Sikundër është njoftuar edhe më herët, një numër i madh i kartave ID dhe pasaportave janë në prag skadimi në fund të këtij viti. Për të shmangur fluksin e madh të aplikimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka urdhëruar hapjen dhe në fundjavë të të gjithë zyrave të aplikimit në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, këtë të shtunë, datë 20 korrik 2019, zyrat e aplikimit për dokumentet biometrike në Tiranë, Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Lushnje, Korçë, Shkodër, dhe Vlorë do të jenë të hapura deri në trajtimin e fundit të qytetarit në sportel.
Gjithashtu, Ministria këshillon çdo qytetar të verifikojë skadencën e kartës ID, dhe të mos e lërë aplikimin për ditën e fundit, në mënyrë që të gjithë të pajisen me karta dhe pasaporta të reja.