Një 37-vjeçar është arrestuar për vjedhje në kryeqytet, ndërsa autoritetet kanë mundur të zbardhin një sërë vjedhjesh të ndodhura më parë, po nga ky person.
Ervin Tavanxhi banues në Tiranë dhe i dënuar më parë për vepren penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “Vjedhja”, sipas policisë vidhte pasqyra, navigator, bateri dhe pjesë të tjera të mjeteve të ndryshme.
Ai u arrestua të shtunën, pasi u kap duke vjedhur me thyerje navigatorin e një Benzi në përdorim të një 30-vjeçareje, në rrugën “Myslym Shyri”, me kryqëzimin e rrugës “Vangjush Furxhi”.
Tavanxhi, sipas policisë dyshohet të jetë autor i disa ngjarjeve të tjera, si më poshtë:
Më datë 12.12.2017, në rrugën e “Bogdaneve” dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e një automjeti Benz; Më datë 24.10.2017, në rrugën e “Vangjush Furxhi”, dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e mjetit tip Benz; Me datë 23.08.2017, në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet se ka vjedhur aksesorë dhe navigatorin e mjetit tip Benz; Me datë 23.08.2017, në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet se ka vjedhur aksesorët dhe navigatorin e mjetit tip Golf.
Policia i gjeti atij një kaçavidë, 1 grup me 7 çelsa, 1 patentë, kartëmonedha, e sende të tjera. Puna për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor edhe për disa vjedhje të tjera që 37-vjeçari dyshohet se mund të ketë kryer, vijon.