Nga: Sokol Balla
Nëse hyn në Shijak – nga secila prej katër rrugëve të tij – e kupton se bëhet fjalë jo për një qytet, por për një fshat. Një fshat të madh dhe të pasur. Aty mbizotërojnë serviset e makinave, noteritë ku bëhen kontratat për shitjen dhe blerjen e tyre, kompleksi Gjoka – i sekuestruar nga Operacioni Forca e Ligjit – dhe vila. Shumë vila, pasuria dhe origjina e të cilave, përcaktohen qartë dhe me sarkazëm nga kualiteti i mureve rrethuese, lartësia e kangjellave dhe numri i kamerave të sigurisë. Besoj se nëse ka një aksident “hit and go” në rrugët e Shijakut, policia rrugore e ka shumë të lehtë të gjejë autorët. Mjaft të kontrollojë ndonjë nga qindra kamerat e sigurisë që kontrollojnë rreptësisht rrugët e qytetit, nga lartësitë e mureve të vilave të shtrenjta. Por vetëm policia rrugore ama. Policia vetë nuk e ka pasur dhe akoma nuk e ka të lehtë të kontrollojë këtë qytet me shumë dritë hije.
Diku te katër rrugët ku ato kryqëzohen, është dhe selia e një prej bizneseve më të mëdha në vend AIBA. Por vezët që ajo shet janë shumë pak për të vlerësuar familjen e madhe politike që i rri pas. Pronë e vëllezërve Duka të lidhur me krushqi me vëllezërit Koka. Agron Duka ishte i pari ai që iu afrua politikës dhe fitoi mandatin si deputet në vitin 2001. Berisha iu vu Dukës menjëherë sa u bë deputet në Shijak, një mandat që rivali i atëhershëm Mero Baze ia vuri aq shumë në dyshim si të vjedhur, sa u tërhoq nga gara pa mbaruar zgjedhjet.
Për këtë Duka u godit nga Berisha keq dhe vazhdimisht dhe i vuri nofkën Duka i Krimit dhe familjen e tij të madhe Duka/Koka si “Klani i Zemunit”, një paralele me grupin criminal që në 2003 vrau kryeministrin serb Zoran Gjingjic, sic thuhet pasi iu prishën pazaret me njeriun të cilin e ndihmuan të ngjitej në pushtet në Beograd. Berisha dhe shtypi pranë tij i përmendnin Dukës lidhjet me grupe kriminale në Shijak, që sipas tij e kishin ndihmuar të fitonte mandatin. Një gjë që nuk u provua asnjëherë për familjen, që kishte bërë të vetmin investim të ligjshëm në Shijak dhe ku ishin punësuar qindar njerëz. Një arsye mëse e mjaftueshme që Agron Duka, një ish volejbollist i shkëlqyer dhe njeri babaxhan të merrte mandatin e deputetit. Berisha mendonte ndryshe. Atij nuk i shkoi kurrë poshtë, sesi një zonë e djathtë tradicionale si Shijaku, nxori një deputet të majtë, i cili për më tepër u bë dhe Ministër i Bujqësisë. Për më keq kunati i tij, Lefter Koka dy vjet më vonë fiton bashkinë e Durrësit për PS, megjithëse paraardhësi i tij po socialist Miri Hoti, ishte kthyer në barcaletë në Durrës, ndër të tjera se kishte ngritur pallat mbi Bukuroshen e Durrësit.
Për Berishën kjo rrugë e Dytë e Shijakut, kishte vetëm një shpjegim: krim dhe para. Por me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2005 retorika e Berishës ndaj Dukës së Krimit, ra. Termi pezhorativ por politik Klani i Zemunit u përdor më shpesh. Pas fitores në vitin 2005, Berisha i kushtoi një festë të veçantë humbjes së mandatit nga Agron Duka në Shijak. A iu kujtohet konferenca për shtyp në 2 korrik 2005 në Selinë e PD, kur Berisha i ngazëllyer u shfaq me dy kandidatë fitues?
