjyq dhe përvoja që ne kemi me raste të ngjashme mendojmë se është me probleme mendore”.