Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, mazhoranca në Komisionin e Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e presidentit Meta, duke mos miratuar Bahri Shaqirin në krye të Kontrollit të Lartë Shtetëror.
Gjatë mbledhjes, kreu i Komisionit Arben Ahmetaj e cilësoi si mangësi kryesore mospërvojën e Shaqirit në fushën financiare. Kështu, kandidatura e propozuar nga Meta u rrëzua me shumicë votash nga anëtarët e mazhorancës në komision.
“Nuk ka përvojë financiare, për organizimin dhe funksionimin e KLSH. Angazhimet janë të fokusuara në fushën e sigurisë, por jo në ato të parashikuara nga ligji për KLSH. Eksperienca në legjislacionin financiar është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme me aftësi të tjera. Ai është larg specifikës financiare dhe auditimit, financiar, i performancës etj. Kështu që duke iu referuar të gjithë tagrit kushtetues të këtij komisioni, ky komision, i dërgon seancës për mosmiratimin e kandidaturës së tij,”– tha Ahmetaj.