Njëri Ylli Pango, që kishte mundur “Mumuthin e Korrupsionit”, Cac Angjelin te njësia dy në Tiranë. Tjetri, me mëngë përveshur të një pulovre të pazakonte për atë klimë të nxehtë. Me një fytyrë të lodhur dhe të djersitur, por të lumtur. Ishte Sokol Olldashi gazetari durrsak i Albanias e më pas aktivist i PAD të Cekës, i cili iu bashkua PD në kohërat e vështira të pas vitit 1997. “Ky këtu, tha Berisha duke iu drejtuar Kolit, mundi Dukën e Krimit”. Ishte hera e parë pas shumë kohësh që e përmendte këtë term. Dhe s’do ta përdorte më për një kohë të gjatë. Olldashi përmbysi rezultatin në Shijak. E ktheu atë djathtas sërish. Me ndihmën e disa familjeve me emër e të forta si fise në numër. Avdylajt ishin një prej tyre. Gjithnjë të djathtë, por në 2005 ata shfaqen vendimtarë në fitoren e Olldashit, afëria e të cilit me ta, nuk ishte më sekret prej kohësh. Olldashi dhe Berisha hyjnë triumfues në 12 shtator në parlament – sa e pamëshirshme është historia me këto datat. 7 vjet më herët, vritej Azem Hajdari dhe dy më vonë në darkë vonë, nga Selia e PD dilte i urti Sabri Godo, pasi i la Doktorit “kabëll” nga amerikanët, që përfshinte edhe fjalët “helicopter marins” dhe “tani”. Menjëherë Berisha tërhoqi njerëzit nga rruga, nga RTSH dhe dy ditë më pas dorëzoi tanket në gardë, duke mbyllur pa nder rrebelimin e armatosur dhe derën për në pushtet për një afat të pacaktuar. Por ama që nga ai moment për arsye të kuptueshme, ambasadores amerikane iu nofka nga Berisha, si Marinsa Lino).
Por kjo është një histori tjetër. T’i rikthehemi shtatorit 2005. Dy ditë më vonë ndërsa qeveria Berisha merrte mandatin dhe Sokol Olldashi bëhej Ministër i Brendshëm, Prokurori Sollaku, i trembur se ish shefi i tij do hakmerrej ndaj tij se nuk kishte bërë detyrën siç ja kishte kërkuar, i bëri kryeministrit të ri një dhuratë. Arrestimin e Nar Kokës, vëllait të Lefter Kokës, kreut të bashkisë Durrës dhe kunatit të Agron Dukës. Arrestimi për akuza për kontrabandë, të cilave Nari, një personazh multidimensional iu përgjigj me ironinë Durrsake, me një shprehje që u bë legjendë urbane: “Unë vetëm thoja “hape traun” dhe ata ma hapnin. Ca faji kam unë se ata hapin traun cdo njeriu?” Goditja ndaj Narit ishte goditje ndaj Terit, në sfidën e Berishës ndaj “klanit të Zemunit”. Ai nuk duhet të fitonte më Durrësin, një tjetër zonë në fakt ku PD kishte patur mbështetje edhe në kohë të vështira dhe ku për Berishën fitorja e Kokës kishte të njëjtin shpjegim: krim edhe para. Propaganda disa vjeçare per “klanin e Zemunit”, bëri efekt të kreu i ri i PS Rama.
Pas një bisede ne një rruge rastësore të gjatë me avion të njëjtë me Terin, puna e të cilit në Durrës ishte ndjerë shumë ato tre vjet, vendosa të pyesja në emër të tij arsyen përse Rama nuk e kandidonte për një mandat të dytë? Rama m’u përgjegj me sytë poshtë, se në klimën e akuzave për lidhje me krimin, e kishte të pamundur të njolloste lidershipin e tij të ri, me këtë vendim. Gjysma e punës ishte bërë. Olldashi mori përsipër gjysmën tjetë të rikthimit të durrësit nën ngjyrën blu. Ministri i brendshëm vendosi si kandidat shefin e Gjendjes Civile të Republikës dhe vartësin e tij Armand Teliti, një djalë i mirë me një “cen”. Ishte kavajas. Të kandidosh një kavajs n’Durrs, është si t’i veshësh me zorr Erion Braçes bluzën e Tironës.
