Nga: Pëllumb Nako
Para disa vitesh, në një kanal televiziv italian po flitej për Shqipërinë e kohës së Mbretit Zog. Emisioni ishte konceptuar mbi bazën e shkrimeve të një gazetari të këtij vendi, që dikur kishte takuar personalisht mbretin shqiptar. Ai e konsideronte Zogun “si një mbret tipik oriental, i cili nuk thotë kurrë atë që mendon, ose thotë gjithmonë të kundërtën e asaj që mendon”.
Arsyet e një përcaktimi të tillë mund të jenë të shumta, por duket se në të ka mjaft vërtetësi, e cila shfaqet edhe në kohët e sotme në shumë qëndrime të lidershpit politik shqiptar në raport me interesat personalë për pushtet dhe të atyre të vendit. Kontradikta shfaqet mjaft e qartë, sidomos në raportet dhe qëndrimet e tij ndaj Bashkimit Europian, duke ditur që ky i fundit, pavarësisht se larg përsosmërisë, mbetet në radhë të parë një bashkim vlerash politike, sociale dhe humane. Vlera këto që në shumicë nuk evidentohen në mënyrën e qeverisjes së lidershipit politik shqiptar. Ky i fundit ka sjellje politike ende me taban otoman.
Samiti i Këshillit Europian me Ballkanin Perëndimor që mbahet në Tiranë dhe simbolika e tij është një mesazh mjaft i fortë, sidomos për shqiptarët. Është kjo simbolikë, e cila e entuziazmoi Kryeministrin tonë të thotë plot modesti se ardhja e “Europës” në Tiranë është edhe meritë e tij. Pasi e ka damkosur prej vitesh me lloj-lloj epitetesh Bashkimin Europian për paaftësi, konfuzion, për mungesë humanizmi e mangësi të tjera thelbësore, më së fundmi ai na informon se Samiti i Tiranës është edhe falë kontributit të tij personal sepse Europës ia ka thënë të vërtetat drejt e në sy.
Megjithatë, kjo vetëkonsideratë e Kryeministrit ka pak rëndësi për atë çka vërtet peshon për publikun shqiptar. Dhe ajo që peshon realisht ka të bëjë me tematikën që do të diskutohet në samit. Sipas axhendës së bërë publike nga ana e Komisionit Europian, në samit do të flitet pikërisht për një gangrenë me origjinë nga Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria si pjesë e tij. Gangrenë kjo që vazhdon të shqetësojë Europën. Një problem që Kryeministri ynë ose ka refuzuar ta trajtojë, ose e ka trajtuar krejtësisht ndryshe, nëpërmjet një retorike demagogjike të lidhur me lirinë e qarkullimit të individit. Herë duke e krahasuar fenomenin me vende të tjera gjatë shekujve të shkuar dhe herë me ato aktuale (megjithëse këto të fundit zhvillohen në një kontekst ligjor krejtësisht ndryshe nga emigracioni i parregullt shqiptar), duket qartë se Kryeministri më shumë e ka inkurajuar fenomenin sesa e ka zbutur e aq më pak për t’i vërë fre. Bëhet fjalë për emigracionin e parregullt që buron dhe tranziton nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në samit do të flitet edhe për azilin dhe lëvizjen e liberalizuar të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në përgjithësi, politika dhe propaganda shqiptare që i bën jehonë asaj, ka mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj shqetësimit të vendeve perëndimore një e nga një dhe së fundmi të gjithë bashkë, lidhur me emigracionin ilegal që buron ose tranziton nga Shqipëria. Qëndrim ky i ngjashëm, për të mos thënë i njëjtë, me konstatimin e gazetarit italian lidhur me ish-mbretin shqiptar. Mjafton të kujtojmë me këtë rast ardhjen në Shqipëri të ministrit të Brendshëm të Francës para disa viteve kur abuzimi me të drejtën për azil i shqiptarëve në këtë vend u kthye në shqetësim për autoritetet e tij kompetente. Ardhja e tij në Shqipëri u prezantua si sukses qeveritar, e cila në arenën ndërkombëtare ka bashkëpunim të ngushtë me një vend të tillë të fuqishëm. Në fakt, dihet se motivi i vizitës kishte të bënte me shqetësimin francez për abuzimin e shqiptarëve me sistemin e azilit të këtij vendi. E njëjta gjë ndodhi edhe me ministrin e Brendshëm Austriak e më pas me atë të Britanisë.
