Një prej pikave më të forta, por që shpesh e konsideruar nga ekspertët si ndër më dobëtat e përformancës së qeverisë Rama, kanë qenë koncesionet.
Në një intervistë për “Tirana Today”, eksperti i ekonomisë dhe financave, Arben Malaj, vlerëson se qeveria do ta marrë notën e saj për koncesionet në procesin zgjedhor.
Nga na tjetër, ai këshillon partitë politike të kenë kujdes në premtimet e tyre për zhbërjen e koncesioneve, sidomos atyre që kanë marrë miratimin e ligjvënësve.
“Kemi një përvojë të keqe në konkurrencën politike, ku shpesh partitë premtojnë se do të zhbëjnë atë që kanë bërë qeveritë e mëparshme. Duhet të kemi kujdes sepse kjo krijon një ndikim negativ tek investitorët vendas dhe të huaj që janë shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Duhet të kemi akoma më shumë kujdes sepse shumë prej tyre kanë kaluar në parlament dhe ndërprerjet e njëanshme të marrëveshjeve koncesionare i kanë rënduar shumë buxhetit të shtetit shqiptar, miliona dollarë apo euro që shkojnë si penalitet për prishjen e koncesioneve dhe që peshojnë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Mënyra për t’i ndërprerë ato, është monitorimi në mënyrë shumë të kujdesshme për të gjetur shkelje ligjore. Atëherë ndërprerja do të ishte e lehtë dhe e dobishme”.
Ai sjell shembullin e tre koncesioneve të mëdha të dhëna nga PD; skanerin e doganave, ngjyrimin e karburanteve dhe koncesionin e pullave, duke kujtuar se po funksionojnë edhe pse ish-opozita pati premtuar zhbërjen e tyre.
I pyetur nëse do kishte kosto vijimi me këtë ritëm i dhënies së koncesioneve edhe në mandatin e ardhshëm, ai thotë se “kostoja politike do të vlerësohet aktualisht, sepse edhe opozita ka bërë një luftë të madhe për koncesionet por duke qenë se këto janë probleme jo të lehta në kuptimin dhe absorbimin e tyre, do të thosha u takon komisioneve parlamentare, ekspertëve e studiuesve tanë që sipas fushave specifike, të bëjnë një oponencë sa më profesionale, në mënyrë që të rrisin ndërgjegjësimin, se cilat raste kanë impakt pozitiv dhe cilat raste kanë kosto që u rëndojnë taksapaguesve “.