Por nuk ishte kjo arsyeja përse në shkurt 2007, Teliti humbi me 127 vota më pak ndaj një biznesmeni nga Durrësi që kandidonte për PS. Ajo që shokoi më shumë, ishte se Teliti me kokën poshtë, as nuk u përpoq ta kontestonte rezultatin e ngushtë. Në pallatin e sportit Ramazan Njala, kur u numërua dhe vota e fundit, ai nxitoi ti jepte doren dhe të uronte për fitoren Vangjush Dakon, pa bërë zë. Po çfarë kishte ndodhur? Përse kthimi i Shijakut në rrugën e Tretë, drejt PD, kishte ndaluar? Si duket, rruga nga Durrësi për Olldashin – eventualisht edhe për Dakon – kalonte nga Shijaku. Dhe këtu kishte një problem. Ambicioz patologjik, energjik patetik, Ministri i Brendshëm kishte neutralizuar 40 banda në më pak se 20 muaj. Ambicja e tij ishte gjetkë: kërkonte të mundte Ramën në Tiranë si kryebashkiak, por edhe si kryetar i PS. Duke hedhur kështu një hap gjigand edhe drejt marrjes së PD në momentin e duhur. Por ndërsa arrestonte bandat, përfshirë edhe në Shijak, duket prangosi edhe të afërt me Avdylajt. Të cilët thuhet se i rezervuan një pritje aq të “nxehtë” në dru e zjarr kur ai tentoi të shkonte në Shijak, sa nga ai moment e tutje drejt Durrësit Olldashi, do të zgjidhte vetëm Autostradën. Njerëzit që të japin votën, nuk ta falin atë në Shijak. Vetëm ta japin me qera. Sidomos Abdylajt. Askush nuk e di sesi Dako arriti të mundë Telitin, por largimi i tij i heshtur dhe moskontestimi i një rezultati aq të ngushtë janë indicje të mjaftueshme edhe pa përgjime, që tregojnë se Teliti humbi për shkak të Olldashit dhe aleancave të tij të prishura në qark, me fiset e rëndësishme. Përfshi dhe Avdylajt. (për ata që mendojnë se ç’lidhje ka Shijaku me Durrësin, ju kujtoj se mbikalimi i ri sot që të lidh me autostradën, kalon mbi rrugën që lidh dy qytetet, në më pak se pesë minuta. Praktikisht Shijaku është çfarë Lapraka është për Zogun e Zi në Tiranë).
Më pas Olldashi humb dhe Tiranën, pasi LSI, nën ndërmjetësimin e Nar Kokës në pajtimin e Metës me Ramën, ishte faktori kryesor me fiks 17 mijë votat e saj, në fitoren e kryebashkiakut të gjatë. Edhe si një hakmarrje ndaj moskandidimit të Terit. Por shpejt Avdylajt qetësohen. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, një amnisti liron shumë vetë nga burgjet dhe ditët e fushatës, personazhe të krimit janë të lirë rrugëve. Edhe për të intimiduar përfqësuesit e ndrojtur socialistë. Njëri prej tyre, mik i Gjushit, ndalohet të hyjë në Shijak për fushatë. Vetë Blendi Klosi më ka treguar momentet e tmerrit kur Avdylajt vunë kallashin në gjoks. Këshillë bindëse për t’u kthyer mbrapsht. Shijaku votoi blu. Rruga e Tretë e Shijakut ishte konsoliduar.
Rrugën e Katërt tashmë e dini. E keni ndjekur tek përgjimet. Tek fitorja e një mandati plus, kësaj radhe të socialistëve. Me gjasë ai është Ilir Drazhi, për të cilin në përgjime Avdylaj mburret se do ta zgjedhe kandidat dhe fitues. Ne zgjedhjet e 2017, PS rritet me mbi 5000 vota. Mjaftueshëm më shumë sesa 2600 votat qe I duheshin Agron Dukës, kësaj radhe kundërshtar I PS.
Opozita tani do t’i perdorë përgjimet si Molotov, por në fakt Molotovin e vërtetë e ka në dorë Edi Rama, meqë thotë se ai është ndryshe, dhe meqë thotë se sondazhet i ka me vete. Edhe kriminelët i ndjekin sondazhet. Ndaj në fund shkojnë me fituesin. Edi Rama ka në dorë të prishë rregullin: të largojë ata që të enjtën në RealStory i quajti “plera” nga partia e tij, tani që është në pushtet, se kur të dalë në opozitë ata ikin vetë. Të shkëputet nga Gjushi dhe “4 Rrugët” si model, për të prishur këtë kryqëzim të shëmtuar të krimit me politikën. Dhe që jo që të besojmë që Gjushi është rast i vecante. Gjushi është në fakt rasti që i përfshin të gjithë, djathtas e majtas. Ai thjesht pati fatin e keq që u regjistrua. Prishja e këtij modeli nuk do t’i interpretohet Kryeministrit si shenjë dobësie apo reflektim ndaj PD dhe Bashës, por si pasqyrë ku Basha dhe të tijtë të shihen e gjejnë vetveten, dhe të ulin kokën. Basha nuk e bën dot këtë, pavarësisht cfarë thotë e bërtet. Ai i vodhi zgjedhjet Ramës në tavolinë dhe vjedhësin e bëri zëvendësin e tij. Ai i vodhi zgjedhjet deri edhe vetë Olldashit. Po jo me Nicen dhe Avdylajt. Ka sa të duash kriminelë me kostum.
Quhet kriminelët e jakave të bardha. Ndryshe nga Avdylajt që sot janë në burg, ata ia kanë hedhur gjithmonë. Deri në fund të qershorit. Kur të ngrihet SPAK.