Nga: Azgan Haklaj
Rrugët janë po aq të rendësishme për zhvillimin ekonomik, kulturor e civilizues të një kombi, siç është sistemi i venave dhe kapilarëve për qarkullimin e gjakut në trupin e njeriut.
Qysh në kohët e lashta dhe krijimit të dinastive të mëdha, unifikimi administrativ, territorial dhe politik i rajoneve është bërë i mundur veç të tjerash falë ndërtimit të veprave të mëdha inxhinierike rrugore, të cilat kanë bërë të mundur qarkullimin më të shpejtë të njerëzve, mallrave, shkëmbimin ekonomik e kulturor.
Ishte Perandoria Romake ajo që me gjeninë e saj krijuese i dha hov të jashtëzakonshëm zhvillimit ekonomik e tregtisë së lirë në kohën antike.
Ajo ndërtoj në tre kontinente, në Europë, Azi dhe Afrikë një sistem të përsosur rrugor, i cili i lidhte qendrat e provincave e rajoneve me kryeqendrën perandorake.
Vija “Egnatia”, e cila lidhte Dyrrahun me Kostadinopojën është dëshmi e kësaj trashëgimie.
Të parët tanë, ilirët e më vonë arbërorët i shfrytëzuan luginat e lumenjëve për ndërtimin e rrugëve, të cilat lidhnin ultësirën bregdetare me pjesën e brendshme të viseve lindore kontinentale të trojeve tona me Kosovën e viset e tjera Dardane, rajone me pasuri të mëdha, me burime ekonomike, bujqësore, blegtorale, pyjore e minerare.
Ata ndërtuan kala e fortifikata në mbrojtje të tyre, për të garantuar zhvillimin e pandërprerë e komunikimin në çdo stinë dhe shkembimin e tregtisë, të eksportit e importit të mallrave.
Një nga arteriet më të rendësishme të rrugëve kombëtare e përdorur që në lashtësi e në mesjetën e hershme është ajo e Luginës së Drinit, e pagëzuar së fundmi si Korridori Adriatik -Alpe, i cili fillon në Portin e Shëngjinit, kalon pranë ish qyteteve të Dejës, Sardës e përmes luginës së Komanit një panoramë mahnitëse e natyrës e cilësuar si një “Parnas” shqiptar mbërrin në pikëtakimin e Drinit me Valbonën, aty ku shpaloset natyra madhështore e alpeve shqiptare, muri natyror që ndan trojet tona iliro- dardane dhe vazhdon drejt Rrafshit të Dukagjinit e viseve lindore të Kosovës.
Nuk është vetëm panorama mahnitëse që e bëri këtë rrugë të ketë një rendësi kaq të madhe për vendin e rajonin e Ballkanit. Trashëgimia kulturore e Luginës së Drinit është kaq e pasur e autentike për historinë tonë, se me të drejtë është cilësuar si një deshmi e çertifikatë autentike e qytetërimit iliro- dardano -arbëror dhe e vazhdimësisë së tij të pandërprerë deri në ditët tona.
Në trevat që njihen si Korridori i Alpeve janë ruajtur mrekullisht margaritarët e kulturës së vjetër shqipe, mitet, legjendat, Eposi i Kreshnikëve, e drejta zakonore, lahuta iliriane gjersa iu dhurua serbëve.
Janë ruajtur plisi, xhubleta e xhamadani, kullat e fortifikuara, si deshmi e qëndresës ndaj pushtuesve, e mbi të gjitha geni autentik i racës shqiptare, i cili arriti mrekullisht deri në ditët tona pa u asimiluar nga rrebeshet e shekujve dhe erozioni i kohërave.
Qysh para dy shekujsh udhëpërshkrues, studiues e autor të njohur europian si Han, Ami Bue, Nopça, Edit Durham etj, janë mahnitur me thesarin kulturorë të Luginës së Drinit, me natyrën dhe njerëzit e saj.
Për këtë rrugë kaq të rendësishme, për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë kombëtare është lobuar prej 16-të vitesh, në parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës, në kohën e Qeverisë Haradinaj dhe janë organizuar tre workshope, në Shkodër, Gjakovë, Lezhë.
Ky korridor kalon në një panoramë mahnitëse të natyrës, në një terren të favorshëm për ndërtimin e mirëmbajtjen e tij, me një kosto të ulët.
Studimi dhe fizibiliteti ka treguar se kostoja e ndërtimit të kësaj rruge shkon rreth 263 milion euro, afërsisht sa rruga e Balldrenit.
Korridori Adriatik- Alpe është jetik për zhvillimin ekonomik, sepse u shërben një popullsie mbi një milion banorë.
Kalon në një zonë me pasuri të mëdha natyrore, siç janë burimet minerale, hidroenergjetike e pyjore e më në fund bën të mundur konfigurimin e unazës së alpeve, perlave të natyrës, si Thethit e Valbonës, Sylbicës, Currajt e Epërm, Plavë- Gucisë, Malësisë së Madhe, Grykës së Rugovës, bjeshkëve të Deçanit e Junikut.
Bën funksionale unazën shqiptare Tropojë – Junik – Deçan – Plavë- Guci – Tropojë.
Kjo rrugë që lidhë mbi 5000 km katrorë tokë shqiptare është premtuar në të gjitha fushatat elektorale, por fatkeqësisht ka mbetur në letër dhe në deshirën e mirë të ideatorëve dhe atyre që lobuan fort për ndërtimin e saj.
Për rendësinë kombëtare e rajonale të këtij projekti mjafton të theksojmë faktin së Sllovenia vendi më i zhvilluar i Ballkanit, e ka theksuar sëfundmi rendësinë e këtij korridori dhe e ka quajtur domosdoshëmëri realizimin e projektit për jetësimin e tij.
Në rrafshin kombëtar, Korridori Adriatik -Alpe ka rendësi fondamentale, jo vetëm për të venë në efiçencë të plotë potencialin e madh ekonomik të alpeve shqiptare për zhvillimin turistik, shfrytëzimin e burimeve të mëdha minerale a atyre ujore, por edhe për të shndërruar Portin e Shëngjinit në një nyje me rendësi kombëtare, për zhvillimin ekonomik, për lëvizjen e njerëzve e të mallrave, e për ta vënë atë realisht e pa mëdyshje në shërbim të Kosovës.
Atyre që mendojnë ndryshe jua kujtoj faktin se vertet jami komb që jetojme në dy shtete, por kemi ADN-në, historinë, gjuhën dhe flamurin të përbashkët.
Kemi të përbashkët hapsirën e trojeve etnike, detet, lumenjtë, malet dhe qiellin shqiptar, si dhe faktin se luftërat e fuqishme dhe kuvendet e mëdha të Kosovës kanë jetësuar pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912-të në Vlorën historike të Ismail Qemalit.
Është vepër e ulët, antikombëtare t’u japësh Portin e Shengjinit kinezëve, turqëve, italianëve, apo të huajve të tjerë e të privosh Republikën e Dardanisë antike “Kosovës” e qytetarët e saj nga dhënia e një porti në Atdheun e tyre.
Ne ideatorët e këtij Korridori jetik kombëtar shpresojmë që realizimi i këtij projekti madhor do të bëhet realitet, sepse është premtuar disa herë në fushata elektorale, por pastaj është lënë në harresë.