E megjithatë, pavarësisht kontakteve të shumta diplomatike, bashkëpunimit teknik, përsëri problematika e emigracionit të parregullt ka mbetur ende aty, e pranishme. Për zgjidhjen e shqetësimeve të kësaj natyre, njihet tashmë se qasja europiane është bashkëpunimi dhe ndihma. Ndërkohë vetë fenomeni ndryshon forma dhe territore, por mrgjithatë ai ka mbetur përsëri aty dhe po ashtu shqetësimi i Bashkimit Europian. Këtë radhë anëtarët e Këshillit Europian, pra, përfaqësuesit e nivelit më të lartë të vendeve të BE-së, zbarkuan të gjithë në Tiranën tonë. Sigurisht, edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të biseduar dhe për të bashkëpunuar për një fenomen shqetësues. Ajo që bie në sy gjatë këtyre dekadave të fundit është fakti se vendin tonë e vizitojnë me shumicë ministra perëndimorë të çështjeve të brendshme dhe jo ministra kulture, të zhvillimit apo të tjerë me këtë profil.
Samiti do të trajtojë, por në mënyrë të ndryshme nga Kryeministri ynë, çështjet e emigracionit. Aty do të flitet sy më sy me të gjithë autoritetet me të larta politike të kontinentit për një temë që Kryeministri ynë ia servir popullit të tij, ndryshe nga Europa. Institucionet e vendeve anëtare të kësaj të fundit shqetësohet nga migracioni i parregullt, kurse Kryeministri ynë gjatë gjithë kohës ka folur dhe vazhdojë të flasë thjesht për emigracion. Nuk është e njëjta gjë. Askush nuk mund të ndërhyjë në vullnetin e dikujt që kërkon të emigrojë dhe për këtë u adresohet rregullave dhe ligjeve për të aplikuar me qëllim që të pajiset me leje pune dhe për të shkuar në një vend tjetër ku ndihet më mirë. Por kjo nuk është e njëjta gjë dhe është krejtësisht ndryshe kur merren gomone apo kur Kryeministri u drejtohet të rinjve të Tropojës të braktisin vendin duke u thënë “E di që jeni në dilemën të rri apo të iki, por kjo është normale, legjitime për kohën kur jetojmë, mundësia për të lëvizur është aty”. Dhe për të treguar këtë mundësi Kryeministri nuk i orienton drejt aplikimeve ligjore, por u thotë “të çajnë malet e të kapin majat”. Kryeministri ynë tregohet mjaft i gjerë kur u tregon shqiptarëve lirinë për të çarë malet, e për të ikur nga vendi, por për lirinë brenda vendit, të vë dinamitin.
Vërtet ikin kroatët me mijëra, siç thotë Kryeministri, por ata janë brenda familjes europiane dhe askush nuk i deporton me forcë drejt vendit të tyre. Ndërkohë, nga Europa, çdo vit, janë me mijëra shqiptarët që deportohen me forcë. Në momentin e kthimit në atdhe, ata kanë nevojë për mbështetje financiare dhe psikologjike sepse kanë humbur gjithçka. Por askush nuk mendon më për ta. Dhe kjo është mizore. Madje, asistenca financiare për të kthyerit me forcë në vend, është marrë si angazhim politik nga qeveria shqiptare në momentin e liberalizimit të vizave. Ka buxhet për këtë aspekt?