Mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije Radoviç ka këkruar që të ndërpritet dialogu midis Serbisë dhe Kosovës. Ai i ka prezantuar bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë dokumentin, të cilin e ka quajtur “Apel për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”.
Në gazetën serbe “Blic” është publikuar dokumenti i cili i ngjan më shumë ngjanë një pamfleti politik. Në dokument injorohet dialogu i brendshëm i propozuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa Radoviç mendon se konflikti i ngrirë është i vetmi vendim i arsyeshëm.
Radoviç këtë dokument ua ka prezantuar bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në një tubim të dielën në Kishën e Shën Nikollës në Radovic të Lushticës, dhe ka synuar që për idetë e tij të marrë mbështetjen në kuadër të Kishës Ortodokse Serbe, shkruan telegrafi.
“Me politikë të papërgjegjshme, me miratimin e EULEX-it, zhvendosjen e dialogut për Kosovën dhe Metohinë nën patronatin e BE-së, me fillimin dialogut teknik si dhe me arritjen dhe zbatimin e marrëveshjes antikushtetuese të Brukselit, procesi i ndarjes së Kosovës ka marrë vrull shqetësues. Ky proces mund dhe duhet të ndalet”, thuhet në dokumentin e Radoviç.
Gjithashtu, në dokument theksohet se “kërkesat e SHBA-së dhe vendeve më të fuqishme të BE-së, që Serbia dhe Kosova të nënshkruajnë një marrëveshje ligjërisht obligative, dhe Serbia të pajtohet që Kosova të pranohet në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, si dhe çdo ndarje të Kosovës dhe Metohisë, janë të papranueshme dhe duhet të refuzohen njëherë e përgjithmonë.”
Gazeta serbe shkruan se një pjesë e mirë e tekstit i është dërguar edhe presidentit të Serbisë, të cilit Radoviç i kujton se ka bërë betimin dhe se “pa Kosovën dhe Metohinë, Serbia do të ishte e gjymtuar dhe përgjithmonë e humbur”.