Editorial - Opinione

Koha për orën e edukimit ligjor në arsim

               Publikuar në : 15:07 - 09/02/19 S.N

Nga Denisa Daka

Krimi i radhës pret pas derës, ndërsa mijëra adoleshentë të painformuar e shpesh të pandërgjegjshëm për veprimet e tyre, janë të rrezikuar e ekspozuar krejt përballê dhjetëra fenomeneve të rënda këtu. Secili prej tyre duhet të arrijë të kuptojë mes edukimit të duhur se çdo veprim a pakujdesi, shkelje e rregullave posaçërisht, përveçse përbën në shumë raste vepër penale, mund të penalizojë secilin prej tyre, duke u prishur ëndrrat a krejt jetën paskëtaj.

Edukimi, ai i duhuri në fakt, është lënë pas dore prej vitesh në institucionet arsimore, duke penalizuar në një tjetër mënyrë secilin prej tyre.

Frika, pasiguria, shantazhi, mizoria, paragjykimi e mendësia do të tërheqin të tjera viktima çdo ditë pa asnjë mëdyshje, ndërsa bashkëfajtorë për çdo veprim të adoleshenteve këtu, do të jenë përveçse ata vetë dhe të gjithë ne, shkolla e krejt shoqëria.

Teksa procesi penal ka nisur kundra shtatë adoleshentëve në një qytet të vogël, ku e keqja e gjëma hiperbolizohen e marrin tjetër trajtë, përveçse të tjerë adoleshentë do të përballen me ligjin për moskallëzim krimi e jo vetëm, të cilët me shumë gjasë do të ngrenë supet përtej heshtjes, duke pohuar se nuk kishin asnjë dijeni të gjithë bashkë, që moskallëzimi i krimit përbënte vepër penale e mund t’i penalizonte sipas ligjit, mësuesit e tyre gjithashtu.

Të njëjtin fenomen e kam hasur te dhjetëra bashkëmoshatarë të tyre, në dyert e gjykatave apo pas hekurave, për nevoja të procesit më shumë se një herë.

Kurrikulat e arsimit parauniversitar kanë nevojë për shkundje në rrënjë, i gjithë sistemi arsimor gjithashtu, ndërsa orë të posaçme socializimi, aktivitete sociale jashtë klisheve standarde të deritashme, orë të edukimit ligjor e seksual gjithashtu, do të orientonin me një frymë e qasje të re institucionin e arsimit, këtë brez adoleshentësh posaçërisht, përmes së cilës të gjithë bashkë të arrijnë të vlerësojnë e kuptojnë siç duhet, se të drejtat dhe detyrimet posaçërisht, duhen respektuar rigorozisht në çdo rast.

Uroj shumë që Besa e arsimit e jo vetëm, të kuptojnë siç duhet të gjithë bashkë, se përpjekja për edukim është baza e gjithë trasesë që duhet shtruar për këta të rinj, ku mësuesit të jenë udhërrëfyes, përveçse mbështetës e bashkëpunues.

Ora e edukimit ligjor të zhvillohet në çdo klasë ku ka të mitur, duke vënë në dispozicion një avokat për këtë qëllim, i cili në mënyrë vullnetare të mundësojë shpjegimin, shtjellimin e ndihmën e posaçme ligjore për çdo adoleshent këtu, duke ngjallur shpresë e besim te secili e duke orientuar qytetarë të mirë e me vlerë.

Unë e para jam gati t’i bashkohem kësaj nisme me shumë dëshirë e vullnet të mirë, në emër të fëmijëve të mi e jo vetëm, në emër të ardhmërisë së secilit posaçërisht.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT